• e diel, 22 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/ 17 dhjetor/ 2023

Shkup - Mbi 3.600 fëmijë janë vaksinuar në shtëpitë e tyre ose u është caktuar termin për vaksinim dhe janë shpërndarë mbi 7.500 materiale informative, në kuadër të fushatës së përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, të titulluar "Derë më derë". Siç informuan sot nga Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të kësaj fushate janë vaksinuar në shtëpitë e tyre me vaksinën e gripit sezonal edhe 2.630 qytetarë mbi 65 vjeç, të cilët nuk kanë mundur të kenë qasje deri te pikat e imunizimit. Për ta është siguruar edhe një rivaksinim bivalent për Kovid-19.

Shkup - I gjithë sistemi duhet të konsolidohet në aspektin e hetimeve, gjykimeve dhe kryerjes së sanksioneve. Është diçka që duhet ta kuptojmë dhe ta pranojmë si situatë që duhet të ndryshojë, tha sot numri një i policisë, Oliver Spasovski, duke komentuar deklaratën e ambasadores amerikane Anxhela Ageler se institucionet duhet të shihen në sy dhe të pyesin veten se çfarë kanë mundur të bëjnë që të parandalohet vrasja e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska.

Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti sot në një deklaratë për mediat tha se duhet të zgjidhet çështja e punonjësve shëndetësorë të cilët shumë vite punojnë me kontratë në vepër. "Ata punojnë nga pesë-gjashtë vjet me kontrata në vepër, ndërsa disa nga ata edhe më shumë vite. Për këtë çështjen e hapa në mbledhjen e Qeverisë të martën e kaluar dhe patëm diskutim të ashpër me ministrin e financave. Duhet të angazhohemi që këto çështje t'i zgjidhim dhe t'i vendosim në rrugë të drejtë. Mezi e pres mbledhjen e re të Qeverisë të martën që të shoh se cilat janë mendimet dhe çka më tutje", theksoi Mexhiti, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

Manastir - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva sot në Manastir promovuan një helikopter me pajisje të re për ndihmë urgjente mjekësore.  Resursi i ri është siguruar përmes bashkëpunimit me policinë sllovene e cila ka dhuruar pajisje për rinovim të një helikopteri, i cili mund të përshtatet për më shumë helikopterë. Për ndryshimin e plotë të pajisjes nevojiten rreth 15 minuta, ndërsa intervenimi nga cilado anë e vendit mund të kryhet për 40 minuta. Helikopteri ka pajisje mjekësore për transport ajror, ndërsa SPQ "8 Shtatori" do të mundësojë ekip profesionist me përvojë për shoqërim të pacientit.

Shkup - Profesoresha Renata Deskoska është zgjedhur nënkryetare e Nënkomisionit për gjyqësi në Komisionin e Venecias. Deskoska është zgjedhur në sesionin e 137-të të Komisionit të Venecias i cili u mbajt nga data 14 deri 16 e këtij muaji. Kryetar i nënkomisionit është zgjedhur prof.dr. Nikos Alivizatos, profesor i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Athinës dhe ish ministër i Punëve të Brendshme të Greqisë. 

Shkup - Prej orës 8:30 është hequr ndalesa për automjete të rënda transportuese në aksin rrugor Mavrovë - Hanet e Mavrovës, njoftoi Lidhja Automote e Maqedonisë. Mbetet ndalesa për lëvizje të automjeteve të rënda transportuese në aksin rrugor Berovë Strumicë e cila vlen prej mbrëmë për shkak të reshjeve të mëdha të borës dhe druve të rënë në rrugë. Ekipi i ndërmarrjes publike "Rrugët e Maqedonisë" gjatë ditës së djeshme punoi edhe në largimin e drurëve.

Shkup - Është sanuar defekti i madh në Kejin "Dimitar Vllahov" në afërsi të Qendrës Kulturore Rinore, i cili prej dje paradite la pa ujë pjesën më të madhe të rajonit qendror të qytetit. Defekti, siç informuan nga ndërmarrja publike "Ujësjellësi dhe Kanalizimi" është sanuar mbrëmë në orën 03:50.

Shkup - Heronjtë e përrallave, filmave vizatimorë dhe Babadimri i gëzuan sot të vegjlit në Klinikën e Fëmijëve në Shkup në kuadër të ngjarjes tradicionale "Të dhurojmë buzëqeshje". Hirushja, Medo, Spajdermeni, Betmeni, ishin pjesë e heronjve që u shoqëruan me fëmijët. Drejtoresha e Klinikës, Stojka Naceva Fushtiq informoi se për momentin në Klinikë gjenden rreth 80 fëmijë. Në deklaratë për mediat, Naceva Fushtiq tha se Kryqi i Kuq nuk i harron fëmijët, veçanërisht ata në spital, duke theksuar se kjo ngjarje ngjall buzëqeshje te ata. Argjend Çilafi, koordinator i Ekipit për Përgjigje gjatë Katastrofave në kuadër të Kryqit të Kuq të Shkupit, theksoi se për të gjashtën herë e organizojnë këtë ngjarje me pjesëmarrje të Ekipit për shpëtim në male në kuadër të Kryqit të Kuq të Shkupit, të mbështetur nga "Animacion Bambino".

Kumanovë - Serbët nga Kumanova sot në Klubin e veteranëve të rezervës votojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi. Kryetari i Këshillit Zgjedhor në vendvotimin 54, Zoran Kovaçeviq në deklaratë për MIA-n thotë se zgjedhjet zhvillohen pa probleme dhe se vendvotimi është hapur në orën 7.

Prishtinë - Tre persona humbën jetën mbrëmë vonë kur një automobil që merrte pjesë në garën e jashtëligjshme në autostradën e Kosovës e kishte humbur kontrollin dhe kishte përfunduar në publik, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Përveç tre të vdekurve, në aksidentin në autostradën "Ibrahim Rugova" në afërsi të Prizrenit janë plagosur edhe tre nga shikuesit e garës mes dy veturave të llojit "folsfagen golf".  Të lënduarve u është ofruar ndihmë mjekësore, përderisa shoferi i dyshuar i veturës e cila goditi në publik është arrestuar.

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u bëri thirrje shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në jug të Serbisë që masivisht të dalin në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe komunale që po mbahen sot në Serbi, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Osmani theksoi se pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës në zgjedhjet në Serbi do të jetë “përgjigja më e përshtatshme dhe më demokratike kundër politikës shoviniste të Beogradit”

Beograd - Në Serbi sot mbahen zgjedhje parlamentare dhe zgjedhje për deputetët në Kuvendin e Vojvodinës, si dhe zgjedhje lokale në 65 komuna dhe qytete, duke përfshirë edhe Beogradin. Këto janë zgjedhjet e 14-ta parlamentare në Serbi që nga vendosja e sistemit shumëpartiak, ndërsa të nëntat të jashtëzakonshme.  Të drejtën e votës mund ta realizojnë 6.500.666 votues të regjistruar në 8.273 vendvotime në gjithë vendin. Vendvotimet janë hapur sot në orën 7, ndërsa nëse nuk ka ndonjë ndërperje do të mbyllen në orën 20.

Lisbonë - Partia Socialiste Portugeze e zgjodhi Pedro Nuno Santos për lider të ri, i cili do ta udhëheqë partinë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 10 mars të vitit të ardhshëm. Santos e mori kryesimin e partisë pas dorëheqjes së kryeministrit portugez dhe lider i deritanishëm i Partisë Socialiste, Antonio Kosta, i cili u gjet në qendër të hetimit për korrupsion, transmetojnë mediat britanike. Santos, ish-ministër portugez i infrastrukturës, fitoi zgjedhjet e brendshme partiake me 62 përqind të votave ndaj kundërshtarit të tij, ministrit aktual të Punëve të Brendshme. Hose Luis Karneiro.

Varshavë - Ka ndërruar jetë kamionisti i tretë ukrainas në bllokadën në kufirin polak, e organizuar nga kamionistët polakë, informon televizioni publik ukrainas Suspilne. Duke e cituar një përfaqësues të Asociacinit Ndërkombëtar Ukrainas të Transportuesve, televizioni njoftoi se shoferit i ishte përkeqësuar gjendja në vendkalimin Krakivec - Korshovë, që është një nga katër pikat e përfshira nga protestat. Suspilne shton se muajin e kaluar në bllokada tashmë humbën jetën dy shoferë të tjerë të kamionëve. 

Berlin – Shefi i diplomacisë ukrainase Dmitro Kuleba ka lavdëruar ndërhyrjen e pazakontë të kancelarit gjerman Olaf Sholc në samitin e BE-së gjatë kësaj jave, veprim që mundësoi fillimin e bisedimeve për inkuadrim të Kievit në BE, transmeton DPA. "Ajo që bëri kancelari Olaf Sholc në samit për të shmangur kërcënimin e vetos hungareze do të mbetet e shkruar në histori si një akt i lidershipit gjerman në interes të Evropës”, tha Kuleba për gazetën "Bild am Zontag".

Paris - Një diplomat francez ka humbur jetën nga lëndimet e mara këtë javë gjatë një sulmi izraelit me bomba në Rripin e Gazës, njoftoi Ministria franceze e Punëve të Jashtme, transmetoi DPA. Nëpunësi ishte strehuar në shtëpinë e një prej kolegëve të tij nga konsullata franceze në Rafah, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, në afërsi të kufirit me Egjiptin, me edhe dy kolegë dhe anëtarë të familjes, njoftoi ministria franceze. 

Moskë - Rusia nuk ka probleme me vendet e NATO-s, ato janë ato që artificialisht krijojnë probleme, ata nuk duan një konkurrent si Federata Ruse, deklaroi sot presidenti rus, Vladimir Putin. Në intervistën për televizionin “Rusia 1”, Putini tha se NATO është oborri i SHBA-së dhe se SHBA-ja është pronare e kësaj organizate ushtarake. Deklaratat e presidentit amerikan Xhozef Bajden për një sulm të mundshëm rus ndaj vendeve të NATO-s, sipas presidentit rus janë absurde.

