15:00 / 20 prill / 2026
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot më një takim me shefat e misioneve të vendeve anëtare të BE-së e prezantoi progresin në zbatimin e Agjendës së Reformave 2024–2027. Siç bëjnë të ditur nga Kabineti i ministrit për Çështje Evropiane, nga gjithsej 21 hapa reformues të dorëzuar, për 16 pritet vlerësim pozitiv, që mund të mundësojë lirimin e rreth 70 milionë eurove mbështetje financiare. Njoftojnë se u theksua progresi në fusha kyçe si menaxhimi i financave publike, tranzicioni energjetik, kapitali njerëzor dhe mjedisi i biznesit, duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes dhe përafrimin me standardet e BE-së. Njëkohësisht, u theksua se mbeten sfida, veçanërisht në reformat komplekse ligjore dhe hapat brenda periudhës së grace-it. Qeveria po forcon koordinimin dhe bashkëpunimin me Komisionin Evropian.
Shkup - Dëshmitarja Ana Zaharieva, e cila ishte nikoçire në "Puls" në Koçan në ngjarjen kritike, në seancën e sotme për zjarrin, në të cilin vdiqën 63 persona, ndërsa u lënduan mbi 200, në sallën e gjyqit në "Idrizovë" deklaroi se në mbrëmjen e 16 marsit, në diskotekë kishte shumë të ftuar, përfshirë edhe të mitur, dhe se në diskotekë më parë ishin përdorur spërkatës. Dëshmitarja potencoi se në "Puls" kishte shkuar që kur ishte 17-18 vjeç pothuajse çdo fundjavë. "Atë natë arrita rreth orës 12 dhe bleva një biletë. Ia dhashë rojes së sigurisë dhe ata e vulosën dhe hyra brenda. Isha me shoqëri", tha Zaharieva.
Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi sot ia uroi fitoren në zgjedhjet parlamentare Rumen Radevit dhe shfaqi shpresë se prëfundimisht në Bullgari do të ketë Qeveri stabile dhe do të mbyllen çështjet e hapura mes Sofjes dhe Shkupit. "Normalisht se për ne si shtet është në dobi të kemi Qeveri stabile politike në Sofje. Në mënyrë që t'i mbyllim çështjet e hapura. E dini se kjo Qeveri prej fillimit ka angazhim të qartë se rruga evropiane është pjesë e agjendës dhe prioritetit tonë. Por, gjithsesi, dilemat për të cilat tashmë është e qartë cilat janë, duhej t'i zgjidhnim së bashku me Qeverinë politike në Bullgari", theksoi Gashi, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.
Shkup - Federata e Futbollit të Maqedonisë ka vendosur të pezullojë terrenin në stadiumin "Baskimi" në Kumanovë pas incidentit në ndeshjen e djeshme me Struga Trim Lum. Njëkohësisht, kundër KF Bashkimi 1947 Kumanovë dhe personit Burak Hida është ngritur procedurë disiplinore, ndërsa lënda po dorëzohet për procedurë të mëtejshme Komisionit disiplinor të FFM-së. "Federata e Futbollit e Maqedonisë dënon ashpër të gjitha format e dhunës dhe sjelljes së keqe dhe do të vazhdojë të zbatojë me konsistencë rregulloret me qëllim mbrojtjen e integritetit të garës dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, thuhet në kumtesën e FFM-së.
Prishtinë - Qeveria e Kosovës e ka shpallur sot si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Kryeministri Albin Kurti tha se "përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut. Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit", theksoi Kurti. Ai e përshkroi IRGC-në si "strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal dhe global".
Sofje - Partia Progresive e Bullgarisë së Rumen Radevit, sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të publikuara në orën 13 sipas kohës lokale, gjatë përpunimit 98,33 për qind të protokolleve të përpunuara fitoi 44,67 për qind ose 1,42 milionë vota. Ai është fituesi i zgjedhjeve dhe konsiderohet se ka mandatet parlamentare për të formuar një qeveri i vetëm. E dyta është GERB-SDS e Bojko Borisovit, me 13,37 për qind të votave (424.967), PP-DB ka 12,75 për qind (405.281), e katërta është DPS-Fillimi i Ri i Deljan Peevskit me 6,85 për qind ose 217.910 vota dhe e fundit është Rilindja e Kostadin Kostadinovit me 4,3 për qind të votave ose 136.170 vota.
Tokio - Tërmet me magnitudë prej 7,5 ballë e ka goditur ujërat në afërsi të Japonisë verilindore, duke shkaktuar paralajmërim për cunami në disa zona bregdetare. Agjencia japoneze e Meteorologjisë njoftoi se tërmeti ka ndodh në ora 16:53 (07:53 GMT) në afërsi të bregut të rajonit Sanriku, në thellësi prej 10 kilometrave, transmeton DPA.
Nju Delhi - Të paktën 25 persona kanl vdekur, ndërsa katër të tjerë janë plagosur rëndë në një shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në shtetin jugor indian Tamil Nadu, kumtuan personat zyrtarë. Shpërthimi ndodhi mbrëmë në Virudhunagar, një fabrikë piroteknike e cila supozohej të mbyllej, por në atë kohë brenda ndodheshin rreth 50 punëtorë, njofton Bi-Bi-Si. Një shpërthim i dytë në të njëjtën fabrikë ndodhi ndërsa operacionet e shpëtimit ishin në zhvillim e sipër, pas çka u lënduan 13 persona të tjerë, megjithëse askush nuk pësoi djegie serioze.
Teheran - Irani nuk ka plane për raund të ri negociatash me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi sot zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme. "Nuk është sjellë asnjë vendim lidhur me këtë çështje", tha zëdhënësi Esmail Bagai në konferencën për shtyp në Teheran, transmetoi DPA. Ndërprerja e zjarrit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, që hyri në fuqi më 8 prill, duhet të skadojë të mërkurën, me ç'rast hapat e ardhshëm tani për tani nuk janë të qartë. Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dje deklaroi se përfaqësuesit amerikanë sot do të arrijnë në Islamabad për bisedime të mëtutjeshme.
Uashington - Qeveria e SHBA-së e ka ripërtërirë lejen për blerjen e naftës së sanksionuar ruse, e ngarkuar në tanker edhe për një muaj, sipas dokumentit të publikuar në ueb faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. Zyra për kontrollin e mjeteve të huaja (OFAC) e Ministrisë së Financave të SHBA-së ka dhënë leje të re të premten, sipas të cilës nafta ruse dhe produktet e naftër të ngarkuara në tanke deri më 17 prilll mund të blihen deri më 16 maj, thuhet në dokument. Transaksionet me Iranin, Kubën dhe Korenë Veriore përjashtohen nga kjo leje.