• e premte, 05 dhjetor 2025

Mickoski: Fondacioni Konrad Adenauer është ambasadori i idesë demokratike

Mickoski: Fondacioni Konrad Adenauer është ambasadori i idesë demokratike

Shkup, 27 maj 2025 (MIA) - Fondacioni Konrad Adenauer është ambasador i idesë demokratike. Kjo është një dëshmi se vlerat mund të udhëtojnë përtej kufijve, përtej brezave dhe vështirësive, dhe të rrënjosin stabilitet, dialog dhe shpresë, tha sonte kryeministri Hristijan Mickoski.

Në fjalimin e tij në pritjen ceremoniale me rastin e 25 vjetorit të punës së Fondacionit Konrad Adenauer në vend, Mickoski kujtoi fjalët e kancelarit gjerman Konrad Adenauer, sipas të cilit historia nuk ndryshohet me fjalë, por me vepra, ndërsa veprat fillojnë me vizion dhe guxim.

"Paqja nuk është vetëm mungesa e luftës, por edhe prania e drejtësisë, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor. Ky mendim sot është më aktual se kurdoherë, në një botë ku demokracia është nën presion, ku po ngrihen mure të reja dhe ku vlerat e vjetra po vihen në pikëpyetje. Na duhen institucione që do të mbeten të forta, na duhen aleanca që nuk bazohen në interes, por në ideale, Fondacioni Konrad Adenauer është pikërisht një aleat i tillë", theksoi Mickoski.

Sipas tij, që kur shoqëria jonë po përballej me tranzicion, pasiguri ekonomike dhe politike, Fondacioni ka qenë i pranishëm me trajnime, debate publike, mbështetje për organizatat e shoqërisë civile dhe edukimin e të rinjve, duke vepruar me respekt, mirëkuptim dhe gatishmëri për të ndërtuar dhe dëgjuar.

Para kryeministrit Mickoski në pritje u drejtua kreu i Fondacionit Konrad Adenauer, Daniel Braun, i cili tha se Fondacioni vitet e fundit ka punuar për të mbështetur integrimin evropian dhe shoqërinë demokratike në Maqedoninë e Veriut.

"Besoj se në Maqedoninë e Veriut kemi arritur të ndërtojmë respekt të ndërsjellë, marrëdhënie të ndershme dhe konstruktive me të gjithë, përfshirë edhe ata që kanë pikëpamje të ndryshme nga tonat. Edhe pse nuk jemi diplomatë, ne jemi ambasadorë të vendit dhe i japim atij dukshmëri", theksoi Braun.

Në pritjen, e cila po mbahet në Muzeun e Luftës maqedonase për pavarësi në Shkup, janë të pranishëm kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, zyrtarë të lartë qeveritarë dhe përfaqësues të trupit diplomatik. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR