• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski: Forca jonë është në unitetin dhe stabilitetin përmes forcimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe BE-në

Mickoski: Forca jonë është në unitetin dhe stabilitetin përmes forcimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe BE-në

Shkup, 1 korrik 2025 (MIA) - Forca jonë qëndron në unitetin dhe stabilitetin përmes forcimit të marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe Bashkimin Evropian, përmes hapjes së tregjeve të reja, vendeve të reja të punës, miqësive të reja, heqjes së barrierave në tregti, përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e investimeve, tha kryeministri Hristijan Mickoski sot në hapjen e samitit të liderëve BE-së dhe Ballkanit Perëndimor kushtuar Planit të rritjes i cili është një mundësi për të vlerësuar progresin e arritur dhe definimin e hapave të ardhshëm për të forcuar integrimin evropian të rajonit.

"Po ndjekim reformat që nënkuptojnë qeverisje më të mirë dhe energji më të pastër, drejtësi më të drejtë dhe biznese të forta. Po dëshmojmë se ndryshimi është i mundur kur punojmë së bashku me vendosmëri dhe vizion", theksoi Mickoski.

Duke iu referuar asaj se Maqedonia është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që përfundoi marrëveshjen e parafinancimit në kuadër të Planit të rritjes, Mickoski theksoi se ky është një refleksion i besimit që gëzojmë në aspektin e angazhimit tonë, përkushtimit, sundimit të ligjit dhe modernizimit ekonomik, duke dhënë një shembull për fqinjët tanë dhe duke përshpejtuar rrugën tonë drejt BE-së.

"Kjo rrugë evropiane u përket të gjithë qytetarëve, të gjitha bizneseve, çdo komuniteti, të jemi të gjithë pjesë e këtij transformimi. Kredibiliteti i Planit të BE-së bazohet në përmbushjen e premtimeve dhe ofrimin e përfitimeve, qytetarët duhet t'i ndiejnë përfitimet e integrimit tani në bizneset e tyre, në institucione, në jetën e përditshme. Të gjithë kemi një të ardhme të përbashkët dhe për të siguruar unitetin dhe stabilitetin duhet të punojmë së bashku si fqinjë, si partnerë, si rajon. Së bashku mund të ndërtojmë një rajon të fortë dhe të lidhur që është prosperues, gjithëpërfshirës dhe evropian", ka thënë Mickoski.

Ai theksoi se Ballkani Perëndimor është pjesë vitale e së tashmes evropiane dhe thelbësore për të ardhmen e saj. Kjo, shtoi ai, është një rajon i pasur me potencial dhe ambicie i cili shpesh vihet nën hije nga narrativat e përçarjes dhe vonesave.

"Ky Sami i kushtohet një vizioni të përbashkët, një vizioni ku rriten investimet, lulëzon inovacioni dhe integrimi krijon mundësi që janë të kapshme për të gjithë, një vizion ku Ballkani Perëndimor nuk është më një dhomë pritje, por një rajon që lëviz, rritet dhe evoluon. Si qeveri, ky vizion na udhëzon në çdo hap që ndërmarrim, në përpjekjet tona të përbashkëta për reforma dhe bashkëpunimin rajonal", ka thënë Mickoski.

Ai shtoi se si qeveri, kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm, nga përshpejtimi i kalimeve kufitare deri te bashkëngjitja në sistemin e pagesave SEPA.

"Jemi të përkushtuar në harmonizimin me standardet e BE-së, nga siguria e produktit deri te identiteti digjital. Këto përpjekje nënvizojnë angazhimin tonë për integrim më të thellë dhe sigurojnë standarde më të larta për qytetarët dhe partnerët tanë", shtoi Mickoski.

Në samitin, nikoqir i së cilës është kryeministri Mickoski, marrin pjesë eurokomisarja për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë së mirë, Marta Kos dhe liderët nga Ballkani Perëndimor, si dhe ministra, përfaqësues të lartë nga Bashkimi Evropian, organizata rajonale dhe institucione ndërkombëtare.

QËNDRONI TË LIDHUR