Mickoski: Një grup i organizuar i zyrtarëve të lartë dyshohen për kriminalitet prej rreth 6.5 milionë euro
- Kryeministri Hristijan Mickoski sot në konferencë për media konfirmoi se është duke u zhvilluar aksion kundër një grupi të organizuar prej 23 persona, në mesin e të cilëve është edhe ish drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, por ai për momentin është jashtë shtetit dhe nuk është i kapshëm për organet e përndjekjes. Personat, siç u njoftua paraprakisht, sipas informacioneve fillestare, dyshohen për krim në lidhje me funksionimin e termocentraleve në KME Manastir, TEC Oslomej dhe TEC Negotinë, ndërsa Mickoski tha se bëhet fjalë për kriminalitet prej rreth 6,5 milionë euro.
- Post By Fami Bajrami
- 13:06, 10 dhjetor, 2024
Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot në konferencë për media konfirmoi se është duke u zhvilluar aksion kundër një grupi të organizuar prej 23 persona, në mesin e të cilëve është edhe ish drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, por ai për momentin është jashtë shtetit dhe nuk është i kapshëm për organet e përndjekjes. Personat, siç u njoftua paraprakisht, sipas informacioneve fillestare, dyshohen për krim në lidhje me funksionimin e termocentraleve në KME Manastir, TEC Oslomej dhe TEC Negotinë, ndërsa Mickoski tha se bëhet fjalë për kriminalitet prej rreth 6,5 milionë euro.
"Janë ndaluar këta 23 persona, minus një, që sapo përmendët, por pres që edhe ai të ballafaqohet me drejtësinë që sot dhe të gjithë ata të japin përgjigje për këto dyshime të bazuara për të cilat akuzohen, edhe pse mund të them se një pjesë e madhe e provave për të cilat dyshonim tashmë janë siguruar", theksoi Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për media ku sot informoi se është nënshkruar marrëveshje për investim të ri në vend.
I pyetur nëse Kovaçevski është në shtet, Mickoski është përgjigjur se nuk është, por se pret që të gjendet dhe të kthehet.
"Nuk është në shtet një kohë të gjatë, por pres që ta kthejmë në vend", tha kryeministri.
Nga informacionet me të cilat është informuar nga persona të MPB-së, ministri Toshkovski dhe drejtori i BSP Janev, siç theksoi, bëhet fjalë për një grup të mirëorganizuar të përfaqësuesve të lartë të kompanisë dhe personave të cilët menaxhojnë me persona të tjerë juridikë që janë bashkuar dhe për të cilët ekziston dyshimi se kanë kryer vepër penale prej 6.5 milionë euro.
"Janë gjetur shumë prova, por këtë do t'ia lë prokurorisë, më tej gjykatave, ne duhet të besojmë në prezumimin e pafajësisë, por ajo që është zbuluar është vërtetë shqetësuese", ka thënë Mickoski.
Ai theksoi se është i vetëdijshëm se ai si kryeministër dhe qeveria në periudhën e kaluar janë akuzuar nga opinioni se organet e rendit po bëjnë pak për t'u përballur me personat e dyshuar për kriminalitetit, por shtoi se kanë kërkuar durim, sepse është e nevojshme të respektohen procedurat, ndërsa nevojitet edhe bashkëpunim në dy shtyllat kyçe - prokurorinë dhe gjyqësorin.
"E dini, ka akoma struktura atje që janë më lojale ndaj qeverisë së mëparshme sesa ndaj drejtësisë, diçka që paraqet problem të përgjithshëm, por disi, siç e shoh ngadalë po afrohen më shumë të jenë lojal ndaj drejtësisë se sa atyre të cilët u kanë shërbyer më parë dhe shpresoj që do të vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe në periudhën në vazhdim, ndërsa juve si gazetarë, si opinion ta ndiqni nga afër, sepse gjithçka që folëm dhe për të cilën ekzistonte dyshim se është kryer krim, pavarësisht nëse ka qenë individual apo i organizuar, do të dihet për opinionin dhe të gjitha provat do t'i ofrohen publikut në një procedurë transparente. E kam thënë shumë herë në të kaluarën se nuk do të bëjmë cirk nga këto gjëra. Ja pra ne nuk kemi ndërmend të bëjmë shou nga e gjithë kjo, drejtësia është e ngadalshme, por drejtësia gjithmonë fiton në fund dhe këtë herë do të fitojë", theksoi Mickoski.