• e hënë, 23 dhjetor 2024

Mickoski: Nuk e kam parë letrën e Ahmetit, do t'i qasem si çdo letre të çdo qytetari

Mickoski: Nuk e kam parë letrën e Ahmetit, do t'i qasem si çdo letre të çdo qytetari

Shkup, 28 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk e ka parë letrën e dërguar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre në kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit, por thekson se duhet t'i kushtojë vëmendje çdo letre të çdo qytetari.

Në pyetjen e gazetarëve, Mickoski tha sot se me kujdes të madh i qaset çdo komunikimi me qytetarët.

"Jo, nuk e kam parë. Ndryshe, unë çdo ditë marr shumë letra dhe i lexoj, marr shumë porosi dhe me kujdes të madh i qasem çdo komunikimi me qytetarët. Z.Ahmeti është qytetar dhe duhet t'i kushtohet vëmendje çdo letre të çdo qytetari, kështu vepron një qeveri e përgjegjshme. Siç tha zëvendëskryeministri Mexhiti ne nuk luajmë futboll, ne punojmë dhe jemi të përgjegjshëm", tha Mickoski i cili iu përgjigj pyetjeve pas inspektimit të punimeve për ndërtimin e autostradës Gostivar Bukojçan të Korridorit 8.

Siç bënë të ditur sot nga BDI, letra e Ahmetit është përgjigje ndaj sfidave serioze me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm gjeopolitik, kur çdo tension i ri mund të ketë pasoja negative për marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin e brendshëm shtetëror. Ahmeti thekson se vendimet për heqjen e mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për përdorimin e gjuhëve jo vetëm që janë politikisht të diskutueshme, por janë shume të rrezikshme dhe të dëmshme për përparimin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë.

BDI apelon për më shumë përgjegjësi dhe pjekuri nga partitë politike dhe institucionet në këtë periudhë kritike, duke nxitur zgjidhje që do të forcojnë bashkëpunimin dhe unitetin, dhe jo ndarjet. Letra e Ahmetit, e cila është bashkëngjitur në tërësi në këtë deklaratë, përbën një thirrje për bashkëpunim, respekt të ndërsjellë dhe dialog konstruktiv.

"BDI mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e mirëkuptimit ndëretnik dhe përfshirjes të cilat janë themele të përparimit të Maqedonisë së Veriut dhe të ardhmes së saj evropiane", thuhet në letër.

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR