MIA Flesh
- Shkup - Një mundësi unike për të shijuar produkte dhe specialitete vendase nga të gjitha rajonet e Maqedonisë paraqet Panairi për Ushqim që do të mbahet sot në Parkun e Qytetit në Shkup. Nën moton "Shijoni traditën përmes ushqimit të shëndetshëm vendas", Panairi do të promovojë produktet "Më e mira maqedonase", të cilat, siç informon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), janë sinonim i cilësisë.
- Post By Sara Ademi
- 15:00, 8 nëntor, 2025
15:00/ 8 nëntor/ 2025
Shkup - Prodhuesit e Maqedonisë të produkteve bujqësore sot janë pjesë e Panairit të Ushqimit, i cili nën moton "Shijoni traditën përmes ushqimit të shëndetshëm vendas", mbahet në Shkup. Në disa stenda të ngritura në Parkun e Qytetit, mund të shijoni produkte bujqësore cilësore nga prodhimi vendas, si verë, lëngje natyrale, mjaltë, djathë, qumësht... "Ky panair pasqyron historinë e Maqedonisë, një vend ku tradita i afrohet çdo qytetari. Sot, këtu mund të shijoni shijen e vërtetë, autentike, tradicionale të ushqimit të Maqedonisë. Ky ushqim prodhohet në fushat tona dhe përpunohet nga duart e fermerëve të Maqedonisë", theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Cvetan Tripunovski në hapje.
Shkup - Panairi për Mjekësi, Stomatologji dhe Farmaci - Health Innovation Expo 2025 fillon sot në Shkup në organizim të Odës së Shëndetësisë Private të Maqedonisë. Në panair do të marrin pjesë ekspertë, kompani dhe institucione të cilat do t'i prezantojnë zgjidhjet e tyre inovative përmes tribunave publike, ligjëratave dhe prezantimeve të panairit. Në hapjen e panairit dyditësh është paralajmëruar edhe fjalim i ministrit të Shëndetësisë Azir Aliu.
Shkup - Agjencia për Kadastër të Patundshmërive njoftoi se ka marrë nota të larta dhe pozitive për punën e saj në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e vendit në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Raporti, siç thuhet në kumtesë, ndër të tjera thotë se Drejtoria Kadastrale ka prezantuar shërbime të reja dixhitale për publikun, të cilat kanë ulur numrin e çështjeve të pazgjidhura me 20 përqind krahasuar me vitin 2024 dhe kanë ulur numrin total të çështjeve të pranuara për 10 përqind.
Shkup - Të ardhurat e përgjithshme nga taksa e pikëpagesave për nëntë muajt e parë të vitit arrijën 3.611.645.604 denarë, (58,725 milionë euro), informuan për MIA-n nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore (NPRRSH). Në shtator të këtij viti, qarkullimi në pikat e pagesës arriti në 401.971.971 denarë, ndërsa në muajt e verës kur frekuenca e automjeteve është më e lartë, në gusht u inkasuan 494.308.025 denarë, në korrik 469.811.647 dhe në qershor të këtij viti 399.325.680 denarë. Më fitimprurëse është pikëpagesa Romanovc, ndërsa më të ulëta janë të ardhurat në Kadrifakovë.
Shkup - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Cvetan Tripunovski apelon që rasti me drejtorin e Agjencisë për Mbështetjen e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të hetohet deri në fund. Ky rast, sipas Tripunovskit, është një tregues se ligjet vlejnë njësoj për funksionarët aktualë dhe të mëparshëm. Sipas Tripunovskit, nuk ka kërcënim për fondet IPARD ose pagesat kombëtare që kemi si shtet.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerë, nëpër rrugë të lagështa, ndërsa intensiteti i komunikacionit jashtë mjediseve të qytetit është mesatar, informon në mëngjes Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë. Në pikat kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.
Shkup - Më së shumti shi në 24 orët e fundit ka rënë në Pozharane dhe Kodrën e Diellit, ndërsa më pak në Shtip dhe Kavadar. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informon se në Pozharane dhe Kodrën e Diellit ka rënë 32 litra në një metër katror, në Hanet e Mavrovës dhe Krushevë 23, në Tetovë 21, në Pretor 20, në Lazaropole 14, në Gjevgjeli 1, në Manastir, Topollçan dhe Shkup-Zajçev Rid 6, në Gjurishte, Pozhar-Radovish 5, në Prilep, Veles, Shkup-Petrovec 4, dhe në Shtip dhe Kavadar një litër në metër katror.
Shkup - Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) informon se deri të martën në mëngjes do të mbajë mot kryesisht me vranësira dhe reshje të përkohshme lokale shiu. Të hënën reshjet do të jenë të rrëmbyeshme dhe më të bollshme (mbi 30 litra për metër katror në 24 orë) me kushte për bubullima. Në ditët në vijim moti do të jetë i qëndrueshëm dhe i thatë, njofton DPHM. Reshjet e paralajmëruara të rrëmbyeshme dhe më të bollshme për sot do të shoqërohen me erëra të forta dhe kushte për bubullima. Do të ketë erëra të dobëta deri mesatare, herë pas here të forta nga jugu dhe juglindja. Temperatura maksimale do të jetë në interval nga 12 deri në 17 gradë.
Ankara - Të paktën gjashtë persona humbën jetën, ndërsa dy u lënduan në zjarrin që shpërtheu në mëngjes në një depo parfumesh në qytetin Dilovasi, në pjesën veriperëndimore të Turqisë. Sipas pamjeve që i emitoi kanali turk NTV, janë djegur dy katet e ndërtesës ku gjendej depoja dhe punëtoria për prodhimin e parfumeve.
Baku - Fitorja e Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah do të çojë në paqe të qëndrueshme me një qëndrim konstruktiv nga liderët e Azerbajxhanit dhe Armenisë, deklaroi sot presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, duke shtuar se Turqia do të bëjë gjithçka që është e nevojshme, raportoi Anadollu. Ankaraja e sheh fitoren e Bakusë jo si fund, por si një pikë kthesë në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në Kaukaz, tha Erdogani në fjalimin e tij gjatë një ceremonie në Baku me rastin e përvjetorit të pestë të Ditës së Fitores së Azerbajxhanit.
Kiev - Një person humbi jetën, ndërsa 11 u lënduan në një sulm rus me dronë në Dnjepropetrovsk gjatë natës, kumtoi ushtruesi i detyrës shef i administratës ushtarake të Dnjepropetrovskit, Vladislav Hajvanenko. Ai në Telegram informon se gjashtë të lënduarit janë hospitalizuar.
Bruksel - Bashkimi Evropian dënoi sulmet e fundit ajrore izraelite në Libanin jugor dhe bëri thirrje për respektimin e armëpushimit të arritur me lëvizjen shiite libaneze Hezbollah një vit më parë. "BE-ja i bën thirrje Izraelit të ndërpresë të gjitha veprimet që shkelin rezolutat e KB-së dhe marrëveshjen e armëpushimit të arritur në nëntor të vitit 2024", deklaroi sot një zëdhënës i politikës së jashtme të BE-së.
Gjenevë - Kolonët hebrenj kryen të paktën 264 sulme ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor gjatë tetorit, një numër rekord sulmesh në një muaj të vetëm që kur KB filloi të mbante statistika mbi këtë tregues në vitin 2006. Në kumtesën e Zyrës së KB-së për koordinimin e çështjeve humanitare (OCHA), duke paralajmëruar për një rritje të ndjeshme të dhunës, citohet se sulmet që rezultuan në lëndime dhe dëmtime të pronës kishin arritur një mesatare prej tetë në ditë.
Islamabad - Negociatat midis Pakistanit dhe Afganistanit për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre kufitare kanë përfunduar pa ndonjë përparim, njoftuan sot të dyja palët, raportoi DPA. Bisedimet në Stamboll, të cilat u zhvilluan me ndërprerje, të ndërmjetësuara nga Turqia dhe Katari, vazhduan në një raund të tretë të enjten. "Negociatat kanë mbaruar", tha ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khaxha Asif, për televizionin Geo News në një intervistë vonë mbrëmë.
Rio de Zhanejro - Të paktën pesë persona humbën jetën, ndërsa 130 u lënduan në tornadon e cila mbrëmë shkatërroi një pjesë të një fshati në Brazilin jugor, në shtetin federal Parana, kumtuan autoritetet lokale. "Mbrojtja civile e Paranës me keqardhje njofton se pesë vdekje janë konfirmuar pas tornados që e goditi komunën Rio Bonito në Iguasu", thuhet në kumtesë.
Nju Jork - Shkencëtari me famë botërore Xhejms Votson, i cili ndau Çmimin Nobel në Fiziologji ose Mjekësi në vitin 1962 për ndihmën e tij në zbulimin e strukturës së ADN-së, ka ndërruar jetë në moshën 97 vjeç. Vdekja e Votson u konfirmua mbrëmë nga laboratori "Kold Spring Harbor", ku ai punoi për dekada të tëra. Ai doli në pension nga laboratori prestigjioz në shtetin e Nju Jorkut në vitin 2007 pasi bëri komente raciste, raportoi DPA.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se asnjë përfaqësues amerikan nuk do të udhëtojë në samitin e G20-ës në Afrikën e Jugut më vonë këtë muaj, duke deklaruar se afrikanët po “vriten dhe masakrohen”. "Është një turp i plotë që G20 do të mbahet në Afrikën e Jugut. Afrikanët (pasardhësit e kolonëve holandezë, si dhe emigrantët francezë dhe gjermanë) po vriten dhe masakrohen, ndërsa tokat dhe fermat e tyre po konfiskohen ilegalisht. Asnjë përfaqësues i qeverisë amerikane nuk do të marrë pjesë për sa kohë që këto abuzime me të drejtat e njeriut vazhdojnë. Pres me padurim të organizoj G20 në vitin 2026 në Majami, Florida", shkroi Tramp në platformën e tij Truth Social.