• e hënë, 23 dhjetor 2024

Millanoviqi bëri thirrje për njohje të Kosovës dhe e mbështeti BeH në KB

Millanoviqi bëri thirrje për njohje të Kosovës dhe e mbështeti BeH në KB

Nju - Jork, 21 shtator 2023 (MIA) - Presidenti kroat, Zoran Millanoviq në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme të KB-së bëri thirrje për reforma në Këshillin e Sigurisë së KB-së, për njohje të Kosovës duke u angazhuar për bashkëpunim të shteteve në ruajtjen e planetit dhe ndryshim të kodit zgjedhor në Bosnjë e Hercegovinë.

Millanoviq e shprehu shqetësimin e tij për ngjarjet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe bëri thirrje për qetësim të tensioneve, por edhe njohje universale të Kosovës si anëtare e barabartë në bashkësinë ndërkombëtare.

"Jemi shumë të shqetësuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dëshirojmë të inkurajojmë masat për qetësimin e tensioneve. Në mënyrë të ngjashme, këto dy vende duhet të fokusohen në normalizimin e marrëdhënieve dhe të përmbushin detyrimet e tyre dhe të fillojnë të zbatojnë atë që u dakordua këtë vit në Bruksel dhe Ohër", ka thënë presidenti kroat.

Millanoviqi një pjesë të madhe të fjalimit të tij ia kushtoi zhvillimit të qëndrueshëm, duke theksuar se përpjekjet e deritanishme në botë në këtë drejtim janë treguar si "të pamjaftueshme".

"Bota në të cilën jetojmë sot kërkon përpjekje të përbashkëta, globale dhe të koordinuara si çelësi i suksesit në zgjidhjen e krizave serioze globale", tha Millanoviç në fjalimin e djeshëm, duke theksuar se "duhet të ruhet roli i KB-së si qendër e bashkëpunimit global".

Ai theksoi se Kroacia e mbështet perspektivën evropiane të Bosnjës e Hercegovinës dhe e mbështet vendimin e BE-së që t'i ndajë status kandidati. 

Ai gjithashtu, theksoi rëndësinë e reformave zgjedhore në atë vend, në mënyrë që të gjithë popujt përbërës të përfaqësohen në të gjitha nivelet e qeverisjes, gjë që është çelësi për stabilitetin e ardhshëm të Bosnjës e Hercegovinës. fc/

Fotografia: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR