• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00/ 2 shtator/ 2025

Kopenhagë – Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar në zbatimin e Kritereve të Kopenhagës, të cilat duhet të mbeten udhërrëfyes i procesit të zgjerimit të BE-së, deklaroi sot në Kopenhagë ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani në fjalimin në takimin joformal të ministrave të çështjeve evropiane të vendeve anëtare të BE-së dhe shteteve kandidate për anëtarësim.  “Për ne ato (Kriteret e Kopenhagës) nuk janë vetëm kushte, por gjuhë e demokracisë dhe garancës se progresi ynë do të matet sipas standardeve të drejta dhe objektive, dhe jo sipas pengesave dypalëshe të cilat nuk i përkasin thelbit të idesë evropiane,” u shpreh Murtezani në fjalimin në sesionin e parë të punës të Takimit joformal të ministrave për Çështje Evropiane. Siç bëri të ditur Ministria për Çështje Evropiane, Murtezani potencoi se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian nuk është “proces teknik i harmonzimit”, por domosdoshmëri strategjike për stabilitetin dhe sigurinë e tërë kontinentit. 

Shkup- Pushteti i hapur në praktikë - Ministria e Energjetikës i publikon të gjitha kontratat - koncesionet dhe PPP-të, të disponueshme për qytetarët, theksoi ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska në takimin tematik të sotëm qeveritar mbi Partneritetin për Pushtet të Hapur, ku u diskutua progresi dhe angazhimet e institucioneve. Siç citohet në kumtesën e Ministrisë së Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, nëpërmjet angazhimit dhe vizionit të saj, në mënyrë aktive merr pjesë në realizimit e Planit aksionar rrjedhës për Partneritet për pushtet të hapur 2024-2026.

Shkup – Këshilli Gjyqësor në Gjykatën Penale sot e refuzoi propozimin e prokurorisë për bashkimin e procedurave në rastin “Aditiv”, i cili ka të bëjë për keqpërdorime në kompaninë shtetërore EMV dhe tenderë fiktivë të vlefshëm miliona euro. Sipas gjykatës, bashkimi do të shkaktonte zvarritje të panevojshme dhe do të vendoste të akuzuarit në pozitë më të vështirë.  Sipas vendimit, rasti “Aditiv” tani do të zhvillohet përmes dy procedurave të ndara.  Lënda e parë përfshin mbi 30 persona fizikë dhe juridikë, në mesin e të cilëve edhe ish drejtorë dhe funksionarë, të akuzuar për bashkim kriminal, keqpërdorim të pozitës zyrtare, pastrim parash dhe zbulim të sekretit zyrtar.  

Shkup– Deri dje në mesnatë në zyrat dhe departamentet rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) janë dorëzuar gjithsej 60 nisma për propozimin e listave për kryetarë të komunave dhe kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 68 nisma për propozimin e listave të këshilltarëve për këshillat e komunave dhe këshillit të Qytetit të Shkupit.  Siç informoi sot KSHZ, listat e kandidatëve për anëtarë të këshillit dhe lista e kandidatit për kryetar të komunës, bashkë me nënshkrimet e evidentuara si propozim dhe dokumentacioni i tjetër gjithëpërfshirës sipas kushteve ligjore dhe sipas Udhëzimit të KSHZ-së mund të parashtrohen në KKZ deri më 13 shtator deri në mesnatë. 

Shkup - Ndalimi për lëvizje në pyje vazhdon deri më 30 shtator, bëri të ditur pasdite Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Për mosrespektim është paraparë gjobë prej 1.500 deri 2.000 euro në kundërvlerë të denarit. Nga Ministria u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të veçantë me qëllim parandalimin e zjarreve në hapësira të hapura. Theksojnë se edhe periudhën që vijon nuk është ulur rreziku nga shfaqja e zjarreve në ambient të hapur dhe se qytetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, pasi për shkak të temperaturave të larta rreziku i shfaqjes së zjarreve në hapësira të hapura ende mbetet i madh.

Shkup – Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, vendimin e Gjykatës Penale Themelore në Shkup me të cilën Sulejman Lamallari është dënuar me dy vjet burg për dhunë të ashpër ndaj saj e vlerësoi si “fitore sistematike për viktimat e dhunës”.  “Kjo është një fitore sistematike për viktimat e dhunës, për çdo grua dhe nënë, për sulm që ishte gjithashtu një sulm ndaj institucionit të kryetarit të komunës. Autori i krimit nuk tregoi aspak pendim për atë që kishte bërë, dhe me qëndrimin e tij vazhdimisht tallte gjykatën dhe publikun. Ai madje u përpoq ta paraqiste viktimën si sulmues, ndërsa edhe pse është abuzues, të paraqiste veten sikur është rrahur nga një grua”, shkroi Arsovska në profilin e saj në Fejsbuk.

Nikozia - Zgjerimi i Bashkimit Evropian paraqet një domosdoshmëri gjeopolitike dhe është një katalizator, porositi zëvendësministrja evropiane e Qipros, Marilena Rauna, dhe theksoi se zgjerimi do të jetë një nga përparësitë e presidencës qipriote të BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.  Gjatë mbërritjes në Këshillin joformal për Çështje të Përgjithshme në Kopenhagë, ajo tha se tema e takimit joformal të sotëm është shumë e përshtatshme: “nga Kopenhaga – në Kopenhagë – dhe përsëri në Kopenhagë”, duke theksuar se dy të parat i referohen vitit 1993, kur kriteret u dakorduan pikërisht në Kopenhagë.

Luksemburg - Çdo paqe e qëndrueshme në Ukrainë kërkon armatë ukrainase më të fortë, por edhe garancione të sigurisë nga miqtë dhe partnerët e Ukrainës, SHBA-së, Evropës dhe të tjerët, deklaroi sot në Luksemburg sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Luk Friden, sekretari i përgjithshëm i Aleancës tha se fokusi i takimit të presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë, Volodimir Zelenski dhe Vladimir Putin, është me qëllim që të fillojnë negociatat, si dhe në marrëveshjen mes evropianëve dhe SHBA-së për garancionet afatgjate të sigurisë, "që do ta parandalonte Rusinë sërish ta sulmojë Ukrainën".

Berlin - Kancelari gjerman Fridrih Merc sot tha se, në takimin e "Koalicionit të të përgatiturve", të enjten në Paris, do ta propozojë Gjenevën për vendin e negociatave për armëpushim mes Ukrainës dhe Rusisë. Në këtë takim duhet të bisedohet për garancionet pasushtarake të Ukrainës. "Gjeneva mund të jetë një vend adekuat për marrëveshjen e armëpushimit. Pasnesër sërish do t'i propozoj "Koalicionit të të përgatiturve" të dërgojë ftesë për Gjenevën", tha Merc në konferencën për shtyp së bashku me presidenten zviceran Karin Keler-Suter, lajmëroi DPA.

Pekin- Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në takimin e sotëm në Kinë me kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico, tha se Moska asnjëherë nuk ka qenë kundër anëtarësimit potencial të Ukrainës në BE. "Sa i përket anëtarësimit të Ukrainës në BE, asnjëherë nuk negociojmë. Sa i përket NATO-s, kjo është çështje tjetër...Qëndrimi ynë është i njohur mirë: besojmë se kjo është e papranueshme për ne", theksoi Putin. Ai shtoi se Rusia është detyruar të veprojë në Ukrainë për shkak të "përpjekjes së Perëndimit me ndihmën e NATO-s ta përthith të gjithë hapësirën post-sovjetike.

Bled– Uria në Rripin e Gazës mund të ndalet me vetëm një vendim politik, deklaroi sot njeriu i parë i Agjencisë së KB-së për refugjatët palestinezë – UNRVA (UNRWA), Filip Lazarini, në Forumin Strategjik në Bled.  Ai gjatë kësaj paralajmëroi se “mungesa e empatisë” ndaj palestinezëve solli atmosferën e “mosndëshkimit” në enklavën e shkatërruar.  “Ndonjëherë kam ndjenjën se kemi thënë gjithçka për Gazën, se nuk kemi më fjalë që të përshkruajmë se në çfarë vuajtje kalojnë njerëzit aty”, tha Lazarini në forum.  Humanisti zviceran është në krye të agjencisë e cila ka 12 mijë të punësuar në enklavën palestineze. 

Hebron – Ushtarët izraelitë e arrestuan kryetarin e Hebronit, Tajsir Abu Snaine, duke shkaktuar indinjatë në Bregun Perëndimor, ku autoritetet frikësohen për autonominë e tyre, njoftoi DPA.  Këshilli Komunal i Hebronit e dënoi arrestimin dhe tha se një kontingjent i madh i ushtarëve gjatë natës kryen bastisje në shtëpinë e Abu Snaine dhe e kanë kërkuar të gjithë pronën.  Kur ishin pyetur për koment, armata izraelite iu referua agjencisë vendore të inteligjencës Shin Bit. Burime izraelite bëjnë të ditur se Abu Snaine është akuzuar për mbështetje të grupit militant palestinez Hamas dhe grupi islamist palestinez Xhihadi Islamik, si dhe për nxitje të rezistencës kundër Izraelit. 

Kartum- Tetëmbëdhjetë persona u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën në zjarr artilerie në qytetin e rrethuar El Fasher në rajonin e Darfurit të Veriut të Sudanit, kumtoi Rrjeti i Mjekëve Sudanezë, raportoi DPA. Rrjeti ia atribuoi sulmin Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) të cilat tashmë 16 muaj e kanë rrethuar qytetin në këtë vend të shkatërruar nga lufta civile. Informacioni nuk mund të konfirmohet në mënyrë të pavarur, raportoi DPA. El Fasher, kryeqyteti i Darfurit të Veriut, është qyteti i fundit në rajon që është ende nën kontrollin e qeverisë, megjithëse ka qenë nën rrethim që nga maji i vitit të kaluar nga RSF-ja, një forcë paraushtarake e akuzuar për mizori, spastrim etnik dhe krime lufte.

Uashington - Miliarderi amerikan, Ilon Mask përmes platformës së tij Iks (X) përsëri u përfshi në fushatën parazgjedhore në Gjermani në favor të partisë populiste të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), raportuan mediat gjermane. "Ose Gjermania do të votojë për AfD ose ky do të jetë fundi për Gjermaninë", njoftoi Mask në Iks para zgjedhjeve lokale që janë caktuar për 14 shtator në krahinën më të populluar të Gjermanisë, Rajna Veriore dhe Vestfalia.  Sipas mediave gjermane, ai ka reaguar në deklaratën e përbashkët të Bashkimit Kristian-Demokrat, Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Të Gjelbrit dhe partive të tjera, me përjashtim të AfD-së, që do të marrin pjesë në zgjedhje në Rajnan Veriore dhe Vestfalia, ku theksohet se nuk dëshirojnë që fushata të zhvillohet "në kurriz të migrantëve". 

Kabul – Tërmet me intensitet prej 5,5 ballë sipas Shkallës Rihter sot është regjistruar në pjesën juglindore të Afganistanit, vetëm dy ditë pasi zona ishte goditur nga tërmet me magnitudë prej gjashtë ballë me çka humbën jetën mbi 1.400 njerëz.  Edhe tërmeti i sotëm është regjistruar në thellësi relativisht më të vogël – 10 kilometra.  Sipas autoriteteve talebane në tërmetin e fuqishëm humbën jetën 1.411 njerëz, 3.124 janë lënduar, ndërsa mbi 5.400 shtëpi janë rrënuar. 

QËNDRONI TË LIDHUR