• e hënë, 23 dhjetor 2024

Ministrat e BE-së do të diskutojnë planet për të mbrojtur njerëzit që ikin nga lufta në Ukrainë

Ministrat e BE-së do të diskutojnë planet për të mbrojtur njerëzit që ikin nga lufta në Ukrainë

Luksemburg, 13 qershor 2024 (MIA) - Ministrat evropianë të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme do të diskutojnë për planet për zgjatjen deri në mars të vitit 2026 të rregullave emergjente për t'u siguruar mbrojtje njerëzve që ikin nga lufta në Ukrainë, njoftoi DPA.

Planet po diskutohen në një takim dyditor që nis sot në Luksemburg.

Ukrainasit që ikën në BE pas pushtimit të plotë të Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, kanë marrë mbrojtje të menjëhershme pasi vendet anëtare të BE-së krijuan një regjim të përkohshëm në rast të një fluksi të madh njerëzish.

Ky propozim synon të tejkalojë procedurat e gjata kombëtare të azilit të nevojshme për të përpunuar dokumentet e një numri të madh të personave të zhvendosur. Është e mundur të zgjaten rregullat e përkohshme deri në një vit.

Personat që i nënshtrohen mbrojtjes së përkohshme kanë të drejtën e ndihmës sociale, strehimit, aksesit në arsim dhe lëshimit të lejes së punës. Regjimi aktual duhej të përfundonte në mars 2025.

Komisioni Evropian të martën e publikoi zgjatjen e planifikuar të regjimit. Komisioni raportoi se aktualisht, sipas këtyre rregullave, pothuajse 4,2 milion ukrainas jetojnë në territorin e BE-së, ndërsa numri më i madh i tyre është në Gjermani - 1,2 milion njerëz.

Ministrat e drejtësisë dhe të punëve të brendshme nga blloku evropian do të shqyrtojnë gjithashtu strategjinë e Komisionit për futjen e rregullave të reja për përballje me migracionin dhe azilin në BE. Strategjia synon të ndihmojë vendet e bllokut të prezantojnë sistemin ligjor deri në mesin e vitit 2026.

Një pjesë e rëndësishme e planit të KE-së është sistemi kompjuterik evropian Eurodak për krahasim, ruajtje dhe përpunim të të dhënave për azilkërkuesit, me qëllim përmirësimin e gjurmimit të aplikantëve ndërmjet vendeve të BE-së. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s  


 
 
 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR