18:00 / 26 gusht / 2025
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me delegacionet nga Qeveria, Kuvendi, komunat dhe drejtoritë vendosën kurorë lulesh pranë Pllakës përkujtimore në qendër të Shkupit, të nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, për nder të 115-vjetorit të lindjes së saj. Mexhiti, siç thuhet në kumtesën e Zyres për komunikim pranë Ministrisë, pas ceremonisë tha se në 115-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë - Gonxhe Bojaxhiut, që lindi në Shkupin tonë, kujtojmë një nga figurat më të ndritura të njerëzimit, misionaren e dashurisë, nobelistën e paqes.
Shkup - Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti sot deklaroi se Prokuroria duhet të hap një çështje në lidhje me gjetjet në raportin e Entit Shtetëror për Revizion për, siç theksohet, të shpenzuara rreth dy milionë euro pa dokumentacion të duhur për organizimin e Samitit të OSBE-së në Shkup, kur Bujar Osmani ishte ministër i Punëve të Jashtme. "Po, sepse kështu është parashikuar dhe zyrtarisht. Domethënë kur të konstatoj Enti Shtetëror për Revizion, Prokuroria duhet të hap një çështje të tillë, por gjithsesi ne do ta nxisim atë. Por, asgjë e re për Osmanin, që do të thotë kudo ka qenë, ka abuzuar...Vetëm ai e di se si mund të shpenzohen një milion euro brenda një dite për një makinë të marrë me qira në një Maqedoni të vogël. Këto ditë dëgjojmë se shefi i tij i kabinetit, i mëparshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Memexhaku, megjithëse në opozitë, po keqpërdor mejlet zyrtare për fushatën, ndërsa mund ta imagjinoni kur ata janë në pushtet", theksoi Mexhiti në deklaratën e dhënë pas shënimit të 115 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, i pyetur nëse pret që Prokuroria të hap çështje në lidhje me gjetjet e ESHR-së lidhur me organizimin e Samitit të OSBE-së.
Shkup - Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) sot kumtoi se që nga shkurti, pas prezantimit të shërbimit të ri digjital "E-certifikatë e të ardhurave të fituara", janë lëshuar 5.688 certifikata me çka është kursyer kohë të konsiderueshme si për qytetarët ashtu edhe për nëpunësit e DAP-it. Përveç kësaj, siç informon DAP-i, është modernizuar edhe shërbimi për lëshimin e "Certifikatave për gjendjen e tatimeve", me të cilin të gjitha kërkesat e paraqitura në tre muajt e fundit përpunohen në kohën e duhur dhe certifikatat lëshohen në afat prej maksimum pesë ditë kalendarik.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Muçunski sot, në kuadër të vizitës së tij dyditore pune në Bruksel, realizoi takim me Komisioneren Evropiane për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Marta Kos. Siç informoi ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski dhe Kos theksuan mbështetjen e fortë për zgjerimin e Unionit, si nga vendet anëtare ashtu edhe nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut, gjë që konfirmohet edhe nga gjetjet e "Eurobarometrit" të fundit.
Shkup - Koalicioni VLEN sot deri në PTHP ka ngritur kallëzim kundër Bujar Osmanit pasi revizorët konstatuan se mbi 120 milion denarë janë shpenzuar për Samitin e OSBE-së pa dokumentin dhe evidentim derisa ishte ministër i Punëve të Jashtëm. VLEN-i sot ka ngritu kallëzim deri te Prokuroria Publike që të veprohet lidhur me raportin negativ të Entit Shtetëror të Revizionit gjatë kohës kur ministër ishte Bujar Osmani. Revizorët konstatuan se mbi 120 milionë denarë u shpenzuan për Samitin e OSBE-së pa dokumentacion të duhur dhe evidencë. Kjo ngre dyshime serioze për mungesë transparence dhe keqpërdorim të fondeve publike. Nuk ka dëshmi se ku janë shpenzuar paratë. Prokuroria Publike duhet të hetojë. Kjo nuk është hera e parë. Edhe si ministër i Shëndetësisë, Osmani ka pasur raport negativ, ndërsa institucionet e kanë amnistuar. Sot nuk do të lejojmë të shohim të njëjtin skenar ku gjyqësori dhe prokuroria heshtin. Qytetarët meritojnë llogaridhënie dhe drejtësi. VLEN nuk do të heshtë", theksoi Granit Osmani nga VLEN-i në konferencën e sotme për mediat para Prokurorisë Publike.
Shkup - Shtetas të huaj u arrestuan mbrëmë në vendkalimin kufitar "Tabanocë" për posedim të një lëndë pluhurore të bardhë dhe tabletave, informuan sot nga ministria e Punëve të Brendshme. "Dje rreth orës 19:00, në vendkalimin kufitar "Tabanocë" në hyrje të shtetit, nëpunësit policorë i privuan nga liria O.J. (32) nga Hungaria dhe A.B. (37) nga Serbia. Gjatë verifikimit kufitar dhe kontrollit në automjetin "Tojota" me regjistrim kombëtar hungarez, të cilin e drejtonte O.J., ndërsa bashkudhëtarë ishin A.B. dhe një person tjetër nga Hungaria, në bagazhin personal të O.J. u gjetën dhe u sekuestruan disa pako me lëndë pluhurore të bardhë, një shishe me lëndë pluhurore të bardhë dhe një kuti me 31 kapsula. Ndërsa, në bagazhin personal të bashkudhëtarit A.B. u gjetën disa pako me lëndë pluhurore të bardhë dhe tableta", sqarojnë nga MPB-ja.
Shkup - Në Kuvend sot iu nda çmimi shtetëror "Nëna Tereza" fituesve të këtij viti doc. dr. Irfan Ahmetit nga Klinika e Endokrinologjisë dhe Borçe Stamenovit nga Iniciativa "Dhuro një kompjuter". Çmimi u ndahet për arritje veçanërisht të rëndësishme me interes për shtetin në fushën e humanizmit dhe solidaritetit njerëzor dhe për inkurajimin, promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe zhvillimin e bashkëpunimit, si midis kombeve ashtu edhe midis anëtarëve të komuniteteve, kulturave dhe feve të ndryshme.
Shkup - Qeveria përmes Ministrisë së Transportit vazhdon me aktivitetin e fuqishëm për ndërtimin e mëtejshëm të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Republikës së Bullgarisë, informuan pasdite nga shërbimi për shtyp i qeverisë. "Pas takimit në nivel të lartë mes zëvendëskryeministrit dhe ministër i transportit Aleksandar Nikolloski dhe zëvendëskryeministrit dhe ministrit të transportit të Bullgarisë, Grozdan Karaxhov, e më tej edhe grupeve punuese nga të dyja vendet, po konkretizohen aktivitetet për ndërtimin e fazës së tretë të hekurudhës nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, si dhe ndërtimi i tunelit si pikë kufitare. Në kuadër të këtyre aktiviteteve, sot Qeveria në mbledhje miratoi vendim për realizimin e Marrëveshjes për grant për mbështetje teknike në vlerë prej 3,7 milionë euro të siguruara nga Banka Evropiane e Investimeve", shkruan në kumtesën.
Prishtinë – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku deklaroi sot se zgjedhja e Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit të Kosovës është një fitore e injorancës dhe një gabim i pafalshëm i mbështetësve të tij. "Ky është niveli i tyre. Kështu e projektojnë Republikën. Me këto vlera, ata vendosën të respektojnë votuesit dhe popullin e Kosovës. LDK ka më shumë peshë. Kosova duhet të ketë më shumë peshë. Fatkeqësitë dhe triumfet politike të injorancës historike do të tejkalohen. Një ditë do të vijë drita", shkroi Abdixhiku në Fejsbuk.
Beograd - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot bisedoi në telefon me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov për situatën në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, si dhe për përforcimin e bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Moskës. Në një publikim në Instagram, Vuçiqi shkroi se me shefin e diplomacisë para së gjithash biseduan për situatën politike në rajon dhe krizën e shkaktuar nga, siç theksoi, "sulmet e vazhdueshme ndaj Republikës Srpskës nga jashtë".
Bruksel - Bashkimi Evropian ka të drejtën sovrane për të rregulluar ekonominë dhe teknologjinë, publikoi sot Komisioni Evropian si përgjigje e kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Tramp, se do të vendos masa shtesë doganore për vendet për të cilat ai pretendon se po kërcënojnë kompanitë amerikane të teknologjisë. Brukseli hodhi poshtë akuzën se kompanitë amerikane ishin shënjestër e rregullave digjitale. Taksat ose ligjet për shërbimet digjitale, si dhe rregulloret për tregjet digjitale, janë të dizajnuara për të diskriminuar ose dëmtuar teknologjinë amerikane, shkroi Trampi mbrëmë në platformën e tij "Trut soushll" (Truth social) pa e përmendur BE-në.
Hamburg - Zjarrfikësit sot shuan plotësisht zjarrin e madh që shkaktoi dje shembjen e pjesshme të një depoje në portin e qytetit gjerman Hamburg, kumtuan autoritetet lokale. Rreth 120 zjarrfikës punuan për të shuar vatrat e fundit të zjarrit, kurse një zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve konfirmoi se "zjarri në sallën e madhe është shuar plotësisht".
Villnus - Parlamenti i Lituanisë sot e konfirmoi Inga Ruginienen nga Partia Socialdemokrate si kryeministre të re, pas dorëheqjes së ish-kryeministrit në korrik për shkak të hetimit për keqpërdorime të mundshme financiare. "Dëshira ime më e madhe është të qëndroj përsëri para jush në fund të mandatit tim dhe të them se së bashku kemi arritur diçka të rëndësishme", deklaroi para deputetëve Ruginiene, një ish-lidere sindikate dhe ministre për siguri sociale.
Berlin - Kancelari gjerman Fridrih Merc sot e akuzoi Moskën për "strategjinë e shtyrjes" kur bëhet fjalë për arritjen e marrëveshjes së paqes me Ukrainën. Në takimin me presidentin kanadez Mark Karni në Berlin, ai tha se presidenti rus Vladimir Putini me qëllim e ka shtyrë takimin me Volodimir Zelenskin i cili kishte për qëllim t'i japë fund luftës. "Putini mendon se është e drejtë që ky takim të lidhet me parakushte të cilat, nga perspektiva e Ukrainës, dhe gjithashtu nga ajo e jona dhe pikëpamja ime personale, janë krejtësisht të papranueshme", tha Merc.
Teheran - Irani sot kumtoi se "me të gjitha forcat" po negocion për të parandaluar evropianët përsëri të vendosin sanksione ndërkombëtare, të parashkuara me marrëveshjen bërthamore të vitit 2025. "Prioriteti ynë është të parandalojmë çdo veprim ose incident që mund t'i kushtojë shtrenjtë vendit", deklaroi zëdhënësi i ministrisë iraniane të Punëve të Jashtme, Esmail Begaj, përpara bisedimeve të planifikuara për sot në Gjenevë me përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë.
Tel Aviv - Demonstrues në Izrael sot kanë djegur goma dhe kanë bllokuar autostrada, duke kërkuar armëpushim, i cili do të mundësonte lirimin e pengjëve tjerë në Gazë. Protestat po mbahen derisa liderët izraelitë po përgatisin ofensivë të re kundër Hamasit, për të cilën thonë se "është e domosdoshme për shkatërrimin e organizatës". Palestinezët në Gazë, të cilët ballafaqohen me shpërngulje, shkatërrime dhe uri, po përgatiten për valë të re të sulmeve izraelite. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu paralajmëroi se do të mbahet takim i kabinetit, edhe pse nuk është e qartë nëse do të bisedohet për armëpushim të mundshëm.