Mickoski: Rikonstruim të konvikteve studentore, vauçerë studentorë dhe mbështetje për vetëpunësim, si Qeveri po bëjmë diçka që askush më parë nuk e ka bërë për të rinjtë në Maqedoni
- Vetëpunësimi është një masë shumë e rëndësishme dhe në Buxhetin e shtetit janë ndarë mjete në vlerë prej afërsisht 2,5 miliardë denarë, ose rreth 40 milionë euro, që është për 7,5 milionë më shumë se vitin e kaluar. Dhe kjo është mbështetja historikisht më e lartë që ka ndodhur deri më tani, tha kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme me pyetjet e deputetëve, duke theksuar se kjo ka qenë një masë jashtëzakonisht e suksesshme, të paktën deri më tani, duke shprehur shpresë se do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në periudhën që vjen.
- Post By Sara Ademi
- 20:18, 27 nëntor, 2025
Shkup, 27 nëntor 2025 (MIA) - Vetëpunësimi është një masë shumë e rëndësishme dhe në Buxhetin e shtetit janë ndarë mjete në vlerë prej afërsisht 2,5 miliardë denarë, ose rreth 40 milionë euro, që është për 7,5 milionë më shumë se vitin e kaluar. Dhe kjo është mbështetja historikisht më e lartë që ka ndodhur deri më tani, tha kryeministri Hristijan Mickoski në seancën e sotme me pyetjet e deputetëve, duke theksuar se kjo ka qenë një masë jashtëzakonisht e suksesshme, të paktën deri më tani, duke shprehur shpresë se do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në periudhën që vjen.
Mickoski theksoi se Plani operativ për vetëpunësim është provë se shteti po investon te të rinjtë, duke theksuar se ky plan do të përfshijë pak më shumë se 16,500 persona në vitin 2025 - diçka që, siç tha ai, mendoj se është mbulimi më i madh deri më sot dhe provë e qartë se shteti praktikisht po investon te njerëzit, veçanërisht te të rinjtë.
"Deri para një jave janë lëshuar gjithsej 2.916 vauçerë për përgatitjen e planeve të biznesit dhe një pjesë të tyre i kemi promovuar në Qeveri. Janë vlerësuar 2.681, prej të cilave 1.140 janë për të rinj deri në 29 vjeç, 912 për persona mbi 29 vjeç, ndërsa 629 për subjekte juridike të regjistruara si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Për momentin më shumë se 2.500 persona janë në proces të nënshkrimit të kontratave. Mbështetja financiare është rritur ndjeshëm: 7.000 euro për personat mbi 29 vjeç ose 14.000 euro nëse bashkohen në SHPK, dhe 10.000 euro për të rinjtë deri në 29 vjeç ose 20.000 euro nëse bashkohen në SHPK," theksoi Mickoski, duke shtuar se kjo është diçka që po ndodh për herë të parë në Maqedoni.
Mickoski, theksoi se në vitet në vijim pret që mbështetja e cila është pjesë e këtij Plani Operativ për vetëpunësim vetëm të rritet, sepse nëse me 40 milionë euro arritëm të motivojmë mbi 16.500 persona, kjo është një shifër serioze dhe jam i bindur se nga këto biznese do të dalin shumë start-up-e që më pas do të sjellin vlerë të shtuar në ekonominë e Maqedonisë".
"Nuk ka pasur një mbështetje të tillë për të rinjtë. Në përgjithësi flas për rikonstruktimin e konvikteve studentore, vauçerët për studentët për pajisje elektronike dhe kur të gjitha këto merren parasysh, vlerësoj se si Qeveri po bëjmë diçka që deri tani askush nuk e ka bërë në Maqedoninë e pavarur për të rinjtë," përfundoi Mickoski. sa/
Foto: MIA arkivi