• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 2 gusht/ 2024

Shkup - Me një sërë ceremonish dhe manifestimesh nën slloganin "Lufta vazhdon", sot u shënua 121 vjetori i Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës dhe 80 vjetori i mbledhjes të Parë të KAÇKM-së. Manifestimi qendror për shënimin e Ilindenit - Ditës së Republikës do të mbahet në Krushevë të Gumenjës dhe në vendin e Meçkin Kamen, ku do të mbajë fjalën kryeministri Hristijan Mickoski, i cili paraprakisht do të vendosë lule në varrin e Nikolla Karevit, në monumentin e Slivës dhe në Meçkin Kamen.

Krushevë - Me ngritjen e flamurit të Republikës, me gjuajtjen simbolike të topit të qershisë dhe me leximin e Manifestit të Krushevës, u hapën solemnisht në Gumenje të Krushevës takimet kulturore-shkencore "10 ditë Republika e Krushevës" me të cilën filluan festimet për Ilindenin e madh dhe 121-vjetorin e Kryengritjes së Ilindenit dhe Republikës së Krushevës. Në ceremoni, përveç  mysafirëve, mori pjesë edhe kryeministri Hristijan Mickoski.

Krushevë - Me respekt, përkulje, kurora dhe lule të freskëta në vendprehjen e përjetshme të presidentit të Republikës së Krushevës Nikolla Karev në monumentin "Makedonium" në Krushevë filluan festimet e festës për 121 vjetorin e Kryengritjes së Ilindenit dhe republikës së parë të Ballkanit, Republika e Krushevës. 

Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dërgoi një mesazh urimi me rastin e 2 gushtit, Ilindenit - Ditës së Republikës, duke theksuar se në këtë festë të dritës kujtojmë luftën për republikë të lirë maqedonase që filloi nga populli i Ilindenit dhe vazhdoi nga pjesëmarrësit në luftën nacionalçlirimtare dhe antifashiste.

Kumanovë - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot ka vendosur lule para pllakës përkujtimore të KAÇKM-së në manastirin "Shën Prohor Pçinski" me rastin e festimit të 2 Gushtit - Ditës së Republikës. Presidenten Siljanovska Davkova e ka pritur presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas çka së bashkju e kanë vizituar manastirin "Shën Prohor Pçinjski".

Kumanovë - Beteja për të rinjtë, për më të mirët dhe më të talentuarit. Beteja për diturinë kundrejt injorancës, për përsosmëri kundrejt mediokritetit, për kreativitet kundrejt destruktivitetit, për mbrojtjen e pyjeve tona, të jetës dhe pronave të qytetarëve tanë nga stuhitë e zjarrit është beteja për Republikën e katërt maqedonase, tha sot Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në festimin e 2 Gushtit - Ilindenit, Ditës së Republikës në Pelincë.

Shkup - Ilindeni nuk është vetëm një tregim historik ose ëndërr historike, por para se gjithash një e vërtetë historike. Ilindeni është thirrja jonë më e fortë për veprim dhe unitet sot. Ilindeni është thirrje për të gjithë ne - të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat tona, për kulturën tonë, për lirinë tonë, porosit kryeministri Hristijan Mickoski në një postim në profilin e tij në Fejsbuk.

Shkup - Ilindeni është thelbi i vizionit, bashkimit, guximit, një kujtesë e vlerave të përbashkëta rreth bashkimit, të cilat i festojmë dhe kremtojmë. Në këto 30 vjet, ne kemi mësuar se e kaluara mbahet mend dhe ka të bëjë me të ardhmen. Uniteti ynë është pasuria jonë më e madhe dhe përmes këtij uniteti do të arrijmë madhështinë. Të ngrihemi mbi situatën dhe të gjejmë faktorë të bashkimit në vend të përçarjes, tha sot kryetari i Kuvendit Afrim Gashi me rastin e 2 gushtit, Ditës së Republikës - Ilindenit.

Shkup - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, të gjithë qytetarëve, pjesëtarëve të Armatës, të punësuarve në Ministrinë e Mbrojtjes ua uroi festën e 2 Gushtit - Ilindenin. "Simboli i rezistencës sonë, i vendosmërisë sonë për të jetuar të lirë në paqe dhe unitet, është festa jonë më e madhe - Ilindeni. Ilindeni është themeli i ynë për pavarësi. Trashëgimia e heronjve tanë nga kryengritja e Ilindenit është një udhërrëfyes që duhet ta ndjekim dhe të krijojmë një të ardhme me prosperitet për fëmijët tanë", thotë Misajllovski në urimin.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot, me rastin e Ilindenit mbajti fjalim para qytetarëve dhe delegacioneve të pranishëm në Smilevën historike, ku siç tha, ilindenasit para 121 viteve e sollën flakën e lirisë.  "Sot në këtë ditë të shenjtë – 2 Gushti, në ditën e Ilindenit tonë të madh, u mblodhëm në Smilevë, në zemër të luftës revolucionare maqedonase.  Pikërisht këtu, 121 vjet më parë, të parët tanë trima e sollën flakën e lirisë dhe ndezën shkëndijën e Kryengritjes së Ilindenit", tha Toshkovski.

Shkup - Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe sot në nder të 2 Gushtit - Ilindeni, vendosi lule para monumentit të presidentit të Republikës së Krushevës", Nikolla Karev, para monumentit të KAÇKM-së dhe para monumentit të kryetarit të presidiumit të KAÇKM-së "Metodija Andonov Çento" në sheshin "Maqedonia" në Shkup. Ai në një deklaratë për media uroi dy Ilindenët, duke theksuar se përmbushja e amanetit të shtetformuesve nga Ilindeni dhe KAÇKM është lufta jonë e sotme për Maqedoninë.

Shkup - Në fshatin Tërnovë sot do të mbahet mbledhja e 53-të mbarëmaqedonase “Tërnovo 2024”, me rastin e festës së Ilindenit dhe festës së Republikës, në të cilën, siç njofton Matrica e mërgimtarëve të Maqedonisë, priten maqedonas nga të gjitha anët e vendit dhe nga diaspora. Takimi mbarëmaqedonas do të mbahet nga ora 10:30 deri në orën 12:30 në oborrin e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, ku më parë, nga ora 07:30 deri në 22:30 do të mbahet shërbesë e shenjtë.

Shkup - Unë nuk jam njeriu që mund të them saktësisht se çfarë ka ndodhur. Vetëm kam ndërhyrë për të qetësuar situatën, që të mos bëhet incident diplomatik dhe mendoj se gjithçka përfundoi siç duhej. Nëse dikush ka tejkaluar autorizimet e tij, me siguri duhet të mbajë përgjegjësi. Sigurimi im shkoi për të qetësuar situatën. Angazhimi im gjithmonë ka qenë dhe do të jetë që të qetësohemi, të bashkohemi dhe të punojmë së bashku për të gjithë qytetarët, tha sot kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, në pyetjen e gazetarit për rastin e mbrëmshëm në Aeroportin e Shkupit.

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme me rastin e shënimit të festës shtetërore 2 Gushti - Ilindeni, i cili tradicionalisht shënohet në Krushevë, i njofton qytetarët se për shkak të kryerjes së punëve ndërtimore për rehabilitim në rrugën rajonale P-1306, aksi rrugor Prilep-Krushevë, rruga është mbyllur për komunikacion në pjesën nga fshati Konjare e Epërme deri në fshatin Krivogishtan.

Shkup - Ministria e Punëve të Brendshme informon se sot Departamenti për Punë Civile, përkatësisht të gjitha njësitë rajonale në kuadër të Departamentit, si dhe pikat në objektet e RTVM dhe "Beko" në Shkup do të punojnë në lëshimin e dokumenteve të gatshme personale të qytetarëve (pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferi).

Shkup - Operatori i Aeroportit ndërkombëtar të Shkupit TAV Maqedoni kategorikisht i hedh posht informatat se i punësuari i tyre nga reparti i sigurimit ka tentuar t'ia marrë celularin presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë kontrollit të djeshëm në VIP-sallonin e Aeroportit ndërkombëtar Shkup. "Telefoni iu kërkua me qëllim që t'i nënshtrohet skriningut obligativ të sigurisë përmes aparatit pëlr rentgen. Në pajtim me Dokumentin 30 (doc.30) të ESAS dhe Porgramit kombëtar pr siguri të aviacionit civil, të gjitha udhëtarët, bagazhi i kabinës dhe sendet e tyre personale, me të cilët udhëtojnë në fluturim komercial, janë lëndë e kontrollit të sigurisë.Nëse nuk harmonizohemi me këto rregulla, piloti i fluturimit do ta refuzojë hyrjen në aeroplan të udhëtarit", njoftojnë nga TAV Maqedoni.

Shkup - Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti procedurë kundër një personi për shkak të dyshimeve se ka kryer vepër penale - Grabitje e rëndë sipas nenit 236 paragrafi 1 pika 1 e Kodit Penal. Siç kumtoi PTHP, dyshimet tregojnë se veprën e ka kryer në bashkëpunim me një person tjetër i cili është identifikuar dhe i cili është në kërkim.

Shkup - Sektori i Punëve të Brendshme Shkup gjatë ditës së djeshme (01.08.2024) ka vazhduar me kontrollimet e përforcuara në trafik. Vetëm në territorin e qytetit të Shkupit gjatë ditës së djeshme janë shqiptuar gjithsej 131 kundërvajtje, prej të cilave njëzet e pesë sanksione për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, dhjetë sanksione për drejtimin e automjetit pa patentë shoferi, tre sanksione për shoferët e motoçikletave.

Shkup - Nëpunësit policorë të Njësitit për Tregti të Paligjshme pranë SPB Shkup dhe Departamentit të Policisë Kriminalistike, dje në orën 12:30 në Shkup, në zonën e Karposhit nga liria  privuan N.G (26) dhe S.J. (25) nga Shkupi. Siç informojnë nga MPB, gjatë kontrollit të kryer në bazë të urdhëresës paraprake të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, në banesën ku ka qenë duke qëndruar S.J janë gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe të holla.

Shkup -  Bashkimi Demokratik për integrim dënon fuqishëm incidentin skandaloz diplomatik në aeroportin e Shkupit ndaj Presidentës së Republikës së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani. Siç thuhet në kumtesën e BDI-së, kjo pasqyrë e shtetit ndaj çdo qytetari, e në veçanti ndaj përfaqësuesve më të lartë të shtetit, e në këtë rast motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova, është e papranueshme dhe duhet dënuar në formën më të ashpër. 

Shkup - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti përmes fejsbukut ka reaguar pas skandalit diplomatik në aeroportin e Shkupit ndaj presidentës së Kosovës Vjosa Osmani. “E dashur Presidente, më vjen shumë keq për incidentin dhe skandalin e papranueshëm diplomatik në aeroportin e Shkupit dhe e dënoj në formën më të ashpër të mundshme. Unë skuqem nga turpi i tyre dhe lus të gjithë vëllezërit dhe motrat në Kosovë, por edhe qytetarët tanë, që t'i falin për arsye se nuk dijnë se ç’bëjnë.

Strumicë - Në vendkalimin kufitar Bogorodicë janë hapur pesë korsi për dalje nga shteti dhe pesë korsi për hyrje në shtet. Nga ana e MPB-së, ndërmerren të gjitha masat dhe në funksion janë vendosur të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike që të përshpejtohet kalimi i udhëtarëve, kuptohet me zbatimin e kontrolleve të obliguara kufitare. Për dalje nga shteti pritet rreth një orë, informuan për MIA-n sot nga MPB.

Prishtinë - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës ka shprehur shqetësim për shkak të incidentit të mbrëmshëm që i ka ndodhur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit, për të cilin thotë se ka filluar të grumbullojë informata për rastin, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina. Duke e quajtur jodinjitoze sjelljen e sigurimit të aeroportit ndaj Osmanit, MPJ-ja e Kosovës në kumteësn e sotme njofton se ka kërkuar sqarime shtesë lidhur me incidentin nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë dhe MPJ-ja e Maqedonisë së Veriut.

Prishtinë - Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Xhefri Hovenier, deklaroi se vendet e të ashtuquajturit grupi Kuinti, në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës mbi lumin Ibër, e cila lidh dy pjesët e qytetit të ndarë të Mitrovicës - ai jugor i banuar me shumicë shqiptare dhe veriu i banuar me shumicë serbe, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Ankara - Turqia e bllokoi qasjen në platformën Instagram, njoftoi sot rregullatori për infoteknologji, pa e saktësuar arsyen ose kohëzgjatjen e ndalesës, që e la të paarritshëm edhe aplikacionin celular të platformës.  Ky gjest vijoi pas komenteve të zyrtarit turk për komunikime, Fahretin Altun, prej para dy ditësh, kur e kritikoi platformën për vendimin e saj të bllokojë mesazhet ngushëlluese për vrasjen e Ismail Hanias, liderit të grupit palestinez Hamas.

