• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski për rastin e Vlladimir Perevit: Absolutisht e mohoj se është kryer ndonjë sulm ndaj atij personi

Mickoski për rastin e Vlladimir Perevit: Absolutisht e mohoj se është kryer ndonjë sulm ndaj atij personi

Shkup, 26 nëntor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi sot se dje ka pasur konsultime në lidhje me denoncimin e gazetarit dhe publicistit Vlladimir Perev (80), se ka qenë cak i një sulmi verbal dhe fizik nga një person i panjohur në Shkup dhe theksoi se mohon absolutisht se ka pasur ndonjë sulm të tillë.

Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve mbi reagimet nga Sofja në lidhje me Perevin, tha se dikush mund të laget nga shiu jashtë dhe ta karakterizojë atë si një sulm hibrid nga Qeveria.

"Dikush mund të laget në shi jashtë dhe kjo të jetë një sulm hibrid nga Qeveria, me çka rrezikohet procesi i integrimit. Nëse dikush ka vendosur të vetëlëndohet dhe ta tregojë atë si një sulm hibrid apo nuk e di çfarë, kjo është çështje tjetër. Shikoni, mos prisni që të kemi një qilim të kuq dhe se nuk do të ketë konstruksione dhe inxhiniering, ne jemi mësuar me këtë. Ndryshe, kam pasur konsultime gjatë ditës së djeshme dhe absolutisht hedh poshtë se është bërë ndonjë sulm ndaj personit që përmendni", deklaroi Mickoski para fillimit të Forumit nacional - Panairi i organizatave qytetare "Bashkëpunimi midis Qeverisë dhe Shoqërisë civile".

MPB dje publikoi se po vepron pas rastit të raportuar nga gazetari dhe publicisti Vlladimir Perev (80) se ka qenë cak i i sulmit verbal dhe fizik nga një person i panjohur në Shkup.

Në një kolumnë të botuar në portalin Tribuna.mk, Perevi thekson se është sulmuar nga një burrë rreth të 40-ave i cili së bashku më te priste në radhë në një supermarket. Sulmi, siç pretendon ai, ishte i motivuar nga përkatësia e tij me komunitetin bullgar.

Incidenti ndodhi të premten, ndërsa policia njoftoi se po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

"Më 21.11.2025 në orën 21:30 në SPB Shkup, V.P. (80) nga Shkupi ka denoncuar se në orën 21:05 në një market në territorin e Qendrës në Shkup është sulmuar fizikisht nga një person. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit", informon MPB.

Për këtë rast ka reaguar edhe MPJ-ja bullgare. Në kumtesën e publikuar në ueb faqen e tyre, kërkohet që autoritetet kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut të ndërmarrin masa efikase për hetim dhe drejtësi.

Foto: printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR