Mickoski: Nëse duhet Qeveria të bie për shkak të "Sejf sitit", jam i gatshëm ta bart atë rrezik
- Kryeministri Hristijan Mickoski, sonte në emisionin "Klik plus" të TV21, duke folur për projektin "Sejf siti" tha se është i gatshëm të marrë rrezikun edhe nëse qeveria bie.
- Post By Fami Bajrami
- 22:59, 27 janar, 2026
Shkup, 27 janar 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, sonte në emisionin "Klik plus" të TV21, duke folur për projektin "Sejf siti" tha se është i gatshëm të marrë rrezikun edhe nëse qeveria bie.
Mickoski tha se qëllimi nuk është mbledhja e gjobave, por të shpëtohen jetët e njerëzve.
"Qëllimi nuk është përfitimi nga gjobat. Sepse para së gjithash ka tolerancë, nëse vozisni 5 kilometra më shumë nuk do të ketë gjoba. Nëse vozisni më shumë se 10, do të gjobiteni. Por, do ta them përsëri, qëllimi nuk është të ndëshkohet, por të veprohet në mënyrë edukative dhe parandaluese. Nëse duhet kjo qeveri të bie për 'Sejf siti' dhe pastaj të vjen një qeveri tjetër dhe e shfuqizon atë dhe të mund të vozitet siç duan, atëherë në rregull, jam i gatshëm ta marr atë rrezik", ka thënë Mickoski.
Ai tha se ndërsa afrohet 1 shkurti, kur pritet të fillohet zyrtarisht me shqiptimin e gjobave, numri i shkeljeve të regjistruara zvogëlohet.
"Të dhënat tregojnë se më 23 janar janë regjistruar mbi 15.000 shkelje, ndërsa më 24 janar 14.000. Pra, ndërsa afrohet 1 shkurti, regjistrohen gjithnjë e më pak kundërvajtje", tha Mickoski dhe shtoi se në periudhën nga dhjetori 2025 deri më 26 janar 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë, ka pasur shtatë persona më pak të vdekur në aksidente trafiku.
Foto: printskrin