• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Mickoski: Letra drejtuar BE-së është duke u përgatitur, para se ta dërgoj dua të kem një pasqyrë më të qartë se ku jemi dhe çfarë mund të bëjmë

Mickoski: Letra drejtuar BE-së është duke u përgatitur, para se ta dërgoj dua të kem një pasqyrë më të qartë se ku jemi dhe çfarë mund të bëjmë

 Shkup, 12 tetor 2024 (MIA)  - Letra drejtuar BE-së është duke u përgatitur, para se ta dërgoj dua të kem një pasqyrë më të qartë se ku jemi dhe çfarë mund të bëjmë, deklaroi sot në një konferencë për shtyp kryeministri Hristijan Mickoski, në përgjigje të pyetjes se deri ku është përgatitja e letrës me të cilën do të japë ide të reja për vazhdimin e negociatave dhe nëse pret një opsion apo optimizëm ndryshe nga Unioni.

"Nuk do të pajtohesha që nuk ka optimizëm. Nuk do të pajtohesha me qëndrimin se atje nuk ka mirëkuptim për qëndrimet tona", u përgjigj Mickoski, duke shtuar se nëse nuk ndryshohet Korniza negociuese, atëherë "më së miri është të pranojmë gjithçka dhe të fshihemi". 

 "Atëherë është më mirë të pranojmë gjithçka që kërkojnë fqinjët, të fshihemi, dhe atëherë do të jemi më të lumtur. Kështu unë nuk e drejtoj politikën. Nëse dikush tjetër ka bërë kështu politikën në të kaluarën, t'i grabisë qytetarët dhe të vetëfshihet, atëherë janë mundur para 4 muajve. Letra është duke u përgatitur. Nesër do të udhëtoj për në Berlin, do të ketë një takim të Procesit të Berlinit, do të bisedoj me një numër të madh të politikanëve evropianë, para se të dërgoj letrën dua të kem një pasqyrë pak më të qartë se  deri ku mundemi dhe çfarë mund të bëjmë", tha Mickoski.

Kryeministri fundjavën e kaluar paralajmëroi se përmes kanaleve të ndryshme institucionale do të drejtohet dhe do të punojë me Komisionin Evropian dhe partnerët për të gjetur një zgjidhje dinjitoze dhe në përputhje me interesat kombëtare. 

 "Diktate, të jetë e qartë, nuk pranoj. Për këtë proces nevojitet edhe mirëkuptim nga Unioni, i cili presim të tregojë të njëjtin besim në të ardhmen evropiane të rajonit tonë si është edhe besimi ynë.  Maqedonia dhe qytetarët tanë kanë dhënë shumë dhe për një kohë të gjatë kanë qenë peng i problemeve dhe kërkesave dypalëshe. Nuk kërkoj ngushëllime dhe justifikime. Kërkoj respekt për popullin tim. Ne planifikojmë ta përfshijmë edhe opozitën në procese, kur të vijë koha për këtë. Nuk do të premtojmë gjëra që janë të paarritshme, por nuk do të anashkalojmë që ta konsultojmë opozitën dhe të kërkojmë mbështetje për përpjekjet tona. Megjithatë, synimet tona janë të përbashkëta dhe nuk kemi asnjë dyshim për këtë. Tashmë javën e ardhshme do t'u dërgoj një letër të gjithë të përfshirëve në të cilën do të informoj dhe konfirmoj vullnetin tim të qartë për dialog, reforma dhe gjetjen e një zgjidhjeje. Unë jam në dispozicion për ide dhe dialog dhe këtë të gjithë skeptikët duhet ta dinë. Tema të tilla si izolimi janë më shumë frikë dhe barrë psikologjike për skeptikët me prejardhje të ndryshme. Do vazhdojmë të ecim përpara,  i pëlqen kjo dikujt apo jo", nënvizoi Mickoski nga Ohri fundjavën e kaluar.

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR