Mickoski: Nëse menaxhohet siç duhet sistemi energjetik shteti nuk do të jetë i varur nga importi i energjisë elektrike
Shkup, 17 tetor 2022 (MIA) – Lideri i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski vlerëson se nëse menaxhohet siç duhet sistemi energjetik vendi nuk do të jetë i varur nga importi i energjisë elektrike dhe nevojat e energjisë elektrike do të mund t'i përmbushë nga kapacitetet e veta.
"Me përgjegjësi pohoj se nëse sistemi energjetik menaxhohet si duhet, Maqedonia nuk do të jetë e varur nga energjia elektrike e importuar. Pse? Sepse nëse me kohë bëhet një plan për modernizimin e kapaciteteve prodhuese, siç ka ekzistuar para 6,7,8,10 vitesh në REK Manastir, Osllomej apo nëse bëhet modernizimi i hidro-kapaciteteve, gjegjësisht termocentraleve që prodhojnë energji elektrike nga uji, duke përfshirë të gjitha ato projekte që janë me iniciativë private, duke e përfshirë kapacitetin e një termocentrali ose i njohur në publik si TE-TO Shkup, Maqedonia nuk do të jetë e varur nga importi i energjisë elektrike", tha Mickoski në pjesëmarrjen në emisionin “Studio e Hapur” në Televizionin nacional.Ai vlerëson se nëse REK Manastir është operativ, dhe tri blloqet e tij modernizohen, nëse ka sasi të mjaftueshme të thëngjillit të zbuluar, sasi të mjaftueshme të thëngjillit të nxjerrë dhe të depozituar në tra, të gatshëm për djegie në procesin teknologjik të REK Manastirit, ato do të mund të prodhojnë rreth 600 megavat.
Ai shton se për gjendjen aktuale kanë paralajmëruar para një viti dhe kanë bërë apel për menaxhim të drejtë të resurseve dhe të gjithë sistemit që vendi të mos bëhet i varur nga importi.
"Por, për fat të keq, Qeveria nuk i ka menaxhuar siç duhet resurset dhe për këtë ndodh që MEPSO dhe ELEM, kompani që kanë shënuar fitime të mëdha në të kaluarën, sot janë humbësit më të mëdhenj", tha Mickoski. Sipas tij, për tejkalimin e situatave të tilla, VMRO-DPMNE dhe ai personalisht kanë ofruar kontakte për furnizimin e energjensave me çmime më të ulëta. Është në dorën e Qeverisë, potencoi Mickoski, nëse do t'i shfrytëzojnë kontaktet që i kam siguruar për furnizim të energjensave drastikisht më të lira apo do të vazhdojnë të vjedhin.