• e premte, 22 nëntor 2024

Mickoski: BDI-ja dalëngadalë, por sigurtë po përshtatet të jetë në opozitë, u dëshiroj ditë opozitare, ku do të reformohen

Mickoski: BDI-ja dalëngadalë, por sigurtë po përshtatet të jetë në opozitë, u dëshiroj ditë opozitare, ku do të reformohen

Shkup, 3 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se bukuria e demokracisë është në mendimet më ndryshe, si dhe në mundësinë për shprehjen e tyre në mënyrë të qetë dhe demokratike. Duke u përqëndruar në paralajmërimet e "Frontit Evropian" për protesta gjatë periudhës së ardhshme, si dhe në pohimet e tyre se nuk po tentojnë të bëjnë destabilizim, kryeministri tha se nëse ato protesta janë të qeta, e tërë kjo është në kuadër të proceseve demokratike, por nëse kalojnë në dhunë, atëherë organet kompetente duhet t'i mbrojnë institucionet. Shtoi se gjatë periudhës që vijon, me kujdes do të ndjek se si do të zhvillohen punët, e pastaj do të japin komente.

"Tentimet e para për destabilizim dukshëm janë zbuluar dhe tani kalojmë në retorikë më të butë - do të protestojmë. Unë kam thënë shumë herë në të kaluarën se protestat demokratike dhe të qeta janë vegël demokratike dhe këtu askush nuk ka asgjë kundër. Kjo është zgjedhja e tyre, zgjedhje e një grupi të qytetarëve, të cilët janë të pakënaqur nga diçka dhe nëse e zgjedhin këtë vegël, ata mund ta shfrytëzojnë. Derisa ato janë të qeta dhe demokratike, ne nuk kemi asgjë kundër, kjo është bukuria e demokracisë, ne të kemi mendime më ndryshe, nuk mund të kemi mendimet të njëjta për gjithçka. Por nëse ato protesta nga të qeta, demokratike, kalojnë në dhunë, atëherë ne duhet t'i mbrojmë institucionet tona, gjë që është normale dhe pritet nga një qeveri. Këtu po ashtu nuk duhet të jemi të befasuar. Ashtu që, ja në periudhën që vijon të shohim se si do të zhvillohen punët, e pastaj të komentojmë", deklaroi Mickoski pas promovimit të aparatit të ri për rezonancë magnetike në poliklinikën "Idadia", ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.

Nga "Fronti Evropian" dje në ngjarjen kushtuar 100 ditëve të punës së Qeverisë, u paralajmërua se ata nuk kanë për qëllim ta destabilizojnë shtetin, por se për çdo ditë do të mbajnë konferenca për shtyp, ku, siç tha lideri i BDI-së, do t'i potencojnë "skandalet dhe dështimet e Qeverisë", ndërsa kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, shtoi se nga "Fronti Evropian" nuk do të ketë destabilizim, por protesta.

Lidhur me porosinë, të cilin dje po ashtu e prezantoi Ahmeti, se "Fronti Evropian" nuk synon të bëhet pjesë e koalicionit qeveritar, por dërgon thirrje që “Vlen” të kalojë në opozitë, Mickoski theksoi se BDI-ja "dalëngadalë, por sigurtë po përshtatet të jetë në opozitë" dhe dëshiron që kohën derisa është në opozitë ta shfrytëzojë për reformim.

"BDI-ja dalëngadalë, por sigurtë po përshtatet si parti opozitare. Më vjen keq që udhëheqësia e BDI-së dhe Ali Ahmeti e krahasuan partinë e tyre dhe anëtarët me gomë rezervë, kam pritur kreativitet më të madh. Por, kjo është ajo që është. U dëshiroj ditë më të mira, ku do të reformohen, ta gjejnë identitetin e tyre programor, po ashtu në mënyrë kadrovike të reformohen me kuadro të reja të freskëta, e ndoshta në disa nga zgjedhjet e ardhshme të paraqiten me një qasje tjetër nga ajo që e kemi parë në 20 vitet e kaluara, qasje ku qëllimi kryesor ishte sa më shumë të vidhet, qëllimi kryesor ishte sa më shumë t'u bëhen gjëra të këqija qytetarëve", tha Mickoski.

Lidhur me kërkesën e Ahmetit për t'u zbatuar veting për të gjithë funksionarët në 30 vitet e fundit, Mickoski u përgjigj se konsideron se me largimin e BDI-së në opozitë, ky lloj humori dhe satire ka marrë fund.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për deklaratën e Ahmetit se "Vlen" duhet të dalë nga Qeveria, shkurt u përgjigj se lideri i BDI-së dalëngadalë po përshtatet të jetë në opozitë.

"Zoti Ahmeti mendoj se dalëngadal po përshtatet në opozitë. Shpresoj se do të përshtatet edhe më mirë, ashtu që mendoj se vetëm duhet përshtatje, asgjë tjetër", tha Taravari. bsh/

Foto: Qeveri

QËNDRONI TË LIDHUR