• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA shënon 26 vjet punë

MIA shënon 26 vjet punë

Shkup, 30 shtator 2024 (MIA) - Agjencia Informative Mediatike - MIA sot shënon 26 vjet nga puna e saj aktive.

Lajmin e parë MIA e emetoi më 30 shtator 1998, me të cilin filloi prodhimi i rregullt i informacioneve për mediat dhe qytetarët e vendit, fillimisht me fotografi dhe tekst, ndërsa sot me transmetim video të drejtpërdrejt, shprehje të plotë multimediale dhe prezencë në mediat sociale.

MIA është servis publik informativ, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në shkurt të vitit 1992. Punën e saj e filloi me njëzetë gazetarë, ndërsa sot i ka rreth një qind persona të angazhuar, gazetarë, korrespondentë, kameramanë, fotoreporterë, shërbime profesionale dhe logjistikë. 

MIA është agjenci lider në Maqedoninë e Veriut, e cila sipas hulumtimeve të fundit mbulon 65 për qind të hapësirës mediatike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shfrytëzohet nga mediat tradicionale dhe onllajn, organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

Gjatë tetë viteve të kaluara Agjencia zbatoi reforma serioze, si organizative, ashtu edhe programore, ndërsa gjatë këtyre viteve punohet edhe në ndryshimin e legjislacionit të Agjencisë. 

Në tryezën e rrumbullakët që u mbajt vitin e kaluar për zgjidhjet për promovimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë së MIA-s me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe të huaj dhe përfaqësuesve të institucioneve përkatëse, rezultoi me rekomandime për Qeverinë për një pozicionim më të mirë të Agjencisë në hapësirën mediatike dhe garantimin e stabilitetit dhe pavarësisë financiare të saj.

Tryeza e rrymbullakët u organizua dhe u mbështet nga Misioni i OSBE-së në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues të MIA-s, ekspertë të huaj dhe vendorë, përfaqësues të Misionit të OSBE-së, Delegacionit të Komisionit Evropian, përfaqësues i Zyrës së kryeministrit, të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë, Komisionit Ligjvënës-Juridik në kuadër të Kuvendit, KSHPK, SHGM, SPGPM, ASHMAA.

Nevoja për pozicionim më të mirë të MIA-s doli nga rekomandimi i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, i cili në fund të vitit 2021 Qeverisë dhe të gjitha institucioneve relevante i rekomandoi që ta rregullojnë statusin e MIA-s me ligj të veçantë.

MIA ka prodhim ditor të rreth 400 lajmeve dhe produkteve të tjera mediatike në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze. Në tetë vitet e fundit risi ka qenë videoservisi, por edhe transmetimet e drejtpërdrejta, të cilat janë mbështetje serioze e punës së mediave të tjera, si dhe mundësi për gjithë publikun për informim burimor.

MIA prodhon informacione ditore, tekste autoriale - intervista, storje, analiza, tema, nënservise speciale tematike, klip për institucionet ndërkombëtare, pako informative ditore dhe javore, flash lajme, si dhe video dhe fotoservis.

Në përputhje me funksionalitetin multimedial, MIA publikon informacionet e saj, ngjarjet ditore, tekstet e autoriale - intervista, tema, storje dhe analiza dhe transmetime të drejtpërdrejta në faqen e saj dhe në kanalin në jutjub, si dhe përmes transmetimit të drejtpërdrejtë të videove në ueb faqen e saj dhe në profilin në Fejsbuk, Instagram dhe Tuiter.

MIA ka bashkëpunim me mbi 50 agjenci rajonale dhe botërore dhe shpërndarje ditore të produkteve mediatike të serviseve të MIA-s në institucionet vendore, evropiane dhe botërore. Parapagues të MIA-s janë të gjitha televizionet relevante dhe me ndikim, mediat elektronike dhe të shkruara në vend, ambasadat e Maqedonisë jashtë vendit, përfaqësitë dhe misionet e huaja diplomatike dhe të tjera në Maqedoninë e Veriut, si dhe mediat e mërgimtarëve tanë jashtë vendit.

MIA ka nënshkruar marrëveshje për shkëmbimin e lajmeve dhe produkteve mediatike me të gjitha agjencitë shtetërore në rajon, si dhe me disa agjenci private nga fqinjësia. Është gjithashtu pjesë e grupeve të informacionit të: Dojçe Vele (Gjermani), Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, ANSA (Itali), STA (Slloveni), HINA (Kroaci), BTA (Bullgari), ANA-MPA (Greqi), ATA (Shqipëri), ANADOLIA (Turqi), APA (Austri), EFE (Spanjë), MINA (Mali i Zi), FENA dhe SRNA (BiH), AGERPRES (Rumani), TANJUG (Serbi), FONET (Serbi), BGNES (Bullgari ), UKRINFORM (Ukrainë), gjithashtu bashkëpunon me agjencitë kryesore të lajmeve - Agjencia Evropiane e Fotografive EPA, DPA gjermane, servisi publik britanik Bi-bi-si, ai kinez SINHUA.

Në interes të arsimimit mediatik, MIA ka filluar edhe Shkollën saj të gazetarisë përmes së cilës kontribuon në arsimimin mediatik dhe trajnimin e gazetarëve të rinj nga mediat tjera, si dhe studentëve të fakulteteve që dëshirojnë të hyjnë në profesionin e gazetarisë. Shkolla filloi më 26 shkurt 2020 dhe atëherë rreth 30 gazetarë me përvojë nga Agjencia dhe media të tjera, gazetarë fillestarë dhe studentë të gazetarisë u trajnuan për të mbuluar tema që lidhen me Bashkimin Evropian, politikat e BE-së, procesin e negociatave të një vendi kandidat. Shkolla e agjencisë pezulloi përkohësisht punën e saj për shkak të pandemisë Kovid-19 dhe e ripërtëriu në vitin 2021 me trajnime për gazetarët mbi mbrojtjen e të dhënave personale, me fokus të veçantë në Ligjin e ri të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (AMDHP).

MIA në bashkëpunim me AFP dhe DPA  është pjesë e Redaksisë Evropiane të Lajmeve. Standarde shumë profesionale gazetareske, informimi në kohë dhe i saktë, lufta kundër lajmeve të rreme, si dhe bashkëpunimi më i ngushtë i ndërsjellë mes gazetarëve për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me BE-në dhe që janë në interes të Evropës është synimi i redaksisë evropiane të lajmeve, e cila përfshin 18 agjenci evropiane duke përfshirë dhe MIA-n.

MIA vitin e ardhshëm do të jetë nikoqire e Asamblesë së 33-të të Përgjithshme të Asociacionit të Agjencive Ballkanike të Lajmeve – Evropa Juglindore (ABNA-SEE), për të cilën vendimi është marrë në Asamblenë e 32-të të Përgjithshme të mbajtur në Stamboll nga 3 deri më 6 shtator, organizuar nga agjencia turke kombëtare e lajmeve Anadollia. Në ABNA-SEE, përveç MIA-s, janë edhe agjencitë e lajmeve ATA, Anadolia, FENA, BTA, HINA, CNA, ANA-MPA, Kosova Press, MINA, Agerpress dhe ANSA.

MIA me përvojën dhe profesionalizimin e saj mbetet e përcaktuar fuqishëm që të punojë në interes të publikut me informacione në kohë, të verifikuara dhe të sakta dhe në luftën vendimtare kundër lajmeve të rreme. 

Gjatë 26 viteve të kaluara, MIA si kroniste më pedante e ngjarjeve në Maqedoni, rajon dhe ngjarjeve botërore  posedon bazë më vëllimore të të dhënave, informacioneve, fotografive dhe videove, të cilat shfrytëzohen edhe nga publiku shkencor dhe institucionet ndërkombëtare për analizat  dhe punimet e saja. fc/
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR