• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 10 qershor/ 2023

Shkup - Pas kritikave të ambasadorit holandez në vend, Dirk Jan Kop, për korrupsionin dhe gjyqësinë, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, në një intervistë për MIA-n zbuloi se Holanda do të dërgojë ekspertin e saj në grupin punues që do të krijojë udhërrëfyesin për sundimin e së drejtës.

Shkup - Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq, në një intervistë për MIA-n, thotë se pret që raportet e BE-së për skriningun për harmonizimin e legjislacionit të jenë para Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian këtë verë, ndërsa  në fazën e konsultimeve  në Komisionin Evropian janë raporti për skriningun e Klasterit të parë - Vlerat themelore dhe të Klasterit të dytë - Tregu i brendshëm.

Shkup - Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, në kuadër të vizitës së saj në SHBA, mbrëmë mbajti fjalim në ceremoninë e shënimit të partneritetit 30-të vjeçar të Armatës sonë dhe Gardës Kombëtare të Vermontit.

Shkup - Oda e noterëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut do të mbajë seancë solemne me rastin e shënimit të "25 vjetorit të noteriatit të Maqedonisë". Në shënimin solemn janë ftuar përfaqësues nga institucione të rëndësishme dhe organe gjyqësore, përfaqësues nga noteriati ballkanik, të gjithë noterët. Siç është paralajmëruar, në seancë do të mbajnë fjalime kryetari i Odës së noterëve, Mastodija Ristoski dhe ministri i Drejtësisë Krenar Lloga. 

Shkup - Maturantët sot nga ora 10:00 do t'i nënshtrohen provimit të dytë ekstern. Është zgjedhor dhe ata mund të zgjedhin një nga shtatë lëndët e ofruara. Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve, si vitet e kaluara, më të regjistruarit (13.922) janë për provimin e gjuhës angleze, 1.397 për matematikën, 29 për gjuhën frenge, 122 për gjuhën gjermane, 17 për atë ruse, 81 për estetikë dhe për filozofi do të kenë provim shtatë nxënës.

Shkup - Është ideja e Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, që të organizohet një takim në të cilin do të marrin pjesë tre vendet e Kaukazit Jugor - Azerbajxhani, Armenia dhe Gjeorgjia, për të menduar për mënyrat e shfrytëzimit të mundësive për bashkëpunim rajonal dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tri vendeve, thotë në një intervistë ekskluzive për MIA, i dërguari special i presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliev, Elçin Amirbajov, i cili ishte për vizitë në vend.

Shkup - Në organizim të Institutit francez në Shkup sot në mesditë në Parkun e Qytetit, te Guaska, do të mbahet ngjarje gastronomike "Shijoje ushqimin francez". "Kjo ngjarje është e natyrës së hapur dhe synon të sjellë gastronominë franceze më afër audiencës së vendit përmes specialiteteve simbolike të Francës”, tha organizatori.

Shkup - Në organizim të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave në bashkëpunim të ngushtë me ministritë kompetente të Shqipërisë dhe Serbisë, sot në Klubin e deputetëve në Shkup, do të mbahet një prezantim i panairit më të madh rajonal të verës dhe historisë së suksesshme të verës Wine Vision by Open Balkan. 

Shkup - Në NP "Lajka" sot do të mbahet ditë e hapur për strehim dhe shoqërim me qentë nga stacioni i pranimit, në periudhën prej orës 11 deri në 14:00. "Këtë të shtunë do të keni mundësinë të takoni qentë që presin të gjejnë shtëpinë e tyre, të shëtisin në strehimoren tonë, të takoni punonjësit që do t'ju ndihmojnë të zgjidhni manarin tuaj të ri dhe t'ju fusin në procesin e adoptimit", thonë nga "Lajka" në ftesë.

Shkup - Ministria e PunëVe të Brendshme rreptësisht i demanton gënjeshtrat e publikuara nga ana e partisë VMRO-DPMNE për ndikimin e drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, Sasho Tasevski në rastin e nëpunësit policor të sulmuar, dhe për kinse involvim të djalit të tij. 

Shkup - Nëpunës policorë të Njësisë për Tregti të Palejuar pranë Stacionit Policor në Koçan e kanë privuar nga liria I.R. (36) nga Koçani. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, e kryer me urdhër gjyqësor, është gjetur dhe sekuestruar marihuanë. Pas dokumentimit të plotë të rastit kundër tij do të parashtrohet kallëzim përkatës. 

Shkup - Në kuadër të kontrolleve të zbatuara të policisë në komunikacion gjatë ditës së djeshme në territorin e Qytetit të Shkupit janë shqiptuar gjithsej 172 masa, informoi sot MPB-ja. Nga numri i përgjithshëm i sanksioeve të shqiptuara 28 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 19 sanksione për ngasjen e automjetit pa patentë shoferë, ndërsa 15 sanksione për shoferët e motoçikletave.

