• e mërkurë, 12 mars 2025

Mickoski: Nuk jam takuar me Gruevskin në Budapest, por kanë mbajtur takime ish-zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së

Mickoski: Nuk jam takuar me Gruevskin në Budapest, por kanë mbajtur takime ish-zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së

Shkup, 5 mars 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot ka deklaruar se gjatë qëndrimit në Budapest, ku është mbajtur seanca ndërqeveritare, nuk është takuar me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, por se kanë zhvilluar takime ish-zyrtarë të LSDM-së dhe BDI-së.

Në pyetjen e një gazetari se a është takuar me Gruevskin në Budapest, por edhe për përfitimet që i ka vendi nga seanca dhe vizita e përbashkët atje, ai tha se takim të tillë nuk ka pasur dhe nëse do të kishte do të informohej opinioni, sepse ai udhëheq politikë transparente.

"Nikolla Gruevskin nuk e kam takuar në Budapest, por nëse e takoj do të informoheni sepse unë ndjek një politikë të bazuar në parimin se e vërteta është më e sakta. Më besoni, sa herë që ndodh diçka, e them dhe nuk kam asgjë për të fshehur, por edhe në emër të asaj të vërtete mund të konfirmoj dhe shumë shpejt me dëshmi, se një numër i madh i zyrtarëve të ish koalicionit qeveritar LSDM dhe BDI janë takuar me Nikolla Gruevskin në Budapest dhe me këtë rast nuk kanë dhënë përgjigje të sinqertë", theksoi Mickoski gjatë vizitës së sotme në Komunën e Ilindenit.

Duke vlerësuar volitshmërinë e mjeteve në vlerë prej një miliardë eurosh të ardhura në vend nga Hungaria, ai tha se kjo qeveri po punon në mënyrë të përgjegjshme dhe efikase.

Mickoski konfirmoi se me mjetet nga linja hungareze, borxhi i shtetit është zvogëluar për tre për qind.

"Një miliardë euro kanë ardhur nga Hungaria dhe nga ky një miliard, 500 milionë euro janë përdorur për shlyerjen e borxhit, një fletëobligacion i marrë në vitin 2018. Sot, kur do ta shikoni gjendjen e borxhit të shtetit, do të shihni se është 58,2 për qind dhe është ulur me më shumë se 3 për qind. Kështu funksionon kjo qeveri, me efikasitet dhe përgjegjësi. Nga 500 milionë euro të mbetura, 250 milionë euro janë investuar në projekte në mbarë vendin, 250 milionë janë në biznes, por fatkeqësisht duhet të them se interesi deri më tani është 380 milionë euro. Domethënë, ka pasur projekte, jo se nuk ka pasur projekte, por ndoshta është dashur të ketë para të lira që ato projekte të realizohen dhe ato projekte të sjellin shumë më tepër vende pune. Kur biseduam me Odën ekonomike, vendosëm një qëllim prej 5000 vendesh të reja pune, por informacionet e mia thonë se ky numër është dyfishuar me këto 380 milionë euro nga linja hungareze dhe pres që ky numër të arrijë në gjysmë miliardë, gjë që për mua përbën sërish një sfidë dhe frymëzim për të kërkuar fonde të tilla për biznesin, sepse është e qartë se biznesi është i uritur dhe dëshiron para të freskëta që të mund të zhvillohet, të shtojë vlerë dhe të krijojë vende të reja pune dhe të rinjtë, të mos jetë sikur deri më tani, t'i mbushin autobusët nga atje ku janë shpërngulur dhe të kthehen në shtëpi, kudo në Maqedoni", theksoi Mickoski. mb/

Foto: MIA/Qeveri

QËNDRONI TË LIDHUR