• e premte, 04 tetor 2024

Mickoski: Kushtetuta dhe ligjet duhet të respektohen

Mickoski: Kushtetuta dhe ligjet duhet të respektohen

Shkup, 5 shtator 2024 (MIA) - Unë jam person që respektoj Kushtetutën dhe ligjet dhe nuk pres që dikush i cili merr rrogë, gëzon privilegje në kurriz të qytetarëve këtu tek ne, të mos respektojë ligjet e Maqedonisë dhe Kushtetutën e Maqedonisë, theksoi sot kryeministri Hristian Mickoski.

I pyetur për koment për Ligjin për gjuhët i cili është para Gjykatës Kushtetuese tha se nuk pret që të ketë mundësi për ndonjë destabilizim.

"Ndoshta mua më paraqet problem diçka që është bërë në periudhën e kaluar me Kushtetutën dhe sado që nuk pajtohem dhe jam kundër saj siç është shfrytëzimi "e Veriut" para emrit tonë, që është pjesë e Kushtetutës sonë, unë gjatë kryerjes së këtij funksioni do të qëndroj para asaj shenje, sepse nuk dua që në atë mënyrë të ofendoj Kushtetutën e Maqedonisë dhe ligjet e Maqedonisë. Ndonjëherë realiteti mund të mos ju pëlqejë, por atë realitet duhet ta pranoni, nëse vërtet luftoni për sundimin e ligjit", theksoi Mickoski në konferencën për media.

Sipas tij, jo gjithmonë gjërat në jetë janë ashtu siç ju dëshironi dhe kjo, siç tha, është ashpërsia e kësaj pune, të cilën e punojnë.

"Ky është rregulli i lojës, ndërsa rregulli thotë: sundimi i ligjit, respektim i ligjeve dhe respektim i kushtetutës. Këtu nuk duhet të ketë dilema lidhur me këtë pyetje. Ndërsa ajo që kam kërkuar tani dhe po kërkoj përsëri është që të mos u bëhet presion gjykatave, sado që besimi i atyre gjykatave të jetë partiak dhe i shtypur nga pushteti i kaluar i LSDM-së dhe BDI-së", theksoi Mickoski.

Në pyetjen e gazetarëve se në cilën anë peshon ligjshmëria dhe kushtetutshmëria e ligjit për gjuhët dhe vendimit politik dhe nëse mendon se duhet të thirret takim liderësh apo të mblidhet Këshilli i Sigurisë, ai përsëriti se nuk ka tregues për një kërcënim për sigurinë dhe se situata për momentin është stabile.

"Por ka struktura të caktuara në shoqëri të cilat synojnë të shkaktojnë incidente dhe destabilizim për të mbrojtur krimin e tyre të kapitalit të fituar. Nëse kjo ndodh, ne kemi ndërmend të reagojmë shumë objektivisht dhe me shumë vendosmëri për të mbrojtur situatën e sigurisë në atdheun tonë", tha Mickoski. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR