Ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së do të takohen me homologun iranian në Gjenevë
- Ministrat evropian për punë të jashtme sot do të takohen me homologun e tyre iranian, me qëllim që ta hapin rrugën për diplomaci rreth programit bërthamor kontestues edhe krahas asaj që SHBA në mënyrë aktive mendon të përfshihet në sulmet izraelite ndaj Iranit. Ministrat e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, të njohur si E3, si dhe shefi për politikë të jashtme i BE-së, biseduan me ministrin iranian për punë të jashtme, Abas Aragçi, paraprakisht këtë javë dhe u koordinuan me sekretarin shtetëror amerikan Marko Rubio.
- Post By Sara Ademi
- 07:55, 20 qershor, 2025
Gjenevë, 20 qershor 2025 (MIA) - Ministrat evropian për punë të jashtme sot do të takohen me homologun e tyre iranian, me qëllim që ta hapin rrugën për diplomaci rreth programit bërthamor kontestues edhe krahas asaj që SHBA në mënyrë aktive mendon të përfshihet në sulmet izraelite ndaj Iranit. Ministrat e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, të njohur si E3, si dhe shefi për politikë të jashtme i BE-së, biseduan me ministrin iranian për punë të jashtme, Abas Aragçi, paraprakisht këtë javë dhe u koordinuan me sekretarin shtetëror amerikan Marko Rubio.
Në një telefonatë drejtuar Aragçit, ata insistuan në nevojën që ai të kthehet në tryezën negociuese dhe të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm. Në propozimin e Iranit, të dyja palët u pajtuan të takohen ballë për ballë. Bisedat do të mbahen në Gjenevë, ku në vitin 2013 ishte arritur një marrëveshje fillestare mes Iranit dhe forcave botërore për kufizimin e programit të tij bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve, para marrëveshjes gjithëpërfshirëse në vitin 2015.
Bisedat mes Iranit dhe SHBA-së dështuan kur Izraeli filloi atë që e quajti operacioni "Luani rajzing" më 12 qershor ndaj objekteve bërthamore dhe kapaciteteve të raketave balistike të Iranit. "Iranianët nuk mund të ulen me amerikanët ndërsa ne mundemi", tha një diplomat evropian.
"Do t'u themi të kthehen në tryezë që të bisedojnë për çështjet bërthamore para skenarit më të keq, ndërsa në të njëjtën kohë ta shprehim brengën tonë për raketat balistike të Iranit, mbështetjen e tij për Rusinë dhe ndalimin e qytetarëve tanë", shtoi ai.
Forcat evropiane, të cilat nuk ishin pjesë e bisedave bërthamore të Iranit me SHBA-në, gjithnjë e më shumë janë bërë më të frustruar nga strategjia negociuese e SHBA-së në biseda. Ata i kanë parë disa kërkesa si joreale, nga frika se një kornizë e dobët politike fillestare mund të çojë në negociata të hapura.
Të dy diplomatët thanë se nuk ka pritje të mëdha për progres në Gjenevë, por që është e rëndësishme të punohet me Iranin sepse pas luftës, programi bërthamor i Iranit ende do të mbetet i pazgjidhur, duke pasur parasysh se do të ishte e pamundur të çrrënjoset njohuria e fituar, që potencialisht do të mundësonte një ringjallje të fshehtë të programit.
Zyrtari iranian tha se Teherani gjithmonë e ka mirëpritur diplomacinë, por i ka bërë thirrje grupit E3 t'i shfrytëzojë të gjitha mjetet në dispozicion për të kryer presion ndaj Izraelit për t'i ndalur sulmet ndaj Iranit. "Irani mbetet i përkushtuar në diplomacinë si mënyra e vetme për zgjidhjen e kontesteve, por diplomacia është sulmuar", tha zyrtari.
Evropianët janë të vetmit që mund ta aktivizojnë mekanizmin për vendosje të sërishme të sanksioneve, ndërsa diplomatët thonë se tre vendet tentuan t'i japin afat përfundimtar deri në gusht për aktivizimin e tij. "Irani vazhdimisht ka thënë se aktivizimi i atij mekanizmi do të ketë pasoja serioze", tha zyrtari iranian. sa/
foto: EPA