Tiranë - Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave të marra për projektstatutin e propozuar prej tij për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Përmes një postimi në "Tuiter", Rama vlerëson se "ata që kritikojnë kanë frikë se mos humbasin armikun që u krijon një kusht ekzistencial për të folur dhe për t’u sjellë sikur janë në llogore".

Ankara - Pesë punëtorë humbën jetën në një shpërthim në fabrikën për raketa dhe mjete shpërthyese në periferi të Ankarasë, njoftoi Ministria turke e Mbrojtjes. Shpërthimi ka ndodhur herët në mëngjes në lagjen Elmadag, në periferi të Ankarasë.

Londër - Ish kryeministri britanik Boris Xhonson ka dhënë dorëheqjen si deputet i Parlamentit, duke hyrë në fuqi menjëherë. Xhonson ka luftuar për të ardhmen e tij politike me një hetim parlamentar nëse ai mashtroi Dhomën e Poshtme kur tha se po respektohen të gjitha rregullat e futura për shkak të Kovid-19.

Berlin - Hetuesit gjermanë  hetojnë material dëshmues që sugjeron se diversantët e "Rrjedhës Veriore" kanë përdorë Poloninë si bazë për të sulmuar gazsjellës në Detin Baltik. Hetuesit gjermanë plotësisht e kanë rikosntruktuar udhëtimin dyjavor të jahtit "Andromeda" 15 metra , i cili dyshohet se është përdorur në sabotimin e gazsjellësit që furnizon Evropën me gaz rus, shkruan  gazeta amerikane "Uolllstrit zhurnal". 

Odesa - Tre persona u vranë dhe të paktën 10 u plagosën në sulmin e mëngjesit të sotëm me dron nga forcat ruse në rajonin ukrainas të Odesës, njoftoi Komanda Jugore e Ukrainës. Një ndërtesë e lartë u godit nga sulmi, duke shkaktuar një zjarr që është shuar. Vala shpërthyese ka dëmtuar edhe objektet e banimit përreth. Forcat ruse përdorën dronë të prodhuar nga Irani në sulmin ndaj rajonit, ndërsa të gjithë u shkatërruan nga forcat ukrainase, thuhet në raport.

Herson - Rrjedha jugore e lumit Dnjepar me siguri do të kthehet në nivelin e bregut të tij deri më 16 qershor, pasi këtë javë u hosh në erë diga Kahovka, e cila shkaktoi përmbytje të mëdha në rajonin Herson, deklaroi sot përfaqësuesi lokal i emëruar nga Moska, Vladimir Saldo.

Bogota - Katër fëmijë nga një komunitet indigjen në Kolumbi janë gjetur të gjallë në jug të vendit më shumë se pesë javë pasi aeroplani me të cilin po udhëtonin u rrëzua në një xhungël të dendur, tha dje presidenti kolumbian Gustavo Petro. Fëmijët u shpëtuan nga ushtria pranë kufirit midis provincave kolumbiane Kaketa dhe Guaviare, afër vendit ku u rrëzua aeroplani i vogël.

Havana - Qeveria kolumbiane dhe rebelët e majtë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) nënshkruan një marrëveshje të përkohshme armëpushimi gjashtëmujore në Havanë. Marrëveshja e "armëpushimit dypalësh kombëtar dhe të përkohshëm", sipas ministrit të Jashtëm kuban Bruno Rodrigez, u nënshkrua në prani të presidentit kolumbian Gustavo Petro dhe liderit të ELN Antonio Garsia.

San Francisko - Policia e San Franciskos kumtoi se nëntë persona u plagosën në qarkun Mision, pas të shtënave me makinë në drejtim të tyre mbrëmë. Të shtënat kanë ndodhur rreth orës 21 sipas kohës lokale.

Nju-Jork - Përfaqësuesi kryesor i KB-së për ndihmë humanitare, Martin Grifits, sot paralajmëroi se shembja e digës Kahovka edhe më shumë do ta vështirësojë  jetën e ukrainasve.  Nënsekretari Grifits deklaroi se rreth 700.000 persona kanë nevojë për ujë të pijshëm.

Stamboll - Në Stadiumin Olimpik "Ataturk" në Stamboll (Turqi) sonte në orën 21:00 do të mbahet finalja e Ligës së Kampionëve të futbollit. Për trofeun e vlefshëm në kompeticionin elitar do të luftojnë Interi dhe Mançester Siti.

Shkup - Moti sot do të jetë pjesërisht i vranët, ndërsa nga mesdita do të jetë i paqëndrueshëm me reshje lokale të rrëmbyeshëm shiu, bubullima dhe erë të fortë. Në disa vende, proceset do të jenë më intensive në formën e një stuhie me reshje të dendura shiu, erë të fortë dhe dukuri të izoluar breshëri. Temperatura maksimale do të lëvizë nga 23 deri në 30 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR