• e premte, 03 janar 2025

Mickoski: Problemi me NQP Shkup është administrativ, nuk ka të bëjë me naftën

Mickoski: Problemi me NQP Shkup është administrativ, nuk ka të bëjë me naftën

Shkup, 31 dhjetor 2024 (MIA) - Tërheqja e sërishme e autobusëve të NQP Shkup në garazhe, sipas kryeministrit Hristijan Mickoski nuk ka të bëjë me mungesën e naftës, por problemi është administrativ. Ai ka apeluar deri te drejtuesit e NQP-së dhe Qytetit të Shkupit që të tejkalojnë, siç tha ai, mosmarrëveshjet e ndërsjella që të mund qytetarët e Shkupit të përdorin transportin publik.

"Unë këtë e mësova para pak minutash. Një kërkesë të tillë nga Qyteti i Shkupit nuk ka. Nga sa mund të marr si informacion është se drejtuesit e Ndërmarrjes së Qarkullimit Publik nuk vijnë në punë. Problemi është administrativ, nuk është problemi se nuk ka naftë, por është problem administrativ. Dhe i bëj thirrje udhëheqësisë së NQP-së dhe drejtuesve të Qytetit të Shkupit që t'i tejkalojnë mosmarrëveshjet e ndërsjella në mënyrë që banorët e Shkupit të përdorin transportin publik, sepse këtu nuk bëhet fjalë, me sa jam i informuar, për mungesë të naftës, por thjesht diçka tjetër është problemi. Vallë nuk është nënshkruar kontratë, apo është diçka tjetër... le të emërohet një person të ri, apo le të bëjnë diçka sepse kjo tashmë i kalon të gjitha kufijtë e një sjelljeje që nuk duhet kështu të ndodhë", ka thënë kryeministri Mickoski.

Kryeministri, i cili tha sot se deri në fund të javës do t’i transferohen 120 milionë denarë NQP-së për transport falas të studentëve, theksoi se tani problemi nuk ka të bëjë me naftën.

"Ja 120 milionë si Qeveri do t’i transferojmë menjëherë, do të thosha gjatë ditës së sotme nëse është e mundur. Duhet së pari të dalë vendimi. Këtë javë do të marrin 120 milionë denarë", ka thënë Mickoski.

Në pyetjen e gazetarëve se si të zgjidhen problemet me autobusët në Shkup dhe funksionimin e Qytetit, ai tha se realisht nuk e di se çfarë duhet të bëjë më shumë qeveria për të ndihmuar.

"Ne nuk kemi ingerenca, as edhe konform me Ligjin për vetëqeverisje lokale. Është gjëja më e keqe që mund të ndodhë në këtë moment dhe prandaj ministri ka një agjendë ambicioze për të ndryshuar ligjin në ato segmente, sepse padyshim që mund të na ndodhë ajo që na ndodhi - të paralizohet plotësisht kryeqyteti për shkak të sjelljes jo të përgjegjshme të atyre që duhet ta menaxhojnë atë. Unë me të vërtetë nuk e di se çfarë mund të bëjmë tjetër. Atë që mundemi, atë e bëjmë", ka thënë Mickoski.

Ai ka thënë se Qeveria nuk mund t’i menaxhojë ndërmarrjet publike, sepse nuk ka ingerenca ligjore.

"Nëse e bëjmë këtë do të thonë se me forcë po marrim diçka ose nga ana tjetër po shpenzojmë paratë publike në mënyrë jo ligjore. Ne nuk mund ta bëjmë këtë. Pra, edhe një herë ja ku janë zgjedhjet lokale, deri në ndryshimin e ekipit që do të menaxhojë kryeqytetin apeloj për arsyeshmëri të paktën këto muaj, si mund të ndihmojmë, na thoni të ndihmojmë qytetarët që të mos ndjehen pasojat e keqmenaxhimit dhe konflikteve të ndërsjella që po ndodhin. Në rregull, konflikti që është me Qeverinë, ja pra ne si Qeveri themi nuk ka më konflikt. Thoni çfarë keni nevojë që të ndihmojmë, vetëm që puna të jetë si duhet. Por padyshim që aty brenda ka shumë konflikte, shumë keqkuptime që rezultojnë në atë që tani po ndodh me NQP-në", tha Mickoski.

FOTO: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR