Mickoski: Qeveria po merr një sërë masash për të ulur ndotjen e ajrit
- Qeveria po ndërmerr masa dhe hapa për të ulur ndotjen e ajrit, disa prej tyre do të mund të realizohen menjëherë, ndërsa për të tjerat do të nevojitet kohë, kyç është sigurimi i alternativave për ngrohje për amvisëritë, si ngrohja qendrore në distancë dhe ndërtimi i centraleve të gazit me teknologji kogjenerative, tha kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski gjatë debatit mbikëqyrës në Kuvend kushtuar mjedisit jetësor. Kryeministri pranoi se problemi i ajrit të ndotur është aktual çdo dimër dhe theksoi se dekadat e fundit është bërë pak, apo pothuajse asgjë, në luftën për ajër më të pastër.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:35, 26 maj, 2025
Shkup, 26 maj 2025 (MIA) - Qeveria po ndërmerr masa dhe hapa për të ulur ndotjen e ajrit, disa prej tyre do të mund të realizohen menjëherë, ndërsa për të tjerat do të nevojitet kohë, kyç është sigurimi i alternativave për ngrohje për amvisëritë, si ngrohja qendrore në distancë dhe ndërtimi i centraleve të gazit me teknologji kogjenerative, tha kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski gjatë debatit mbikëqyrës në Kuvend kushtuar mjedisit jetësor. Kryeministri pranoi se problemi i ajrit të ndotur është aktual çdo dimër dhe theksoi se dekadat e fundit është bërë pak, apo pothuajse asgjë, në luftën për ajër më të pastër.
Sa i përket ndotjes së ajrit, Mickoski theksoi se shkaku më i madh i ndotjes janë sistemet e ngrohjes së amvisërive, objektet publike dhe industriale, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e përpunimit të ujërave të zeza, sistemeve të organizuara për largimin e tyre dhe menaxhimit të mbeturinave.
“Kur flasim për ajrin dhe cilësinë e tij, do të pajtohem me ju – ndotësi më i madh është pikërisht ai që ju përmendët: sistemi i ngrohjes në shtëpi. Por edhe në objektet industriale e publike. Kemi shumë objekte publike që ende përdorin lëndë djegëse fosile për t’u ngrohur”, theksoi Mickoski.
Për të zgjidhur këtë problem, ai beson se është e nevojshme të ndërtohen të ashtuquajturat termocentrale kogjenerative me gaz që mund të përdoren si për prodhimin e energjisë elektrike ashtu edhe për prodhimin e nxehtësisë.
"Ky është një nga prioritetet kryesore dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë në atë drejtim, veçanërisht në fushën e sigurimit të një sistemi të centralizuar ngrohjeje për shtëpitë, ndërtesat publike dhe disa objekte industriale. Dhe mënyra se si do ta bëjmë këtë zakonisht mund të zgjidhet duke ndërtuar të ashtuquajturat termocentrale kogjenerative me gaz që mund të përdoren si për prodhimin e energjisë elektrike ashtu edhe për prodhimin e nxehtësisë. Por, që të ndodhë e gjithë kjo, nevojitet edhe një instalim nëntokësor në mënyrë që uji i ngrohtë të arrijë në amvisëri, ndërtesa publike dhe objekte industriale", tha Mickoski.
Në komisionin mbikëqyrës, Mickoski theksoi se nuk duhen fajësuar amvisëritë askush deri tani nuk u ka siguruar një alternativë - më shpesh është ngrohja qendrore, ndërsa për momentin vetëm një pjesë e Shkupit ka një mënyrë të tillë ngrohjeje përmes ngrohjes qendrore dhe ka përpjekje individuale në komuna ku po instalohen kaldaja me gaz për ngrohjen e objekteve publike.
"Por, nuk ka ngrohje qendrore të kontrolluar nga larg për amvisëritë dhe ndoshta kjo është arsyeja pse njerëzit më së shpeshti përdorin lëndë djegëse fosile, por jo rrallë përdorin praktikisht gjithçka. Nga vaj i djegur, goma të përdorura, mobilie të vjetra dhe pajisje shtëpiake për të ngrohur shtëpitë e tyre. Kjo mund të tejkalohet vetëm në një mënyrë – nëse realizohen këto projekte dhe nëse punohet në vetëdijesimin e të gjithë faktorëve në shoqëri. Në vitet që vijojnë, një pjesë e këtyre projekteve për disa komuna do të realizohen dhe do të sigurojnë një ambient jetësor më të pastër dhe më të shëndetshëm", theksoi kryeministri Mickoski.
Për të, të rëndësishme janë edhe subvencionet për instalimin e kaldajave efikase me gaz në objekte publike, si dhe për pompat termike dhe gjeotermale.
"Si qeveri jemi angazhuar dhe jemi në fazë të avancuar për zhbllokimin e një kredie nga Banka Botërore që të jemi një qeveri mike ndaj ambientit jetësor përmes rikonstruktimit të objekteve publike. Shumë gjëra po ndodhin dhe do të vazhdojnë të ndodhin", deklaroi kryeministri Mickoski.
Lidhur me rritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët, kryeministri, në pyetjen e deputetes Karolina Nastovska, në lidhje me kontributin e amvisërive në ndotjen e ajrit, përsëriti se bëhet fjalë për ngrohje qendrore në distancë dhe një përpjekje të organizuar. Ai tha se mbështet një zgjidhje të organizuar, në vend të një zgjidhjeje të pjesshme, të problemit.
"Kur bëhet fjalë për ngrohjen, unë jam më shumë pro ngrohjes qendrore në distancë, mund të duhet më shumë kohë, por kur të përfundojë, do të thotë që sigurisht kemi ngrohje qendrore dhe sigurisht që kemi burimin më të lirë për ngrohjen e shtëpive tona", tha kryeministri.
Në pyetjen e deputetës, Gracia Bakraçesk, nëse do të ketë përmirësim të cilësisë së ajrit pas nëntë vitesh, për kategoritë vulnerabël të fëmijëve dhe të sëmurëve, kryeministri u përgjigj se të gjitha masat vlejnë për çdo individ.
Në debatin mbikëqyrës në Kuvend, kryeministri Mickoski u përgjigj në pyetjen e deputetes Olga Lozanovska në lidhje me ndikimin e transportit në ndotjen e ajrit, i cili sipas analizave është ndotësi i dytë më i madh. Kryeministri tha se në fazën përfundimtare, nëpërmjet Ministrisë së Transportit, do të shpallet një prokurim publik nëpërmjet të cilit do të blihen 120 autobusë elektrikë. Për të, është e rëndësishme që autobusët të shpërndahen në komunat ku është i organizuar transporti publik i qytetit. Ai shtoi se qeveria është në proces të harmonizimit të tarifave doganore me BE-në në fushën e importimit të makinave dhe autobusëve. qa/mb/
Foto: MIA