Mickoski: Javën e ardhshme do të kemi takim përfundimtar me Taravarin, Qeveria është e qëndrueshme dhe e fokusuar në projekte
- Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se Qeveria është e qëndrueshme, ka shumicë dërrmuese dhe është e fokusuar në agjendën e reformave dhe zbatimin e projekteve. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme pritet një takim përfundimtar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, në të cilin do të përmblidhet gjithçka që është bërë.
- Post By Lindita Sulejmani
- 14:06, 11 maj, 2025
Shkup, 11 maj 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se Qeveria është e qëndrueshme, ka shumicë dërrmuese dhe është e fokusuar në agjendën e reformave dhe zbatimin e projekteve. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme pritet një takim përfundimtar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, në të cilin do të përmblidhet gjithçka që është bërë.
"Mendoj se z.Taravari dhe disa njerëz përreth tij janë të vendosur të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Mund t’i uroj vetëm fat dhe shpresoj që javën tjetër të kemi një takim përfundimtar, ku do të përmbledhim atë që është bërë. Mbi të gjitha, mund t'i uroj shëndet të mirë, kjo është ajo që është më e rëndësishme për të gjithë ne", tha Mickoski sot pasi mbikëqyrjes së aktiviteteve ndërtimore të kopshtit për fëmijë në Inxhikovë, në Komunën e Gazi Babës, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.
Ai tha se ky është vendim i Taravarit për t’u rikthyer me Ali Ahmetin, por nuk është vendim i anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët dhe i një pjese të madhe të njerëzve që janë pjesë e Qeverisë.
"Më duhet të them se më e pakta që prisja ishte që ai të kthehej në përqafimin e Ali Ahmetit dhe të tjerëve, por ky është megjithatë vendimi i tij. Jam i bindur se ky është një vendim i pak njerëzve, jo një vendim i anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët dhe i një pjese të madhe të njerëzve që janë pjesë e kësaj Qeverie. Ishte e ndershme dhe e virtytshme që ta bënte vetë këtë, jo ta tërheqë për hunde qeverinë dhe qytetarët, por ngadalë por me siguri po bëhet e qartë se ai po kthehet në përqafimin e të gjithë atyre që për më shumë se dy dekada e kanë shkatërruar, kriminalizuar, grabitur dhe e kanë gjunjëzuar Maqedoninë", tha Mickoski.
I pyetur nëse po bisedon me parti të tjera për t’u bashkuar me Qeverinë, Mickoski përsëriti edhe një herë se Qeveria është e qëndrueshme dhe ka një shumicë të fortë në Parlament.
"Pres që këtë javë të pi një kafe të fundit me Taravarin. Unë do ta ftoj, sigurisht. Qeveria është e qëndrueshme, e fortë dhe ka një shumicë të fortë në Parlament, për të vazhduar me procesin e reformave, procesin e projekteve dhe për t'u ofruar qytetarëve atë që qytetarët presin nga ne", tha Mickoski.
Më 5 maj, Mickoski dhe Taravari patën një takim, i cili ishte caktuar pas trazirave në koalicionin “Vlen” dhe pretendimeve për bashkëpunim të Taravarit me BDI-në. Siç informoi në atë kohë shërbimi për shtyp i qeverisë për MIA-n, takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, ndërsa gjatë këtij muaji do të dihet e ardhmja e funksionimit të ASH-së. ls/
Foto: Printskrin