• e premte, 05 dhjetor 2025

Milanoviq: Mos u bëni pre e imponimit për anëtarësimin në BE

Milanoviq: Mos u bëni pre e imponimit për anëtarësimin në BE

Shkup, 7 maj 2025 (MIA) - Shteti nuk duhet të durojë asnjë lloj imponimi në këmbim për anëtarësim në BE. Ju merrni shumë këshilla, nga fqinjët tuaj, nga diplomacia ndërkombëtare, nga BE-ja, nuk janë të gjitha këto këshilla të mençura, as të dobishme për ju...Ju jeni ata, që do të vendosni se çfarë është më e rëndësishme për ju. Vetëm mos u bëni pre e asnjë lloj detyrimi apo imponimi, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE", tha presidenti kroat Zoran Milanoviq në konferencën e përbashkët për shtyp me presidenten Gordana Siljanovska Davkova.

"Këtu nuk dua të polemizojë, as nuk mendoj për shtetin tuaj fqinj, Bullgarinë, ata kanë idetë e tyre se si duhet të duket kjo. Rregullat janë të qarta, duhet konsensus, duhet unanimiteti. Përderisa dikush është kundër Maqedonisë, fatkeqësisht, nuk mund të përparojë në atë rrugë. Çështja e vetme është nëse kjo për ju dhe për qytetarët tuaj ende është gjëja më e rëndësishme në këtë botë, e vlefshme në jetë apo ka disa gjëra të tjera që mund ta përcaktojnë shtetin si një bashkësi të suksesshme dhe të realizuar. Por këtu unë nuk kam asnjë këshillë, ky është vendimi juaj", tha Milanoviq.

Milanoviq theksoi se në Maqedoni duhet të ndihmohet, por jo të trajtohet si rast i veçantë.

"Vendi asnjëherë nuk duhet trajtuar si rast i veçantë me nevoja të veçanta, si vend me gabime, por si vend i cili për momentin ka disa probleme, sepse disa të tjerë nuk janë dakord me disa gjëra, të cilat ju i mbani. Në rregull, kjo me forcë nuk mund të ndryshohet. Ligji evropian dhe pacta sunt servanda, në çka i referohet profesoresha, është mirë të përsëriten, por BE-ja përgjithësisht nuk funksionon në atë mënyrë. Kroacia është dëshmitare e kësaj, qartë të mos jetojmë në iluzion, por ka shumë gjëra të mira në BE, por jo të gjitha janë të mira, veçanërisht vitet dhe muajt e fundit", theksoi Milanoviq.

Në pyetjet e gazetarëve se cilat janë pritjet e tij nga marrëveshja për bashkëpunim ushtarak që Kroacia ka lidhur me Shqipërinë dhe me Kosovën dhe nëse Maqedonia mund të ftohet në këtë marrëveshje për bashkëpunim ushtarak, tha se kjo është një deklaratë e nënshkruar nga tre ministrat e Mbrojtjes.

"Marrëveshja për të cilën po flisni nuk është marrëveshje, por deklaratë apo memorandum, të cilin e kanë nënshkruar tre ministra. Ky është memorandum që është nënshkruar nga tre ministra të Mbrojtjes, dy prej të cilëve janë nga vendet anëtare të NATO-s - i Kroacisë dhe i Shqipërisë, dhe i Kosovës, shtet mik që fatkeqësisht ende nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s dhe nuk është pranuar në KB. Domethënë kjo nuk është marrëveshje, por traektore e politikës së jashtme të Kroacisë. Unë e mbështes këtë marrëveshje dhe dua t'i qetësojë shtetet fqinje, të themi Serbinë, të mos keni asnjë problem me këtë", u përgjigj Milanoviq. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR