• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Ministrat e BDI-së dhanë dorëheqje, do të efektuohen kur VMRO-DPMNE-ja të votojë për ndryshimet kushtetuese

Ministrat e BDI-së dhanë dorëheqje, do të efektuohen  kur VMRO-DPMNE-ja të votojë për ndryshimet kushtetuese

Shkup, 30 korrik 2023 (MIA) - Ministrat e BDI-së kanë dhënë dorëheqje nga funksionet, të cilat do të efektuohen pasi VMRO-DPMNE-ja të votojë për ndryshimet kushtetuese.

"Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim kanë dhënë dorëheqje nga funksionet, të cilat në këtë moment i ushtrojnë. Dorëheqjet, z. kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese", qëndron në publikimin e Ali Ahmetit në Fejsbuk.

Vendimin e tillë e paralajmëroi dje ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për ndryshimet kushtetuese.

"Të gjitha kërkesat e tyre i pranuam. Kërkuan që BDI-ja të dalë nga Qeveria. Qëndrimi i BDI-së është i qartë, vendimi do të aktivizohet ditën kur VMRO-DPMNE-ja do të votojë për ndryshimet kushtetuese", tha Osmani në takimin me gazetarët.

Edhe zëvendës kryeministri dhe ministri për Sistem Politik, Artan Grubi të hënën në një televizion tha se janë të gatshëm të dalin nga Qeveria në momentin e njëjtë kur VMRO-DPMNE-ja të votojë për ndryshimet kushtetuese.

I pyetur nëse BDI-ja janë të gatshëm të dalin nga Qeveria nëse ky është çmimi që duhet paguar, Grubi tha se jo vetëm se do të dalin nga Qeveria, por edhe do të heqin dorë nga kryeministri i parë shqiptar në Qeveri, të heqin dorë nga Qeveria e Përzhinos...

"Nga tërë kjo të heqim dorë dhe të shkojmë ose në zgjedhje të parakohshme menjëherë pas votimit të ndryshimeve kushtetuese ose të shkojmë në zgjehdje të rregullta. Nëse dëshirojnë të ulen në Qeveri edhe një vit, pesë, gjashtë muaj, 10 muaj, sa ka, le të ulen në Qeveri, vetëm le të votojnë për ndryshimet kushtetuese. BDI-ja në momentin e njëjtë kur të votohen amandamentet kushtetuese, del nga Qeveria dhe u mundëson të sundojnë pa asgjë nga ajo që e presim deri në fund të mandatit", tha Grubi të hënën për televizionin Kanal 5.

Një nga kërkesat e opozitës në takimin e liderëve mes kryetarëve të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së ishte të formohet qeveri, ku nuk do të merr pjesë BDI-ja. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR