18:00 / 12 gusht / 2025
Shkup - Zgjedhjet lokale janë shpallur tashmë për 19 tetor (2 nëntor, raundi i dytë), dhe shumica e kandidatëve pritet të dihen deri në fund të këtij muaji. Partitë kryesore politike tashmë i kanë shpallur emrat e kandidatëve të tyre si për Qytetin e Shkupit ashtu edhe për qytete dhe komuna të tjera. Për momentin, mbetet enigmë se sa parti politike dhe grupe qytetarësh (të pavarur) do të kenë kandidatët e tyre për kryetarë bashkie dhe këshilltarë në zgjedhjet e teta lokale radhazi në vend. Një total prej 66 partish politike u regjistruan në Regjistrin Unik të Partive Politike që mbahet nga Gjykata Themelore Civile në Shkup që nga 7 gushti i këtij viti, dhe një është në proces regjistrimi. Procedurat për regjistrimin e partive politike mund të zhvillohen në gjykatat në Tetovë, Shtip dhe Manastir. Sipas informacioneve të MIA-s, aktualisht nuk ka procedurë për regjistrimin e partive të reja në gjykatat në Tetovë dhe në Shtip.
Shkup - Agjencia Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Lëvizshmëri ka udhëheqësi të re që do të vazhdojë zbatimin e „Erasmus“ dhe „Korpusit të Solidaritetit Evropian“ në Maqedoni, si dhe disa programeve dhe rrjeteve të tjera evropiane për arsim dhe lëvizshmëri. U.D e drejtoreshës së institucionit është emëruar Ana Mihajllov, e cila vjen nga radhët e të punësuarve dhe ka mbi 15 vjet përvojë në këtë fushë, bëhet e ditur në kumtesën e sotme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. "Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, në takimin e sotëm me Mihajllov i uroi sukses në realizimin e objektivave programore, duke theksuar se aktivitetet e Agjencisë Kombëtare janë pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e përpjekjeve të shtetit për integrimin e sistemit arsimor maqedonas në hapësirën arsimore evropiane", qëndron në kumtesë.
Shkup - Ministria e Financave, në përputhje me dispozitat e Kodit zgjedhor, do t’i publikojë pagesat buxhetore në faqen e saj të internetit në një bazë të posaçme për shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore. Siç bëri të ditur Ministria, sipas Kodit Zgjedhor, Ministria e Financave, që nga dita e miratimit të Vendimit për shpalljen e zgjedhjeve deri në përfundimin e tyre, obligohet që t’i publikojë të dhënat për të gjitha pagesat buxhetore në një bazë të posaçme, përveç pagesave të rregullta për paga, pensione dhe shpenzime komunale.
Shkup - Disa zjarre janë aktive sot në hapësora të hapura në të gjithë vendin, informoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov. Situata më serioze është në territorin e Komunës së Makedonski Brod, në vendin e gjuetisë "Jasen", ku zjarri tashmë disa ditë nuk mund të vihet plotëisht nën kontroll. "Ky zjarr është aktiv prej disa ditësh. Edhe pse është vënë nën kontroll të plotë disa herë, dhe herë pas here është shuar plotësisht, për shkak të terrenit jashtëzakonisht të paarritshëm, disa nga degët e tij po riaktivizohen, duke përshirë një sipërfaqe më të madhe", tha Angelov.
Tiranë - Situata me zjarreve në Shqipëri po përkeqësohet, ndërsa sot u regjistrua viktima e parë nga zjarret, kumtoi policia e Elbasanit, duke shtuar se bëhet fjalë për një 80 vjeçar, burrë i cili humbi jetën në zjarrin në një fshat në Gramsh, që e shkaktoi vetë. "Sot rreth orës 11, një person rreth moshës 80 vjeç, ka shkaktuar zjarr në kopshtin e shtëpisë së tij, në fshatin Kulolas, zjarr i cili doli jashtë kontrollit dhe u përhap masivisht në disa fshatra në rrethinën e Gramshit. Personi humbi jetën si pasojë e mbytjes nga tymi", thuhet në kumtesë për mediat.
Athinë – Në këtë moment forcat zjarrfikëse po përballen me 106 zjarre, prej të cilëve 53 shpërthyen sot. Një numër i madh i forcave tokësore dhe ajrore po intervenojnë në Vonicë, Qefaloni, Zakintos, Arta, Prevezë, Ahaia, Hios Mesinija dhe Etoliko, njoftoi sot pasdite zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës të Greqisë, Vasilis Vatrakojanis, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Vatrokajanis informoi se për shkak të situatës, Greqia ka kërkuar ndihmë nga mekanizmi evropian për mbrojtje civile që të dërgohen katër aeroplanë zjarrfikës.
Stamboll - Në korrik, në Stamboll është regjistruar vetëm një ditë me shi – që është për 71 për qind më pak reshje shiu krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa për shkak të thatësirës, niveli i digave që furnizojnë qytetin me ujë ra nën 50 për qind, njoftoi TRT Haber. Sipas një raporti nga Ministria e Mjedisit Jetësor, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike të Turqisë, rajoni rreth Detit Marmara, ku ndodhet Stambolli, në korrik ishte muaji më i thatë në 65 vjet, me reshje që ranë 95 për qind nën mesataren. Edhe pse reshjet e shiut kanë rënë me 40 deri në 80 për qind në pjesën më të madhe të vendit, në qarqet Karaman dhe Mersin në Turqinë qendrore dhe Tunxheli në pjesën lindore kanë shënuar rritje prej mbi 100 për qind.
Uashington – Administrata e presidentit amerikan, Donald Tramp, po shqyrton krijimin e forcave për reagim të shpejtë gjatë trazirave, publikoi gazeta "Uashington post". Këto forca do të vendoseshin shpejt në qytetet amerikane gjatë protestave dhe trazirave, shpjegon botimi amerikan, duke cituar dokumente të brendshme të Pentagonit. Plani parashikon që 600 ushtarë të jenë gati për t'u transportuar në vendin e duhur brenda një ore. Ata do të ndahen në dy grupe me nga 300 ushtarë secili dhe do të vendosen në bazat ushtarake në shtetet Alabama dhe Arizona.
Tel Aviv - Një shërbim izraelit në kompentencë të Ministrisë së Mbrojtjes ka publikuar një raport të ri në të cilin pohon se nuk ka "shenja të urisë së përhapur" në Rripin e Gazës, edhe pse OKB-ja ka paralajmëruar prej javësh për rrezikun e "urisë masive". Shërbimi "Kogat", përgjegjës për administratën civile të territoreve palestineze, pohon se pas një analize të detajuar të të dhënave të Hamasit mbi viktimat nga kequshqyerja, u vu re një "ndryshim i rëndësishëm" midis shifrave zyrtare dhe dokumenteve me identifikim të plotë të disponueshme në media dhe në rrjetet sociale.
Njukasëll - Sulmuesi i Njukasëll, Aleksander Isak është i vendosur të largohet nga klubi këtë verë. Ai tashmë është shpërngulur nga shtëpia e tij në Njukasëll dhe sipas informatave nga mëngjesi, nuk ka dëshirë përsëri të luajë për "bardhezinjtë" nga Njukasëll. Dëshira e tij është të bëjë transfer në radhët e kampionit Liverpull. Liverpulli para dhjetë ditëve ofroi 140 milionë euro për Isakun, që klubi aktual i tij i refuzoi. Futbollisti nga fillimi i përgatitjeve nuk stërvitet më me Njukasëll.