Mickoski: Ne kemi bërë thirrje për konsensus nacional me muaj të tërë, por opozita nuk zgjedh mjete se si të na godasë me thikë pas shpine
- Populli sheh që kjo Qeveri po lufton për të rikthyer gjithçka që e shiti lehtë dhe lirë qeveria e kaluar, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke vlerësuar se opozita "nuk ka legjitimitet as mbështetje nga populli" për të folur për një konsensus të gjerë kombëtar për integrimet evropiane.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:08, 2 korrik, 2025
Shkup, 2 korrik 2025 (MIA) - Populli sheh që kjo Qeveri po lufton për të rikthyer gjithçka që e shiti lehtë dhe lirë qeveria e kaluar, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, duke vlerësuar se opozita "nuk ka legjitimitet as mbështetje nga populli" për të folur për një konsensus të gjerë kombëtar për integrimet evropiane.
Sipas Mickoskit, ndërkohë që pushteti ka bërë thirrje për një konsensus të tillë për muaj të tërë, opozita nuk zgjedh mjete si "të na godet me thikë pas shpine".
"Ne kemi bërë thirrje për një konsensus të tillë për muaj të tërë, por e shihni që ndërkohë ne po luftojmë për ta rikthyer atë në skenën ndërkombëtare, ata nuk zgjedhin mjete, se si të na godasin me thikë pas shpine, duke menduar se kështu do t'u pëlqejnë atyre që nuk e duan mirë Maqedoninë dhe në këtë mënyrë do të kthehen përsëri dhe do të kenë mundësinë të marrin pushtetin. Nuk shkon kjo kështu, populli nuk harron. Ata e dinë se çfarë ka ndodhur gjatë shtatë viteve të kaluara", deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas vizitës në "Replek".
Opozita, theksoi Mickoski, po e humb mundësinë e saj për t'u konsoliduar, për t'u rreshtuar si mbrojtës i interesave të Maqedonisë dhe në këtë mënyrë, sadopak, të rikuperojë pjesërisht kredibilitetin e humbur.
I pyetur për të komentuar deklaratën e liderit të opozitës Venko Filipçe, se nuk ka vullnet politik për përparim në integrimet evropiane, Mickoski tha se nuk do t'i komentojë "manipulimet e opozitës", të cilat i vlerësoi si një vazhdim të tradhtive dhe humbjeve të tyre nga e kaluara.
I pyetur gjithashtu për koment mbi pretendimet se në Raportin e Komisionit Evropian paralajmërohet për atë që quhet "Bota serbe“, Mickoski tha se nuk e ka parë atë raport, por i hodhi poshtë këto lloj konstatimesh, duke theksuar se nuk beson që një gjë e tillë të jetë e përfshirë në një raport zyrtar nga ana e BE-së.
"Kur ta shoh, do ta komentoj. Por, absolutisht e hedh poshtë një konstatim të tillë dhe nuk besoj se diçka e tillë është përfshirë në një raport zyrtar nga BE-ja, sepse do të ishte shumë naive. Dhe nga kontaktet që kam pasur me përfaqësues të lartë të BE-së, të paktën që nga kur është kjo Qeveri, jo vetëm që nuk kemi asnjë pikë afrimi me një konstatim të tillë, por përkundrazi, nëse dikur ekzistonte ajo iniciativë 'Open Ballkan', të paktën që nga kjo Qeveri, diçka të tillë nuk ka, sepse ka humbur kuptimi i gjithë asaj që mund të shoh unë", deklaroi Mickoski. qa/
Foto: arkivi i MIA-s