• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00 / 21 maj / 2025

Shkup - Maqedonia ka Strategji të Specializimit Intelegjent e cila i përcakton fushat ku ka potencial për zhvillim. Burimi më i rëndësishëm për realizimin e qëllimeve të definuara është kapitali njerëzor, dhe pikërisht në këtë drejtim po e formësojmë arsimin, të krijojë kuadër i cili është i nevojshëm në fushat prioritare të ekonomisë. Këtë e theksoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në Forumin Botëror të Arsimit i cili po mbahet në Londër, ku është pjesë në panel diskutimi për ndikimin e arsimit profesional mbi rritjen ekonomike. "Strategjia e specializimit inteligjent na orienton drejt tranzicionit dixhital dhe të gjelbër në fushat e bujqësisë dhe ushqimit inteligjent me vlerë të shtuar më të lartë, teknologjive të informacionit dhe komunikimit, industrisë elektromakinerike dhe materialeve të qëndrueshme dhe ndërtesave inteligjente. Në këto fusha është e nevojshme kuadri profesional dhe për këtë arsye jemi të fokusuara në avancimin dhe promovimin e arsimit të mesëm dhe të lartë profesional", tha Janevska.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski brenda javës së ardhshme pret të ketë propozim nga "Vlen" për ministër të ri të Shëndetësisë, pasi ministri i mëparshëm Arben Taravari u largua nga funksioni, pas mosmarrëveshjeve me partnerët e tij nga koalicioni "Vlen". "Dje pas mbajtjes së seancës së qeverisë kishim, do të thoja, koordinim koalicioni, diskutuam për atë se çfarë na pret në periudhën që është para nesh. Kemi vendosur fundin e kësaj jave si afat për të definuar vendimet kadrovike dhe për t'i dorëzuar ose të hënën ose të martën para deputetëve në Kuvend", deklaroi sot Mickoski. Ai tha se si kryetar i Qeverisë ka të drejtë të thotë "jo" nëse si propozim paraqitet një person me të cilin nuk mund të bashkëpunojë.

Shkup - Nga sot filloi rinovimi dhe rikonstruimi i plotë i ambulancave, laboratorëve dhe ordinancave specialistike të Qendrës Klinike "Nënë Tereza", ISHP Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup. Rikonstruksioni kushton 29 milionë denarë, me të cilin pritet të krijohen kushte për diagnostikim dhe mjekim më efikas të pacientëve. Drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Irena Aleksioska Papestiev, theksoi se me këtë investim do të rikonstruohen dhe renovohen platoja përpara vetë Klinikës, sallat e pritjes, ambulanca, laboratorët dhe kabinetet specialistike, me qëllim që, siç tha , pacientët të kenë qasje më të sigurt në Klinikë, si dhe diagnostikim dhe mjekim më efikas dhe me cilësi më të lartë.

Shkup – Publiku i Maqedonisë do të mbikëqyrë çdo cent që do të shpenzohet nga marrëveshja strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, thotë kryeministri Hristian Mickoski, lidhur me akuzat e opozitës për jotransparencë, duke theksuar se nuk ka nevojë për shpërndarje të puplave në temë e cila nuk ekziston dhe “se nuk do të ketë miratim të vendimeve me procedurë të shkurtër me flamuj evropianë dhe me dokumente të klasifikuara rreptësisht konfidenciale". Mickoski theksoi se nuk do të fshehët asnjë informacion nga marrëveshja dhe se gjithçka do të jetë publike dhe transparente. 

Shkup - Sot në komunën e Bosilovës u mbajt takim tematik dhe diskutuam për grumbullimin e produkteve bujqësore, konkretisht për pataten e re të prodhimit të vitit 2025, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski. “Në takim, së bashku me grumbulluesit e kësaj kulture, si Ministri, në cilësinë e një ndërmjetësi të vërtetë, u ulëm dhe biseduam për vazhdimin e grumbullimit të patates nga kjo prodhimtari", shpjegoi ministri. Siç njoftoi Ministria, Tripunovski tha se rezultati i arritur sot është në favor të bujqve.

Shkup - Qeveria është e qëndrueshme, e fortë, ka mbështetje prej pothuajse dy të tretash në kuadër të Parlamentit dhe pres që të vazhdojmë me koalicionin VLEN nga vendi ku e la ish-ministri i Shëndetësisë, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski pas vizitës në ISHP Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë, Shkup. I pyetur se cilët zyrtarë nga Aleanca do të mbeten në partinë VLEN, Mickoski tha se këto janë tema strategjike për të cilat do të diskutohet shtesë. 

Shkup - Përfundoi procedura dëshmuese në çështjen për vrasjen e të miturës Vanja Gjorçevska dhe banorit të Velesit Pançe Zhezovski, ku i akuzuari i parë është Lupço Palevski - Palço, së bashku me Bore Videvskin, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski. Gjykimi vazhdon më 2 qershor me fjalët përmbyllëse të Prokurorisë. Në seancën e sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, prova shtesë u paraqitën nga mbrojtja e të pandehurve Palevski, Videvski dhe Gjorçevski, ndërsa mbrojtja e dy të akuzuarve të tjerë Manev dhe Keshishev nuk propozoi asnjë provë në shtesën e procedurësh dëshmuese.

Shkup - Një pjesë e udhëheqësive të kaluara të SHA MEPSO kanë kërkuar ryshfet nga investitorët dhe kjo aktualisht është duke u hetuar. Kryeministri Hristijan Mickoski pret që këto pretendime së shpejti të bëhen publike. "Konsumi më i lartë në Maqedoni është në dimër, përafërsisht në gjysmën e dytë të janarit nga ora 18 deri në 20 dhe është 1,5 giga. Kapaciteti teknik i rrjetit është dy herë më i madh, por për momentin ka projekte dhe kërkesa prej 9,5 giga, gjegjësisht tre herë më shumë se kapaciteti teknik dhe gjashtë herë më shumë se sa shpenzojnë qytetarët. Pse? Sepse disa udhëehqës të kaluar në MEPSO kanë kërkuar ryshfet për të dhënë mendimin para investitorëve dhe ne jemi duke e hetuar këtë. Fatkeqësisht, ka pak prova, por mendoj se një pjesë e këtyre pretendimeve së shpejti do të zbardhen", deklaroi sot Mickoski.

Shkup - Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski pret që deri në qershor-korrik të përfundojë ndërtimi i gjashtë pishinave në vend. Deri në këtë periudhë duhet të përfundojnë pishinat në Kisella Vodë, Karposh, Gjorçe Petrov, Shtip, Manastir dhe Kërçovë. "Kemi pasur takim koordinues me ministrin, për momentin janë duke u finalizuar dhe pres që në qershor, korrik të përfundojnë gjashtë objekte të tilla në Kisella Vodë, Karposh, Gjorçe Petrov, Shtip, Manastir dhe Kërçovë, ndërsa një tjetër në Kavadar pritet diku në fillim të vjeshtës të jetë gati. Kështu që, e gjithë kjo që kemi trashëguar si përmendore në gjendje të rrënuar, po e vëmë në lëvizje dhe do ta përfundojmë", tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se deri ku është realizimi i projektit për ndërtimin apo rindërtimin e pishinave të reja para ardhjes së sezonit të verës.

Shkup - Bazuar në provat e siguruara gjatë procedurës hetimore që po zhvillohet kundër anëtarëve të grupit kriminal, në lëndën me emrin e koduar "Bunker", nën drejtimin e prokurorit të lëndës së PTHP NKOK, sot gjatë orëve të mëngjesit, nëpunësit policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pranë MPB-së kryen bastisje në pesë lokalitete në Shkup. Gjatë bastisjeve katër persona janë arrestuar, ndërsa në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve është gjetur një sasi e madhe marihuane, që do të jetë lëndë e ekspertizës.

Tiranë – Në një aksion policor të realizuar në disa qytete të Shqipërisë, janë konfiskuar tre milionë euro para të gatshme, pastaj tre objekte hotelierike dhe kafe bar, në Durrës, një televizion dhe gjashtë subjekte tregtare në Vlorë, të arritura nga tregtia me drogë. Njeriu i parë i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, në një konferencë të përbashkët për media me kolegët e tij italianë, tha se në kuadër të operacionit në shkallë të gjerë "Ura", është lëshuar një urdhër arresti për 52 persona, 40 prej të cilëve shqiptarë dhe 12 italianë, të cilët po kontrabandonin kokainë nga Turqia dhe Amerika Latine, me vlerë shtatë milionë euro.

Bruksel - Dy persona e kanë humbur jetën sot në mëngjes në një incident të dhunshëm në qytetin holandez Hofdorp, kumtoi policia lokale, duke shtuar se gjatë ndërhyrjes së policisë në vendngjarje janë plagosur edhe dy polic. Siç njoftoi portali informativ holandez NH, Departamenti kombëtar për hetime penale i Holandës po heton se çfarë ka ndodhur saktësisht. Sipas prokurorisë publike të Holandës, trupat e dy personave të vdekur, , identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditura, u gjetën në shtëpinë ku ndodhi incidenti.

Bruksel - Ligji i Energjetikës i miratuar nga Parlamenti i Maqedonisë javën e kaluar sjell shumë përfitime për qytetarët dhe vendin në tërësi, tha në një intervistë për MIA-n ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska në fund të vizitës së saj të punës në Bruksel. “Ligji është i rëndësishëm për ne si vend sepse sjell paketën e katërt të energjisë elektrike, prezanton bateritë, si dhe e-mobiliteti, pra për herë të parë përkufizohen makinat elektrike. Varfëria energjetike është gjithashtu një risi. Pra, ne kemi një metodologji për llogaritjen e varfërisë energjetike. Ne tashmë kemi një grup koordinimi me EVN-në dhe Ministrinë e Politikave Sociale dhe duam të zbulojmë të gjithë ata që janë të varfër në energji dhe për herë të parë po prezantojmë masa financiare dhe jofinanciare për ta, theksoi Bozhinovska.

Bruksel - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, sot deklaroi se Rusia prodhon katër herë më shumë municione sesa vendet anëtare të NATO-s. "Burimet e hapura tregojnë se në vitet e ardhshme rusët mund të përpiqen të bëjnë diçka të marrë, Ne duhet të sigurohemi që nëse (Presidenti rus Vladimir) Putin sulmon tani ose në të ardhmen e afërt, përgjigjja të jetë shkatërruese", tha Rute, duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me vendosjen e forcave ushtarake ruse në kufirin finlandez.

Bruksel - Komisioni Evropian sot prezantoi Strategjinë e Tregut të vetëm të BE-së, qëllimi i të cilit është të krijojë një treg më të thjeshtë dhe më të fuqishëm të brendshëm evropian. "Në botën e sotme të pasigurt, partnerët e parë të evropianëve duhet të jenë vetë evropianët. Koha është që kompanitë evropiane të 'evropianizohen' para se të "ndërkombëtarizohen", potencoi nënkryetari ekzekutiv i Komisionit Evropian për prosperitet dhe strategji industriale, Stefan Sezhurne, gjatë prezantimit të Strategjisë.

Islamabad - Pesë persona u vranë, ndërsa më shumë se 40 janë plagosur në një sulm ndaj një autobusi shkollor në qytetin Hudar, në provincën pakistaneze Beluxhistan. Midis të vrarëve janë tre nxënëse dhe dy të rritur. Kryeministri i Beluxhistanit, Sarfraz Bugti deklaroi se Qeveria e tij ka raporte të inteligjencës se këshilltari indian i Sigurisë kombëtare, Axhit Doval po planifikonte diçka në Beluxhistanin, por "nuk prisja që ai të targetojë fëmijë të pafajshëm".

Kiev - Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrij Sibiha sot deklaroi se sanksionet e miratuara nga BE-ja në maj e kanë bërë të vështirë për oligarkët dhe biznesmenët rusë për t'u shmangur këtyre rrjeteve kufizuese, duke fshehur pronësinë dhe transferimin e aksioneve dhe mjeteve. Sibiha u bëri thirrje të gjitha shteteve që të ndjekin këtë shembull dhe të marrin vendime të ngjashme për të parandaluar anashkalimin e sanksioneve dhe për të përforcuar harmonizimin e tyre.

Gazë - Më shumë se 45 persona janë vrarë sot, ndërsa dhjetëra u plagosën në sulmet e rinovuara izraelite në Rripin e Gazës, sipas autoriteteve të udhëhequra nga Hamasi në territorin palestinez, njoftoi DPA. Sulme ajrore dhe viktima ka pasur në Xhabalia dhe Deir al-Balah, si dhe në afërsi të Kan Junis në jug të territorit, publikoi agjencia palestineze e lajmeve, duke cituar burime mjekësore në Gazë. Armata izraelite nuk dha hollësira dhe në profilin e saj në Iks publikoi se ka "sulmuar mbi 115 caqe terroriste në tërë Gazën nga toka, deti dhe ajri", gjatë ditës së kaluar.

Gazë – Presidenti palestinez Mahmud Abas e përshëndeti refuzimin nga ana e vendeve të tjera të “bllokimit dhe urisë” të vendosura në Gazë, një ditë pasi Bashkimi Evropian publikoi se për shkak të situatës e heton marrëveshjen e tij tregtare me Izraelin. "Ne mirëpresim qëndrimet e vendeve të Bashkimit Evropian, vendeve donatore dhe Komitetit të Ministrave Arabo-Islamik. Të gjithë ata hodhën poshtë politikat e bllokadës, urisë, zhvendosjes dhe konfiskimit të tokës. Ata bënë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe qasje të menjëhershme dhe të papenguar në ndihmën humanitare përmes Kombeve të Bashkuara. Përveç kësaj, këto vende hodhën poshtë përdorimin e ndihmës nga Izraeli si armë dhe mjet politik për të arritur qëllimet e tij të paligjshme", shtoi Abas

QËNDRONI TË LIDHUR