• e diel, 18 janar 2026

Mickoski: Qytetarët e respektojnë "Qytetin e sigurt", më pak aksidente trafiku dhe trafik më të sigurt

Mickoski: Qytetarët e respektojnë

Shkup, 18 janar 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se nuk e din nëse LSDM-ja do ta përkrah "Qytetin e sigurt" dhe theksoi se është me rëndësi që ky projekt tashmë është duke i arritur objektivat e tij themelore dhe humane. Vlerëson se qytetarët e respektojnë këtë projekt dhe apelon që më tej të jenë të ndërgjegjshëm.

"Dje realizova takim koordinues me udhëheqësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe personat përgjegjës për këtë projekt. Numrat në janar janë edhe më inkurajuese krahasuar me numrat e dhjetorit. Kjo do të thotë se kemi më shumë jetë të shpëtuara, më pak aksidente rrugore, më pak pacientë me trauma dhe në fund të fundit, trafik më të sigurt. Pra, nëse tashmë e shohim aspektin human të projektit, jam vërtet i kënaqur. Dhe ajo që më bën të lumtur është se që nga ditët fillestare kur kishte disa dhjetëra mijëra shkelje të trafikut, në ditë të caktuara në fillim kishte edhe më shumë se njëqind mijë, tani po shkojmë drejt numrit prej dy deri tre mijë në ditë. Kjo do të thotë se qytetarët e respektojnë këtë projekt dhe kjo është provë se ligjet mund të respektohen. Jam i lumtur që kjo po ndodh dhe dua t'i falënderoj qytetarët, shoferët dhe t'u bëj thirrje atyre të jenë të ndërgjegjshëm", tha kryeministri Mickoski, i cili mori pjesë në hapjen e pjesës së zgjeruar të shkollës fillore "Blazhe Koneski" në komunën e Aerodromit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse do të ketë mekanizëm për të mbrojtur të dhënat e qytetarëve në "Qytetin e sigurt" në mënyrë që ato të mos keqpërdoren, kryeministri tha se në takimin e djeshëm, mes tjerash, u diskutua edhe për mbrojtjen e të dhënave të qytetarëve.

"Duhet të kemi protokolle për shumë gjëra. E biseduam këtë dje. Shumë gjëra do të ndihen sikur mungojnë gjatë zbatimit. Në fund të fundit, askush nuk ishte 100 për qind perfekt në fillim kur e zbatoi këtë projekt. Është logjike që në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm të kemi përshtatje të caktuara. Por, gjithashtu, do ta përsëris, ajo që më bën të lumtur është se kemi arritur aspektin human të këtij projekti, e kjo është më pak viktima si pasojë të aksidenteve rrugore", tha Mickoski. bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR