Minçev: Transformimi digjital është në qendër të përpjekjeve tona për modernizim
- Transformimi digjital është në qendër të përpjekjeve tona për modernizim, deklaroi sot ministri i Administratës publike, Goran Minçev në konferencën vjetore ministrore të Shkollës rajonale për administratën publike e cila mbahet në Shkup. Konferenca i dedikohet temës "Gjenerata e ardhshme e menaxhimit dhe inovacionit në administratën publike”.
- Post By Fami Bajrami
- 13:39, 27 nëntor, 2024
Shkup, 27 nëntor 2024 (MIA) - Transformimi digjital është në qendër të përpjekjeve tona për modernizim, deklaroi sot ministri i Administratës publike, Goran Minçev në konferencën vjetore ministrore të Shkollës rajonale për administratën publike e cila mbahet në Shkup. Konferenca i dedikohet temës "Gjenerata e ardhshme e menaxhimit dhe inovacionit në administratën publike”.
Ministri së bashku me ministrat nga rajoni folën për arritjet më të fundit në administratën publike në vendet e tyre.
"Në botën e sotme me zhvillim të shpejtë, inovacioni nuk është veçmë një opsion, por një domosdoshmëri për qeveritë e përkushtuara për të ofruar shërbime publike efikase dhe gjithëpërfshirëse", tha Minçev.
Ai foli për arritjet e administratës publike tek ne.
"Gjatë muajve të fundit jemi fokusuar në krijimin e një baze solide për inovacion përmes reformave dhe investimeve të targetuara. Një arritje e rëndësishme është miratimi i Strategjisë sonë për Reformën e administratës publike që bazohet në një vlerësim të plotë të strategjive të mëparshme. Kjo strategji plotësohet nga një mjet inovativ i TI-së i krijuar për të monitoruar dhe siguruar zbatimin efektiv të iniciativave tona të reformës", shtoi Minçev.
Një tjetër zhvillim kyç siç theksoi ai, është progresi që është bërë në digjitalizimin e sektorit tonë publik.
"Po përgatisim një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse për të përafruar ligjet dhe rregulloret tona kombëtare me standardet e Bashkimit Evropian duke thjeshtuar proceset administrative dhe duke rritur transparencën. Modernizimi i sistemeve tona të menaxhimit të arkivave dhe të dhënave është duke u zhvilluar, duke siguruar që qytetarët dhe bizneset të kenë qasje në të dhënat publike në mënyrë efikase dhe të sigurt", nënvizoi ministri.
Krijimi i një kulture inovacioni, siç theksoi ai, kërkon një vizion afatgjatë dhe angazhim të palëkundur.
"Për ne, inovacioni nuk është vetëm teknologji, por ka të bëjë me nxitjen e mënyrës së të menduarit për përmirësim të vazhdueshëm, kreativitet dhe përshtatje", tha Minçev.
Për 10 vite, ai tha se e sheh administratën publike në vend si "një ekosistem dinamik ku politikëbërja drejtuar nga të dhënat, shërbimet e aktivizuara nga inteligjenca artificiale dhe bashkëkrijimi i qytetarëve janë normë". Për ta arritur këtë ata kanë prioritet iniciativat për ngritjen e kapaciteteve.
"Vetëm këtë vit, një numër i madh nëpunësish publikë morën pjesë në programe të drejtuara nga ReSPA, siç janë Programi rajonal i lëvizshmërisë në Ballkanin Perëndimor dhe trajnimi për digjitalizimin dhe integrimin në BE të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë. Këto iniciativa kanë fuqizuar fuqinë tonë punëtore me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të përqafuar praktikat inovative. Transformimi digjital është në qendër të përpjekjeve tona për modernizim", potencoi mes tjerash ministri.
Foto: MIA