18:00 / 11 gusht / 2025
Shkup - Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), me qëllim që të informojë në kohë dhe në mënyrë transparente të gjitha institucionet shtetërore, partitë politike, pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, si dhe opinionin, për ligjshmërinë e përdorimit dhe disponimit me mjetet buxhetore, në përputhje me Ligjin për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesave dhe Kodin Zgjedhor, sot dërgoi udhëzime për situatat e mëposhtme për periudhën nga dita e vendimit për shpalljen e Zgjedhjeve Lokale në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2025 deri në përfundimin e zgjedhjeve për zgjedhjen e kryetarit të komunës ose anëtarëve të këshillit, përkatësisht deri në konstituimin e këshillit të komunave dhe qytetit të Shkupit.
Shkup - Në lidhje me konferencën e sotme për shtyp të Odës së Stomatologëve, Ministria e Shëndetësisë edhe një herë thekson se vendimi është marrë mbi bazë faktesh, argumentesh dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve relevantë në proces. Vendimi është rezultat i një analize të gjatë dhe gjithëpërfshirëse nga disa ekspertë, theksohet në kumtesën e sotme të Ministrisë së Shëndetësisë. "Kujtojmë se këtij procesi i ka paraprirë një masë e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, e ndjekur më pas nga një vendim përfundimtar i së njëjtës institucion me të cilin ndalohej zbatimi i akteve dhe veprimeve individuale. Për më tepër, pavarësisht masës së përkohshme, Oda ka vazhduar me edukimin e vazhdueshëm. Paralelisht, në mbështetje të këtij vendimi është edhe raporti i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit", shkruan në kumtesën.
Shkup - Disa gjetje të rralla të materialit të lëvizshëm arkeologjik, si dhe mbetje arkitekturore - një shtëpi me furrë brenda dhe një strukturë tjetër që mund të ketë shërbyer për ruajtjen e drithërave, janë zbuluar në kërkimet e fundit sistematike arkeologjike në vendbanimin neolitik të Tumba Maxhari në vendbanimin Çento në komunën e Gazi Babës. Përveç kësaj, u gjetën edhe fragmente të reja të skulpturave të famshme qeramike që përshkruajnë Nënën e Madhe, për të cilat ky vend është i famshëm, të vendosura pothuajse tetë kilometra nga qendra e kryeqytetit tonë. Shkupi është ndër qytetet e rralla në botë që ka një vendndodhje arkeologjike nga Epoka e hershme e Gurit - Neoliti, nga fillimi i mijëvjeçarit të 6-të para Krishtit, pra 8000 vjet më parë dhe ku ka kushte optimale për aktivitete shkencore dhe arsimore, si dhe për turizëm kulturor.
Shkup - Në Manastir dhe rrethinë pasdite është ndjerë tërmet me epiqendër në Greqi. Siç informon Observatori Sizmologjik në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, tërmeti u regjistrua në orën 13 e 7 minuta me magnitudë prej 3.9 ballë sipas shkallës Rihter dhe epiqendër e cila vjen nga Greqia, 165 kilometra në jugperëndim të Shkupit.
Romë - Ministri italian i Mbrojtjes, Gvido Krozeto, sot deklaroi se hapat e fundit të Izraelit në Rripin e Gazës janë të papranueshme dhe se qeveria e vendit ka "humbur mençurinë dhe njerëzoren". "Nuk përballemi me operacion ushtarak me dëme kolaterale, por me refuzim të qartë për të respektuar të drejtat dhe vlerat themelore të civilizimit. Ne jemi të përkushtuar për të ofruar ndihmë humanitare, por tani duhet të gjejmë një mënyrë për ta bërë kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahun të mendojë qartë, e jo vetëm të dënojë", tha Krozeto në intervistën për "Stampan" italiane.
Paris - Presidenti francez Emanuel Makron sot ka dënuar ashpër planet e Izraelit për të intensifikuar operacionin e tij ushtarak në Gazë, duke i vlerësuar si katastrofë në përgatitje dhe propozoi një koalicion ndërkombëtar me mandat nga Kombet e Bashkuara për stabilizimin e Gazës. Kabineti izraelit për siguri miratoi javën e kaluar një plan për të marrë kontrollin ndaj qytetit të Gazës në përpjekje për të zgjeruar operacionet e saj ushtarake në territorin e shkatërruar palestinez, duke marrë kritika të ashpra brenda dhe jashtë vendit.
Gjenevë - Komesari i lartë i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut e ka dënuar vrasjen e gjashtë gazetarëve palestinezë nga ana e forcave izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës, thuhet në kumtesën e publikuar në "Iks". Pesë gazetarë të Al Xheziras u vranë, si dhe një gazetar honorar, i cili bashkëpunonte herë pas here me mediat lokale dhe ndodhej në të njëjtën tendë, e cila u shënjestrua nga aramata izraelite. Komesari i lartë i KB-së akuzoi Izraelin për "shënjestrimin e tendës" ku ishin vendosur punonjësit e Al Xhezirës, që, siç është thënë, përfaqëson "shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar".
Baku - Azerbajxhani do të sigurojë ndihmë humanitare për Ukrainën sipas urdhrit të nënshkruar nga presidenti Ilham Aliev. Dokumenti thekson angazhimin e Azerbajxhanit në parimet humanitare, si dhe rolin e tij aktiv në sigurimin e ndihmës për vende të ndryshme, si në nivel dypalësh, ashtu edhe përmes iniciativave ndërkombëtare. Në vitet e fundit, Azerbajxhani shumë shpesh ka dërguar ndihmë humanitare në Ukrainë në lidhje me krizën e vazhdueshme.
Bogotë – Senatori konservator kolumbian dhe kandidat presidencial Migel Uribe Turbaj ndërroi jetë sot, më shumë se dy muaj pasi ishte qëlluar gjatë tubimit parazgjedhor në perëndim të Bogotës. Bashkëshortja e tij Maria Klaudia Tarazona e konfirmoi vdekjen e Uribes. (39). Uribe Turbaj ishte plagosur rëndë më 7 qershor gjatë tubimit parazgjedhor në kryeqytetin e Kolumbisë, kur u plagos në kokë dhe këmbë. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent dhe mbeti i hospitalizuar në kujdes intensiv deri në vdekjen e tij.
Londër - Ekipi anglez Kristal Pallasi do të duhet të garojë në Ligën e Konferencave të UEFA-s. Ky klub sezonin e kaluar e fitoi FA Kupën e Anglisë dhe duhej të luajë në Ligën e Evropës. Por trupi për kontroll financiar të klubeve pranë UEFA-s mori vendim që ekipi francez Olimpik Lion të luajë në Ligën e Evropës. Kjo për shkakun se kur e fituan plasmanin, të dy klubet në udhëheqësitë e tyre e kanë pasur njeriun e njëjtë, Xhon Tekstor. Ai dha dorëheqje nga Këshilli drejtues të Lionit, ndërsa Kristal Pallasi parashtroi ankesë, e cila u refuzua nga UEFA.