• e mërkurë, 25 shtator 2024
MIA Flesh

15:00/ 7 maj/ 2023

Shkup - Preambula mbetet prioritet i grupit të punës i cili do t’i përgatisë ndryshimet kushtetuese, thotë ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe pret që propozimi të kalojë në Kuvend. “Mua më vjen keq që VMRO nuk është pjesë e këtij Grupi të Punës. I ftoj edhe një herë  të jenë pjesë e suksesit, për rrugën e ardhmërisë evropiane të Maqedonisë dhe besoj se këta që pranuan të jenë pjesë e këtij grupi punues, janë njerëz guximtarë. Këta janë njerëz të jashtëzakonshëm, për shkak se në momentin e vërtetë ata gjetën kohë, edhe pse e dinin që do të nxihen nga një pjesë e opinionit publik ta japin kontributin e tyre që ne një ditë të jemi pjesë e familjes së Bashkimit Evropian. Dhe, besoj se me ta do të kemi tregim të suksesshëm, të cilin do të duhet t’ia paraqesim opinionit publik para se ta miratojmë në Kuvend.  Ne e kemi pjesën e përgatitjes, ndërsa propozues do të jetë Qeveria dhe në atë pjesë ne, për një kohë të shkurtër, punën tonë do ta paraqesim para jush”, ka thënë Lloga në intervistën javore për Radion Evropa e Lirë.

Shkup - Me përkushtim të veçantë vendosa lule para përmendores së pjesëtarëve të rënë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në ambientet e MPB-së, ndërsa me rastin e 7 Majit - Ditës së Policisë së Maqedonisë, shkroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski në profilin e tij në Fejsbuk."Kjo ditë i kushtohet policëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët praktikisht janë heronjtë e kohës sonë. Fatkeqësisht, disa prej tyre, duke luftuar për sigurinë e qytetarëve dhe shtetit, dhanë sakrificën më të çmuar - jetën e tyre, prandaj në këtë ditë i kujtojmë ata dhe trimërinë e tyre me respekt të pamasë, si frymëzim i përjetshëm për të gjithë ne! Prandaj themi se të jesh polic, të jesh pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme është nder i veçantë dhe përgjegjësi e madhe", shkroi Spasovski në Fejsbuk. 

Shkup - Sot e shënojmë Ditën e Policisë së Maqedonisë - 7 Maji. Me realizimin e procesit të reformave kontribuuam në profesionalizim më të lartë të policisë, e cila sot njihet si servis i qytetarëve, duke i mbrojtur të drejtat e tyre dhe duke e mbrojtur paqen dhe sigurinë publike. "Si qeveri e përgjegjshme kemi përmirësuar kushtet për të gjithë pjesëtarët e policisë, për çka kemi siguruar rritje të vazhdueshme të pagave dhe kushte më të mira pune, për të cilat do të vazhdojmë të angazhohemi. Ne përgëzojmë funksionalizimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative të kryera nga Agjencia për Rojet Kufitare dhe Bregdetare Evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut (FRONTEKS), e cila do të kontribuojë në zbatimin e mëtutjeshëm të standardeve evropiane në menaxhimin e kufijve", publikuan në Fejsbuk nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Shkup - Rezultatet e juaja të arritura janë reflektim i përkushtimit dhe profesionalizmit në përballjen me të gjitha sfidat kombëtare dhe globale, shkroi në Fejsbuk kryeministri Dimitar Kovaçevski, me rastin e Ditës së Policisë së Maqedonisë. "Ju uroj për efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për çka dëshmi janë rezultatet e arritura në vitin 2022 - u çrrënjosën 15 grupe kriminale, u kapën në tregun e zi më shumë se 2,4 tonë drogë me një vlerë të vlerësuar prej 6 milionë euro në tregun e zi, u penguan më shumë se 26 mijë përpjekje për kalime të jashtëligjshme kufitare", shkroi Kovaçevski.

Gostivar - Përmbledhja me njëzetë tregime e Osman Demirit "Kthimi në të kaluarën", mbrëmë u promovua para publikut gostivaras dhe artdashësve të fjalës së shkruar në Qendrën Rinore "iCan", në Gostivar. Demiri, i cili për publikun e gjërë njihet si fotograf dhe punonjës filmi, në promovim tha se me shkrim merret që nga rinia e hershme, por siç theksoi, tani erdhi koha që t'i publikojë tregimet nga fëmijëria dhe është një lloj nostalgjie për të kaluarën. "Kjo është periudha e fëmijërisë sime, ajo që i mungon sot një të riu, një fëmijë në këtë kohë dhe hapësirë ​​si pasojë e teknologjisë. Fëmijët e sotëm nuk dinë të luajnë, nuk luajnë në oborr, nuk kanë të njëjtën dashuri për prindërit e tyre si ne. E gjithë kjo mungesë më ktheu në të kaluarën dhe e hodha në letër", tha Demiri.

Shkup - Temperatura më të ulëta prej 4 gradë celsius janë matur në Berovë, Llazaropolë dhe Kodër të Diellit, ndërsa më të larta 13 gradë në Dojran. Nga DPHM sot në mëgjes informuan se 5 gradë janë matur në Hanet e Mavrovës, 6 në Shkup - Petrovec, Kriva Pallankë dhe Tetovë, 7 gradë në Manastir, 8 në Prilep, Demir Kapi, Krushevë dhe Kumanovë, 9 Shkup - Zajçev Rid, Shtip, Strumicë dhe Dibër, 10 në Ohër dhe Pretor, 11 gradë në Vinicë dhe 12 në Gjevgjeli.

Londër - Pas ceremonisë solemne të së shtunës në Uestminster Abi në Londër, e cila u fokusua në familjen mbretërore dhe liderë nga e gjithë bota, ngjarja qendrore në Britaninë e Madhe sot është kremtimi i kurorëzimit të mbretit, i cili do të zgjasë dy ditë, i cili do të shënojë fillimin e epokës së Çarllsit pas sundimit 70-vjeçar të Mbretëreshës Elizabeta e Dytë. Gati në çdo park në Londër janë vendosur kënde të lojërave për fëmijë, ndërsa rrugët dhe sheshet kryesore në qytet janë vend për ahengje speciale në rrugë. Para kështjellës Uindzor do të mbahet koncert i madh në të cilin performojnë shumë artistë si këngëtarja e njohur botërore Kejti Peri, Lajonel Riçi dhe Andrea Boçeli.

Kiev- Udhëheqësia ushtarake e Ukrainës po përpiqet të bindë Perëndimin që të kufizojë pritshmëritë e tij për kundërofensivën e planifikuar, sepse nuk është e sigurt se do të ketë sukses të kthejë valën e konfliktit, shkruan gazeta amerikane“Uashington Post”, duke iu referuar intervistës me presidentin ukrainas, Volodomir Zelenski dhe ministrin e mbrojtjes, Aleksej Reznikov. "Pritjet për kundërofensivën tonë janë mbivlerësuar nga bota. Shumica e njerëzve presin diçka të madhe", tha Reznikov. Sipas tij, pritjet e tilla mund të shkaktojnë "dëshpërim emocional".

Dallas - Të paktën tetë persona humbën jetën kur një sulmues hapi zjarr para një qendre tregtare në afërsi të Dallasit, në shtetin federal amerikan Teksas, njoftuan sot në mëngjes autoritetet lokale.  Në sulm janë plagosur shtatë persona, prej të cilëve tre janë në gjendje kritike. Një polic i cili rastësisht u gjet në afërsi e ka vrarë sulmuesin. Sulmi ka ndodhur në orën 15:30 sipas kohës lokale në qytetin Alen, rreth 40 kilometra në veri të qendrës së Dallasit. Dëshmitarët e rastit thonë se në mesin e viktimave ka edhe fëmijë.

Hanoi - Në Vietnam është shënuar temperaturë rekorde prej 44,1 gradë Celsius. Temperatura ekstreme është matur dje në stacionin meteorologjik në veri të vendit, në provincën Tan Hoa, njoftoi Instituti Hidrometerologjik i Vietnamit.  Temperatura paraprake maksimale në këtë vend juglindor aziatik ishte 43,4 gradë.  Shkencëtarët nga Hanoi përkujtojnë se rritja e temperaturës është shqetësuese në kontekst të ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale.

Limë - Numër i panjohur i minatorëve humbën jetën në një minierë të arit në Peru, njoftuan autoritetet sot, derisa policia po punon në nxjerrjen e trupave.  Autoritetet lokale ku gjendet miniera, në rajonin jugor Arekipa, njoftuan se 27 minatorë e humbën jetën.  Megjithatë, shtojnë se numri i viktimave nuk është përfundimtar "sepse nuk ka pasur mënyrë se si të komunikohet nga miniera".  Shtohet se një qark i shkurtër ka mundur ta shkaktonte zjarrin vdekjeprurës i cili ndodhi të shtunën. Me minierën menaxhon një kompani e vogël.

Seviljë - Real Madridi mbrëmë e fitoi Osasunën me rezultat 2:1 në finalen e Kupës së Mbretit. Golat për Realin i shënoi braziliani Rodrigo (në minutën e 2-të dhe të 70-të), përderisa Toro në minutën e 58-të shënoi për Osasunën. Për Real Madridin ky ishte Trofeu i 20-të në kupën kombëtare.  Njëherësh, Reali i bë klubi i parë spanjoll i cili ka fituar 100 trofe në historinë e tij. Përveç kupës spanjolle, 35 herë e ka fituar kampionatin kombëtar, 14 herë Ligën e Kampionëve, 12 herë Superkupën, pesë herë Kampionatin Botëror të Klubeve, dy herë Kupën e UEFA-s, pesë herë Superkupën evropiane, Kupën Latine dy herë, Kupën Ndërkontinentale tri herë, një herë Kupën Eva Duarte, dhe një herë Kupën Liga të Spanjës. 

QËNDRONI TË LIDHUR