• e enjte, 10 korrik 2025

Mickoski: Motivet e Qeverisë së kaluar kanë qenë që të mbeten në pushtet, Në Sofje të ktijohet një identitet i ri, artificial maqedonas, motivi ynë është Maqedonia e të gjithë qytetarëve në BE me dinjitet

Mickoski: Motivet e Qeverisë së kaluar kanë qenë që të mbeten në pushtet, Në Sofje të ktijohet një identitet i ri, artificial maqedonas, motivi ynë është Maqedonia e të gjithë qytetarëve në BE me dinjitet

Shkup, 12 qershor 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, në paraqitjen e tij sonte si mysafir në televizionin Alsat, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetares se pse e fajëson dhe faktorizon vetëm Bujar Osmanin për marrëveshjen e dëmshme me Bullgarinë, ishte i prerë se përveç ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme Osmani, i përmend edhe Dimitar Kovaçevskin dhe Bojan Mariçiqin, por bën edhe një gabim dhe harron një person dhe ai është Stevo Pendarovski.

Mickoski përkujtoi se Pendarovski, në një deklaratë për një media kombëtare, ka thënë se ai ishte praktikisht personi që negocioi të ashtuquajturin "propozim francez", megjithëse më parë kishte pohuar se nuk ka ditur asgjë dhe se nuk vjen parasysh ndryshimi i Kushtetutës dhe se kjo nuk ka qenë temë e diskutimit dhe negociatave.

"Për fat të keq, ai propozim është gjithçka përveçse në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Unë këtu nuk po flas nëse janë maqedonas apo shqiptarë, sepse të gjithë ne, pavarësisht nga etnia dhe feja jonë, kemi një qëllim të përbashkët për të qenë pjesë e familjes evropiane. Ajo rrugë është bërë më e vështirë dhe duhet të them se është bërë pothuajse e pamundur", tha kryeministri Mickoski.

I pyetur nëse jep shpresë deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Bullgarisë disa ditë më parë se Sofja garanton se nuk do të ketë kërkesa të reja dhe kështu vetëm Kushtetuta mbetet si pengesë, Mickoski iu referua faktit se i njëjti ministër i Jashtëm deklaroi edhe disa muaj më parë se ky është vetëm fillimi dhe se gjatë negociatave ka ende shumë gjëra që duhet të zgjidhen, finalizohen etj...

"Tani kujt t'i besojmë. Ministrit të njejtë të Punëve të Jashtme të dy ose tre muajve më parë, ose këtij tani, ose ndonjë ministri të ardhshëm, i cili do të ketë edhe ndonjë deklaratë tjetër që është për qëllime politike ditore", tha Mickoski dhe shtoi se çështja është shumë e qartë dhe nuk ka nevojë të kesh shumë përvojë politike.

Sipas kryeministrit, kjo çështje mund të ndahet në dy pjesë. Siç tha ai, qeveria e kaluar ka hyrë në këtë aventurë duke menduar se nëse do të nënshkruanin çfarëdo që t'u vihej në tryezë, do të merrnin mbështetje nga jashtë për të qëndruar në qeveri dhe kjo është shumë e thjeshtë.

"Ky ishte motivi i Mariçiqit, Kovaçevskit, supozoj edhe i Stevo Pendarovskit dhe Bujar Osmanit, etj. Pyetja është nëse ata do të qëndrojnë në pushtet dhe do të vazhdojnë me krimin me të cilin sunduan, apo nuk do të jenë në pushtet dhe do të jenë opozita aty ku janë tani. Këto ishin motivet e tyre", tha Mickoski.

Cilat janë motivet e Sofjes zyrtare, ato, theksoi kryeministri Mickoski, janë me dekada të vjetra, do të thoja historike dhe kjo është që të krijohet një identitet të ri, artificial, maqedonas. Një gjuhë e re artificiale maqedonase e bazuar në rrënjë bullgare.

"Motivi ynë është krejtësisht i ndryshëm - Maqedonia, e përbashkët e jona e maqedonasve, shqiptarëve, turqve, serbëve, vllehëve, romëve, boshnjakëve, të gjithë qytetarëve në Bashkimin Evropian me dinjitet. Ky është ndryshimi midis nesh dhe atyre", theksoi kryeministri Hristijan Mickoski. mb/

Foto: pritnskrin

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR