• e enjte, 04 dhjetor 2025

Mickoski: Mandatin tim të ri si kryetar të VMRO-DEPMNE-së do ta përkushtoj për jetë dhe kushte më të mira për çdo qytetar, do të ketë ndryshime edhe në parti

Mickoski: Mandatin tim të ri si kryetar të VMRO-DEPMNE-së do ta përkushtoj për jetë dhe kushte më të mira për çdo qytetar, do të ketë ndryshime edhe në parti

Shkup, 1 dhjetor 2025 (MIA) - Në Kongresin në Kavadar do të sillen disa dokumente strategjike, me të cilat duhet ta modelojmë ardhmërinë e partisë dhe normalisht si partia më e madhe në shtet, kjo sigurisht do të ketë efekt ndaj punës së Qeverisë, thotë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Në emisionin "360 gradë" sonte në MRT, Mickoski tha se ky është mandati i tij i tretë, duke përkujtuar se zyrtarisht e ka marrë partinë në gjendje të vështirë dhe të ndërlikuar, por ka arritur, siç tha, ta konsolidojë dhe të arrijë fitore të bindshme në zgjedhjet parlamentare, presidenciale dhe lokale.

"Zyrtarisht mora drejtimin e partisë në vitin 2018 në një situatë shumë të vështirë dhe të ndërlikuar, në rrethana shumë të vështira dhe të ndërlikuara për Maqedoninë dhe për qytetarët në përgjithësi. Nëse mandati im i parë si kryetar i VMRO-DPMNE-së shënoi një kohë konsolidimi, ristrukturimi dhe rigrupimi të radhëve të brendshme, atëherë kjo vazhdoi në mandatin e dytë, kur partia fitoi bindshëm në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, në fund të mandatit të parë fituam bindshëm në zgjedhjet lokale dhe një rikthim në pozicionin në të cilin jemi sot, me VMRO-DPMNE-në si parti më të madhe dhe bartëse e qeverisë për një vit e gjysmë", tha Mickoski.

Kryeministri tha se në këtë mandat të tretë si kryetar i VMRO-DPMNE-së pret të shënojë periudhën e reformave të mëdha dhe një jetë më të mirë për qytetarët në vend.

"Pres që mandati im i tretë në krye të VMRO-DPMNE-së të shënojë periudhën e reformave të mëdha dhe një jete më të mirë për qytetarët në vend", theksoi Mickoski dhe shtoi se do të ketë ndryshime në parti. Ende nuk kam menduar se çfarë ndryshimesh do të ketë pas kongresit. Jemi të përqëndruar në kongresin dhe në vendimet që do të marrim atje dhe në funksionimin e partisë. Por, pas kongresit do të ketë ndryshime brenda partisë, po, do të ketë", tha Mickoski.

Lidhur me emrat që përmenden për sekretar të përgjithshëm të partisë, Gjorgjija Sajkoski, Ivica Tomovski dhe Dragan Kovaçki, Mickoski tha se nuk do të komentonte, por të gjithë emrat që përmenden, janë njerëz që, tha ai, kanë lënë gjurmë brenda partisë.

Lidhur me atë nëse planifikohen ndryshime në pozicionet e nënkryetarit, Mickoski sqaroi se ende nuk ka vendim se me cilat propozime do të dalë para Komitetit Qendror - duhet së pari të përfundojë kongresi, e pastaj të merret vendim.

"Nuk kam marrë vendim përfundimtar se me cilat ide dhe me cilat propozime do të dalë para Komitetit qendror pasi të përfundojë kongresi. Në fillim hapi i parë, ta fitoj besimin e delegatëve në kongres, të jem kryetar i VMRO-DPMNE-së, e vetëm atëherë mund të flasim për hapat që do të vijojnë", tha Mickoski. bsh/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR