• e diel, 12 janar 2025
MIA Flesh

15:00/ 11 janar/ 2025

Shkup – Lidhur me lirinë me kusht të ish drejtorit të Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (DSK), Sasho Mijallkov, Prokuroria Publike përmes një kumtese sqaron se asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv dhe nuk është pajtuar me lirim me kusht të Mijallkovit.  “Për shkak të interesimit të publikut lidhur me lirimin me kusht të personit të dënuar Sasho Mijallkov dhe të drejtës së tij që ta lëshojë vendin, Prokuroria Publike sqaron se asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv dhe nuk është pajtuar me lirim me kusht të të dënuarit”, bëjnë të ditur në kumtesë.  Thonë se prokurori kompetent publik gjatë vendosjes së shkallës së parë për lirim me kusht të Mijallkovit ka dhënë mendim negativ, ndërsa pas vendimit të marrë me të cilën i ishte miratuar lirimi, prokurori ka bërë edhe ankesë e cila ishte hedhur poshtë si e palejuar. 

Shkup – Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) i përkujton të gjithë personat juridikë dhe fizikë të cilët deri në dhjetor të vitit 2024, kanë realizuar qarkullim të përgjithshëm më të lartë se  2.000.000 denarë nga kryerja e qarkullimit të të mirave dhe shërbimeve, se kanë për detyrë që të parashtrojnë Formular për regjistrim për qëllim të tatimit të vlerës së shtuar (formulari TVSH-01). Nëse si person fizik merrni me qira hapësirë afariste në vend, ofroni shërbime menaxheriale, juridike, ekonomike, inxhinierike, artizanale, jepni orë private për nxënës dhe studentë, realizoni të ardhura nga shitja e produkteve bujqësore ose kryeni qarkullim tjetër dhe në vitin 2024 keni realizuar qarkullim mbi 2.000.000 denarë duhet të regjistroheni për qëllimet e TVSH-së, theksojnë nga DAP. Qarkullim i përgjithshëm për qëllimet e TVSH-së është qarkullimi të cilin e ka bërë tatimpaguesi gjatë vitit në bazë të shitjes së të mirave dhe shërbimeve.

Shkup – Në Bllacë të Katllanovës nesër do të shënohet shtatëmbëdhjetë vjetori i aksidentit të helikopterit në të cilin humbën jetën njëmbëdhjetë pjesëtarë të përbërjes së VING-ut ajror, të cilët po ktheheshin nga misioni paqësor ALTEA në Bosnjë e Hercegovinë.  Me këtë rast një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtatmadhorisë së Armatës, i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral – major Sashko Lafçiski, nesër do të vendosin kurora me lule të freskëta në pllakën përkujtimore në Bllacë të Katllanovës.  Pjesëtarë të VING-ut ajror do të vendosin lule të freskëta edhe në pllakën përkujtimore para komandës në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec.

Shkup – Komunikacioni në rrugët shtetërore zhvillohet në kushte dimri, nëpër disa vende në rrugë të lagështa. Dukshmëri të ulur për shkak të mjegullës ka nga Tetova deri në fshatin Gajre 20 – 30 metra, Strazhë  30 – 50 metra dhe Pletvar – 40 metra.  Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti. 

Shkup – Më ftohtë sot në mëngjes ishte në Hanet e Mavrovës ku janë matur – 3 gradë, në Kodër të Diellit -2 dhe në Kriva Pallankë – 1 gradë, në Vinicë dhe Tetovë janë matur një gradë, Shkup – Zajçev Rid, Shtip, Strumicë, Berovë dhe Prilep dy gradë, Shkup – Petrovec, Veles dhe Kavadar tre gradë, në Manastir, Demir Kapi dhe Krushevë katër gradë, në Gjevgjeli pesë përderisa në Ohër dhe Pretor shtatë gradë.  Më së shumti borë ka në Kodër të Diellit 36 centimetra, përderisa në Hanet e Mavrovës 21. 

Shkup – Nëpunës të policisë dje pas masave të ndërmarra operative paraprake kanë privuar nga liria një person nga Turqia i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar nga Interpoli, për shkak se ishte arratisur nga burgu në Turqi.  Siç bëjnë të ditur nga MPB, personi A.S. ishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 23 vjetëve për vepra të kryera penale mashtrim dhe depërtim në sistem kompjuterik.

Shkup - Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka paralajmëruar reshje ku duke filluar nga drejtimi verior do të kalojnë në dëborë edhe në vendet më të ulëta, ndërsa më të dendura do të jenë në gjysmën e dytë të mbrëmjes. Deri në mëngjes në disa vende do të formohet sipërfaqe e borës. Nesër (12.01) gjatë gjithë ditës do të ketë reshje të borës, ndërsa në disa vende, sidomos në pjesët perëndimore do të jenë më të dendura (lokalisht mbi 40 l/m2). Sipërfaqja e borës do të rritet sidomos në zonat malore (lokalisht mbi 50 cm). Sipërfaqe më e theksuar e borës (mbi 20 cm) do të formohet edhe në pjesët jugperëndimore. Për shkak të temperaturave të ulëta dhe erërave të forta nga drejtimi verior do të ketë ngrica dhe rrëshqitje të borës. Reshje të kohëpaskohshme të borës do të ketë edhe të hënën, ndërsa në ditët në vijim do të mbizotërojë mot i ftohtë me kushte për reshje të dobëta të borës.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa ndalesa, në kushte dimërore dhe nëpër rrugë të lagështa. Borë bie në aksin rrugor Tetovë-Kodra e Diellit, Gostivar-Strazhë, Dellçevë dhe Stracin. Ulje e dukshmërisë për shkak të mjegullës prej 100 metra vërehet në Krushevë dhe në qafat malore Strazhë dhe Pletvar. NP "Rrugët e Maqedonisë" me gjithë mekanizimin dhe fuqinë punëtore është e përfshirë në pastrimin e rrugëve. NP "Rrugët Maqedonisë" apelon për drejtim të kujdesshëm të automjeteve, respektim të sinjalistikës së komunikacionit dhe përshtatje të shpejtësisë konform kushteve në rrugë.

Shkup - Lëvizja ZNAM - Për Maqedoninë tonë informon se Ilire Dauti është shkarkuar me interpelancë dhe se ajo nuk mund të ushtrojë më detyrën e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini në Kuvend. "Është plotësisht e paqartë se në çfarë bazohet deklarata e Kabinetit të kryetarit të Kuvendit se me votimin e interpelancës nuk pason edhe shkarkimi i kryetares së Komisionit, znj. Dauti. Që nga seanca e djeshme e Kuvendit ku u votua interpelanca për znj. Dauti, për ne epilogu është shumë i qartë. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë ka konstatuar përgjegjësi te znj. Dauti, ajo padyshim ka shkel Rregulloren, ndërsa sanksioni për shkeljen e Rregullores është shkarkimi për atë që ka bërë shkelje", thekson ZNAM në një shkresë drejtuar mediave.

Ohër - Interesimi i turistëve holandezë për të udhëtuar në Maqedoni është vërejtur edhe në ditën e tretë të prezantimit të panairit të ofertës sonë turistike në Panairin e 54-të ndërkombëtar për udhëtimet që mbahet në qytetin Utreht të Holandës. "Lidhja tradicionale me Ohrin e plotësuar me një ofertë të pasur turistike, ture gastronomike dhe kulturore, si dhe ekskursione në natyrë, janë arsye e mjaftueshme që holandezët të zgjedhin Maqedoninë si destinacion të radhës", thonë nga Agjencia për promovim dhe përkrahje të turizmit (APPT). Zhvillimi i destinacioneve turistike në vend, thekson Agjencia nxitet edhe nga promovimi i tyre.

Kiev – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski i përshëndeti sanksionet e reja amerikane kundër sektorit të naftës dhe të ashtuquajturës flotë e tankerëve në hije.  “Këto masa shkaktojnë goditje të dukshme ndaj bazave financiare të makinerisë ushtarake ruse me dëmtimin e gjithë zinxhirit të furnizimit”, tha Zelenski në platformën X. Ai shprehu mirënjohje për sanksionet britanike të dedikuara për kompanitë ruse të naftës, duke thënë se Londra “kontribuon për dëmtimin e aftësisë së Putinit që ta financojë agresionin”. 

Bratislavë – Mijëra njerëz dolën mbrëmë në rrugët e Bratislavës dhe qytetet e tjera përgjatë Sllovakisë që ta shprehin kundërshtimin e tyre për afrimin e Qeverisë sllovake drejtë Moskës edhe krahas pushtimit rus në Ukrainë.  Kryeministri sllovak Robert Fico, nacionalist dhe një nga aleatët e rrallë të Kremlinit në Bashkimin Evropian, i fuqizon lidhjet me Moskën dhe e pezulloi të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën pasi u kthye në pushtet në tetor të vitit 2023, bëjnë të ditur mediat franceze.  Ai para pak kohësh e vizitoi kryeqytetin rus që të takohet me presidentin Vladimir Putin pas vendimit të Ukrainës që ta ndërpresë transitin e gazit rus përmes territorit të saj, që e furnizon Evropën përmes Sllovakisë. 

Kopenhagë – Kryeministri i Grenlandës, Mut B, Eged, territorit të gjerë danez arktik i pasur me xehe, deklaroi se banorët e tij nuk duan të jenë amerikanë, por se e kupton interesimin e presidentit të porsazgjedhur amerikan, Donald Tramp për ishullin duke pasur parasysh lokacionin e tij strategjik dhe se është i hapur për bashkëpunim më të thellë me Uashingtonin.  Grenlanda është rajon autonom danez dhe gjendet në verilindje të SHBA-së dhe në veriperëndim të Evropës dhe Danimarkës, vend i Bashkimit Evropian të cilit i takon ishulli. Para pak kohës Trampi deklaroi se nuk përjashton presion ekonomik, e madje edhe fuqi ushtarake që Grenlanda të mbetet pjesë e SHBA-së, sepse kjo gjoja është “çështje e sigurisë kombëtare”. 

Berlin – Kandidati për kancelar gjerman të zgjedhjeve federale parlamentare më 23 shkurt dhe lider i Unionit Demokratik – Kristian (CDU) i qendrës së djathtë, Fridrih Merc, mbrëmë, në një intervistë për servisin publik ARD në mënyrë kategorike e hodhi poshtë çdo bashkëpunim me ekstremin e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AFD). “Më lejoni që këtu të përsëris. Nën udhëheqjen time nuk do të ketë bashkëpunim ndërmjet AFD dhe CDU në Gjermani”, tha Merc.  “Shkaqet janë të qarta dhe të dukshme”, shtoi ai.  “Nuk do të bashkëpunojmë me parti e cila është ksenofobike, e cila është antisemitike, e cila ka ekstremistë të djathtë në radhët e saj, e cila ka kriminelë në radhët e saj, parti e cila flirton me Rusinë dhe dëshiron të largohet nga NATO dhe Bashkimi Evropian”, tha lideri i CDU. 

Kiev – Ushtarët ukrainas kanë kapur ushtarë të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut të Rusisë, bën të ditur presidenti ukrainas Volodimir Zelenski. “Këta janë dy ushtarë të cilët pavarësisht plagëve, mbijetuan. Ata janë transferuar në Kiev dhe po merren në pyetje nga hetuesit e Shërbimit për siguri të Ukrainës. Nuk ka qenë detyrë e lehtë: zakonisht rusët dhe ushtarët e tjerë të Koresë së Veriut i vrasin shokët e tyre dhe bëjnë gjithçka për të parandaluar provat e pjesëmarrjes së një shteti tjetër – Koresë së Veriut – në luftën kundër Ukrainës”, shkroi Zelenski në Fejsbuk.

Uashington – Presidenti amerikan Xho Bajden e kritikoi ashpër vendimin e kompanisë Meta që ta ndërpresë programin për verifikim të fakteve, duke e quajtur “vërtetë të turpshëm”.  Pas fjalimit të tij për ekonominë Bajdeni tha se vendimi do të mundësojë përhapjen e informacioneve të pasakta të cilat do t’i lexojnë miliona njerëz, transmetoi En-Bi-Si Njuz (NBC News). “Kjo është krejt e kundërt me gjithë atë për çka angazhohet Amerika. Duam ta themi të vërtetën”, tha Bajdeni.  Deklarata e tij vijoi pas deklaratës së guvernatorit të Kalifornisë, Gevin Njusom, i cili e kritikoi mungesën në reagimin për dezinformatat lidhur me zjarret në Los Anxhelos.

Uashington  - Presidenti amerikan Donald Tramp planifikon të nënshkruajë më shumë se njëqind urdhra ekzekutivë në ditët e para të mandatit të tij të ri për të zbatuar politikat e premtuara nga fushata lidhur me sigurinë kufitare, deportimet dhe prioritetet e tjera, bëjnë të ditur mediat amerikane. Trampi këtë ua tha senatorëve republikanë gjatë një takimi privat në Kongres. Pritet që një pjesë e madhe e dekreteve të nënshkruhen në ditën e inaugurimit të tij më 20 janar. Këshilltari kryesor i Trampit, Stiven Miller ua ka prezantuar senatorëve masat që do të merren fillimisht.

Bejrut – I dërguari amerikan Amos Hohshtajn, thuhet se ka deklaruar se SHBA-ja garanton se Izraeli në tërësi do t’i tërheqë trupat e tij nga Libani jugor para 26 janarit.  Siç njoftoi gazeta libaneze “Al Akbar”, ajo do të jetë dita e 60-të e armëpushimit të arritur më 27 nëntor, me të cilën përfundoi konflikti 14-mujor mes Izraelit dhe Hezbollahut.  Gazeta shton se Hohshtajn e ka dhënë deklaratën gjatë kohës së vizitës në Bejrut më parë këtë javë. 

Los Anxhelos - Nga gjashtë zjarret që kanë përfshirë zonën e Los Anxhelosit, tre janë vënë nën kontroll, ndërsa 50 për qind ose më shumë pjesë të zonës janë shuar, ndërsa zjarri më i madh në Pacifik palisades ende nuk është nën kontroll, si edhe zjarret në Iton dhe Arçer, bëjnë të ditur mediat amerikane. Zjarri në periferinë e pasur të Los Anxhelosit gjatë natës u përhap edhe më tej në lindje, ndërsa ekipet e zjarrfikësve dhe aeroplanët janë fokusuar në përpjekjet shtesë në zonën e kanionit Mandevil, njofton Si-En-En. Sipas të dhënave më të fundit nga zjarrfikësit, zjarri në Pacifik palisades ku deri tani ka djegur 21,596 hektarë, është nën kontroll vetëm tetë për qind.

Uashington – Presidenti amerikan Xho Bajden të mërkurën do ta mbajë fjalimin e tij lamtumirës para kombit nga Dhoma Ovale në Shtëpinë e Bardhë, pesë ditë para inaugurimit të presidentit të porsazgjedhur Donald Tramp. Demokrati 82-vjeçar e përfundon mandatin e tij katërvjeçar presidencial, duke shënuar më shumë se gjysmë shekulli nga jeta e tij politike.  Fjalimi i Bajdenit, në orën 20 sipas kohës lokale të mërkurën, do të jetë mundësia e tij e fundit e rëndësishme që t’i flasë popullit amerikan dhe botës para se të largohet nga funksioni më 20 janar, saktë në mesditë.  Deklarata e tij të mërkurën do të vijojë pas fjalimit të paralajmëruar të hënën në Departamentin e Shtetit, në të cilin ai do të flasë për efektet e politikës së tij të jashtme.

Milano - Interi po përgatit një ofertë ambicioze për portierin e Pari Sen Zhermenit, Xhanluigji Donaruma. "Nerazurët" po monitorojnë nga afër situatën me italianin dhe mund të tentojnë ta angazhojnë atë, shkruan "Skaj Italia. Interi tashmë po kërkon një zëvendësues për Jan Somerin i cili është 36 vjeç dhe performanca e tij këtë sezon është larg pritshmërive siç ishte rasti në sezonin e tij të parë me gjigantët milanez. Pikërisht për këtë arsye në "Xhuzepe Meaca" po mendojnë seriozisht të orvatn ta “tërheqin” Donarumëën nga PSZH-ja. Portieri (26) ka kontratë me gjigantët francezë deri në vitin 2026 dhe e ardhmja e tij për momentin nuk është plotësisht e qartë. Ai është në negociata për vazhdimin e kontratës që është ende larg finalizimit. Kjo është arsyeja pse Interi shpreson të jetë në gjendje të ndërhyjë dhe të "turbullojë ujërat" rreth Donarumës.

Barcelona - Barcelona ka refuzuar ofertën e parë të Juventusit për mbrojtësin Ronald Arauho. Nuk është sekret se "bardhezinjtë" kanë nevojë urgjente për përforcime në mbrojtje për shkak të dëmtimeve të Bremerit dhe Huan Kabalit dhe vëmendja është kthyer tek 25-vjeçari nga Uruguai, pasi tashmë kanë dërguar ofertën e parë konkrete për të. Megjithatë kjo është refuzuar nga katalunasit, shkruan “Mundo deportivo”. Pretendohet se oferta e "bardhezinjve" kapë vlerën totale prej 30 milionë euro. Tani do të paguhen 5 milionë për huazimin, më pas Barcelona do të marrë edhe 20 milionë të tjera për të blerë të drejtat e tij në verë, ndërsa do të ketë edhe 5 të tjera në formën e bonuseve të ndryshme. Megjithatë, Barcelona kategorikisht e ka refuzuar këtë ofertë dhe ka vendosur një çmim shumë më të lartë për Arauhon prej 70 milionë euro. Arsyeja për këtë është sepse për lojtarin është i interesuar edhe Arsenali.

Xheda - Të dielën në orën 20, Barcelona dhe Real Madridi do të luajnë në finalen e Superkupës, ndërsa Karlo Ançeloti një ditë para ndeshjes mori lajm të mirë. Siç transmeton gazeta e njohur “AS”, eksperti italian do të mund të llogarisë te Xhud Belingemi, Federiko Valverde dhe Aureliano Çuameni të cilët janë të lënduar lehtë. Të tre janë lojtarë të rëndësishëm për Real Madridin në pozicionet e tyre, ndërsa duhet shtuar se Belingemi ishte lojtari i ndeshjes në gjysmëfinalen kundër Majorkës. Përveç kësaj, Ançeloti do të ketë në dispozicion edhe Luka Modriqin i cili është rikuperuar dhe është gati të ndihmojë skuadrën e tij.

Xheda- Trajneri i Barcelonës, Hansi Flik ka thënë se në finalen e nesërme kundër Real Madridit për Superkupën e Spanjës, skuadra e tij do të prezantohet më mirë se në gjysmëfinale kundër Atletik Bilbaos dhe se të njëjtën lojë do ta dëshmojnë që nga fitorja 4-0 ndaj rivalit të madh të “Santiago Bernabeut" në fillim të sezonit. "Real Madridi është ndër skuadrat më të mira në botë. Duhet të luajmë më shpejt dhe më mirë se ndaj Atletik Bilbaos, sepse po flasim për Real Madridin i cili di shumë mirë se si të përballet në ndeshje të tilla dhe mund ta shfrytëzojë çdo situatë. Këto janë ndeshje speciale dhe ne duhet të jemi gati. Si trajner, thotë ai, ka luajtur në shumë finale, ndërsa ekipi është i përgatitur mirë.

QËNDRONI TË LIDHUR