Kiev - Samiti i dytë paqësor global për Ukrainën do të mbahet në vendin e jugut global, ndoshta në Lindjen e Mesme, në një përpjekje për të treguar "unitet botëror" në kushte të pushtimit aktual rus të Ukrainës, deklaroi shefi i Kabinetit të presidentit të Ukrainës, Andrij Jermak. Aktualisht nuk dihet lokacioni i saktë i samitit dhe korniza kohore, por burime në Qeverinë ukrainase pohojnë se vendi planifikon të konvokojë një samit të dytë paqësor para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, në nëntor të vitit 2024, shkruan "Kiev Indipendent".

Kiev - Rusia i dorëzoi trupat e 250-të ushtarëve të vrarë, të cilët e kanë humbur jetën në luftimet në rajonin lindor të vendit, kumtuan sot autoritetet në Kiev, njofton DPA. Ushtarët janë vrarë në Bahmut, Marinka, Avdijivka, Mariupol dhe vendet tjera në rajonin ukrainas Donjeck, të okupuar nga Rusia, kumtoi Shtabi koordinativ për trajtim të të burgosurve të luftës.

Bruksel - Eurokomisarja për Punë të Brendshme e Bashkimit Evropian, Ilva Johanson, dje e paralajmëroi Hungarinë se vendimi i saj për lehtësimin e kufizimit të vizave për rusët dhe bjellorusët paraqet kërcënim potencial të sigurisë dhe tha se do të ndërmarrë masa nëse nuk zgjidhet brenga e saj.

Bruksel- Pas kërkesës së dërguar për ndihmë nga Maqedonia e Veriut, Gjermania dhe Suedia mobilizuan nga dy aeroplanë të flotës së BE-së të destinuar për ballafaqim me zjarret-ReskBE, ndërsa kjo ndihmë ishte plotësuar me helikopterë nga flota e stacionuar në Çeki dhe me nga një helikopter nga Sllovenia dhe Serbia, kumtoi sot Komisioni Evropian.

Bruksel - Komisioni Evropian angazhohet për përmirësimin e veglave lidhur me zbatimin e Ligjit për shërbime digjitale të BE-së (DSA), para së gjithash në pjesën e kufizimit të përhapjes së dezinformatave, mbrojtjes së të miturve nga dhuna dhe përmbajtjet joadekuate dhe rregullimi i ndikimit të personaliteteve të njohur në rrjetet sociale dhe ueb faqet.

Uashington - Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohën sot kandidatin e opozitës Edmund Gonzalez, kundërshtarin kryesor të presidentit të Venezuelës, Nikollas Maduro, si fitues të zgjedhjeve presidenciale, duke hedhur poshtë shpalljen e fitores së Maduros. "Duke pasur parasysh provat e bindshme, është e qartë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe më e rëndësishmja, për popullin e Venezuelës, se Edmundo Gonzalez Urutia fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e mbajtura më 28 korrik", tha sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken, raportuan mediat britanike.

Uashington - Presidenti amerikan Xho Bajden mbrëmë deklaroi se vrasja e liderit të grupit islamik palestinez Hamas, Ismail Hanija, nuk është e dobishme për armëpushim në luftën në Gaza. Bajdeni deklaroi se paraprakisht dje kishte bisedë direkte me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Uashington - Shtabi i fushatës parazgjedhore të kandidates presidenciale amerikane, Kamala Haris, sot kumtoi se në korrik ka mbledhur donacione prej 310 milionë dollarë. Vlera që demokratët mblodhën në korrik është më shumë se dyfishi prej 138,7 milionë dollarë që i mblodhi shtabi i Donald Tramp.

Abuxha - Të paktën 13 protestues  humbën jetën mbrëmë në protestat e mëdha në Nigeri të organizuara për shkak të krizës ekonomike në këtë vend afrikan, kumtoi sot Amnesti interneshënall. Autoritetet konfirmuan se katër persona kanë humbur jetën në shpërthimin e një bombe, ndërsa qindra janë arrestuar në protestat që çuan në orë policore në disa shtete federale.

Shkup - Moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, pasdite me vranësira të vogla deri në mesatare. Në pjesët veriore do të ketë paraqitje lokale të jostabilitetit me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe kushte për stuhi të shkurtër. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 10 deri 20 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 33 deri në 40 gradë. UV=9.

QËNDRONI TË LIDHUR