Mickoski: Ekspertët na thonin se zjarri në Trubarevë do të shuhet për të paktën 7 ditë, ne e shuam për më pak se 30 orë
- Zjarri në Trubarevë është shuar dhe nuk ka tym që nga dita e djeshme. Edhe pse ekspertët na thanë se do të na duheshin shtatë ditë për ta shuar, ne e bëmë këtë për 30 orë falë koordinimit të institucioneve dhe zjarrfikësve, thotë kryeministri Hristijan Mickoski.
Shkup, 15 shtator 2025 (MIA) - Zjarri në Trubarevë është shuar dhe nuk ka tym që nga dita e djeshme. Edhe pse ekspertët na thanë se do të na duheshin shtatë ditë për ta shuar, ne e bëmë këtë për 30 orë falë koordinimit të institucioneve dhe zjarrfikësve, thotë kryeministri Hristijan Mickoski.
"Në Trubarevë nuk ka tym që nga dita e djeshme, ndërsa nëse ktheheni nga dita e parë dhe bëni një analizë, atëherë do të merrni informacion nga ana e personave të autorizuar për këtë qëllim në të cilin ata thanë atëherë se do të duheshin të paktën 7 deri në 10 ditë për të vënë gjithçka nën kontroll, por me aktivitet të organizuar të institucioneve së bashku me zjarrfikësit, situata u vu nën kontroll për më pak se 30 orë, gjegjësisht më nuk kishte më tym", theksoi kryeministri Mickoski në pjesën "Tema e Ditës" në Ditarin e TV Sitel, duke folur për zhvillimet e fundit me zjarret në deponitë.
Theksoi se beson se në Trubarevë puna është e përfunduar dhe se është shtruar një shtresë e dheut për të mbuluar mbeturinat që digjeshin dhe se tani situata është stabilizuar, ndërkohë që parametrat e ndotjes janë larg nga ato që opozita, përmes spekulimeve dhe të pavërtetave, përpiqet t’i shpërndajë në opinion dhe se nuk janë kërcënuese për jetën siç mundohet dikush t'i thotë, duke nënvizuar se këtë nuk e thotë për ta justifikuar zjarrin, por për të qetësuar dhe siguruar qytetarët, sepse ajo të cilën përpiqet ta bëjë opozita është të sjellë shqetësim, ndërsa realiteti është krejtësisht tjetër.
"Në Vardarishtë, aty kemi tashmë një agjenci e cila e siguron perimetrin e deponisë, e cila ka filluar të krijohet menjëherë pas tërmetit në Shkup, që do të thotë se ky është një problem më shumë se 5 dekadash. Dhe përfundimisht mbetet Drislla, sot jam në kontakt me njerëzit që atje po përpiqen ta zgjidhin problemin dhe diku rreth 95 për qind është ulur tymi dhe pres që gjatë ditës së nesërme edhe atje situata të zgjidhet plotësisht. Kështu që mund të them se me veprim të përbashkët të institucioneve, këto tre vatra janë zgjidhur edhe pse asnjëra prej tyre nuk është kompetencë e shtetit, posaçërisht këtu e kam fjalën për Drisllën", theksoi kryeministri Mickoski.
Në lidhje me përgjegjësinë, kryeministri Mickoski theksoi se për këtë qëllim rreth dhjetë persona nga udhëheqësia e Drisllës janë thirrur për bisedë në SPB Shkup, po analizohen deklaratat e tyre dhe gjithashtu pritet që gjatë ditës së nesërme të japin dëshmi se si në momentet kur ndodhin zjarret një pjesë e pajisjeve të Drisllës shkon në servis dhe mbetet e papërgatitur për sfidat dhe se si njerëzit marrin pushim mjekësor, ndërkohë që aktivistë të afërt me LSDM-në dhe BDI-në e vizitojnë Drisllën.
"Prandaj e gjithë kjo në periudhën që vjen do të hetohet dhe nëse ndonjë mendon se do të kalojë pa u ndëshkuar, atëherë gabon. Sa i përket Trubarevës, atje katër persona janë arrestuar dhe janë në paraburgim, e njëjta ndodh edhe me të arrestuarit për Vardarishten, për të cilët është caktuar paraburgim“, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri shtoi se nga Ministria e Mjedisit Jetësor është dhënë urdhër për inspektoratin të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në të gjitha deponitë që kanë licencë, nëse ata punojnë sipas ligjit, nëse jo t’u tërhiqet leja, ndërsa për deponitë ilegale janë angazhuar komunat që t’i pastrojnë.
Foto: Printskrin