Gjenevë - Ndihma e shpejtë në spitalin "Al Shifa" në Rripin e Gazës është shndërruar në një vend “të lagur në gjak”, paralajmëroi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). OBSH thekson se dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur po përdorin ndërtesën e spitalit dhe zonën përreth spitalit si strehë dhe se atje ka mungesë të madhe të ushqimit dhe ujit të pijshëm. “Dhomat e operacionit nuk funksionojnë për shkak të mungesës së karburantit, oksigjenit dhe furnizimeve të tjera”, thuhet në deklaratën e OBSH-së, pasi një ekip i kësaj organizate së bashku me agjenci të tjera të KB-së dje arritën të dërgonin materiale mjekësore në spital.

Londër - Ministri britanik i Punëve të Jashtme, Dejvid Kameron dhe homologia e tij gjermane Analena Berbok deklaruan se "urgjentisht është i nevojshëm armëpushim i përhershëm" në Rripin e Gazës, por e kundërshtuan idenë për "armëpushim të përgjithshëm dhe urgjent".  "Duhet të bëjmë çmos që të mund ta hapim rrugën drejt armëpushimit të përhershëm, që do të sjellë paqe të qëndrueshme. Më së miri do të ishte sa më shpejtë, është urgjente, shkruan në tekstin e përbashkët në Sandej Tajms. "Shumë civilë janë vrarë", theksuan ata.

Nju Jork - Ish presidenti amerikan Donald Tramp dhe një nga pretendentët e republikanëve për pjesëmarrje në garën e re presidenciale, vitin e ardhshëm në nëntor, në një tubim në Nju Hemshir doli me deklaratë skandaloze me të cilën i akuzoi emigrantët për, siç tha, "helmim të gjakut të Amerikës". "Gardian", njofton se deklarata e tillë e Trampit vjen vetëm disa javë pasi disa pjesë të shoqërisë amerikane të cilat nuk i do ai, i përshkroi si "dëmtues".

Tripoli  - Të paktën 61 emigrantë, në mesin e të cilëve edhe gra dhe fëmijë, janë mbytur në një anije pa vela në afërsi të Libisë, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Emigrim (IOM). IOM në platformën X njoftoi se, sipas deklaratave të të mbijetuarve, në anije kishte 86 persona dhe se ajo ishte nisur nga qyteti libian Zvar, transmetojnë mediat britanike.

Baija Blanka - Të paktën 13 persona humbën jetën në qytetin argjentinas Baija Blanka, deklaroi kryetari i këtij qyteti bregdetar, pasi një stuhi e fuqishme e goditi bregun atlantik në këtë vend të Amerikës Jugore. Federiko Susbiels, kryetari i Baija Blanka, e konfirmoi numrin e të vdekurve në një deklaratë në rrjetin social X. Qyteti gjendet në afërsi të pjesës jugore të provincës Buenos Aires, një nga rajonat në Argjentinë me prodhimtari më të madhe të grurit. 

Tel Aviv - Shefi i diplomacisë izraelite, Eli Koen sot deklaroi se Franca mund të luajë rol kyç në parandalimin e një lufte potenciale gjithëpërfshirëse mes Izraelit dhe grupit terrorist Hezbollah me bazë në Liban, bën të ditur "Tajmsi izraelit". Franca mund të luajë rol pozitiv dhe domethënës për të parandaluar luftën në Liban, tha Koen në brifingun e përbashkët me ministren për Punë të Jashtme të Francës Ketrin Kolona e cila nga sot gjendet për vizitë në Izrael. Izraeli prej kohësh thekson se grupi terrorist Hezbollah i cili mbështetet drejtpërdrejt nga Irani duhet të dëbohet në veri të lumit Litani.

Gazë - Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) informuan se gjatë 24 orëve të kaluara kanë goditur rreth 200 lokacione të Hamasit në Rripin e Gazës dhe kanë zbuluar tunele nëntokësore të grupit palestinez në rajonin e shkollës së Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë Palestinezë (UNRWA). IDF njoftoi se armata izraelite ka kërkuar disa banesa të cilat i shfrytëzonte Hamasi në qytetin Gazë dhe ka gjetur armë zjarri, pajisje shpërthyese dhe pajisje të tjera ushtarake. Në qytetin Gazë, ushtarët kanë zbuluar edhe një tunel të Hamasit të gjatë 15 metra, që më vonë është shkatërruar në një sulm ajror, njoftoi IDF.

Pekin - Temperaturat në disa pjesë të Kinës, përfshirë edhe provincat Shansi, Hebej dhe Liaoning, arritën nivelin më të ulët që nga fillimi i evidencës, informon sot televizioni shtetëror kinez. Sipas parashikimeve, qyteti Jiçun, në rajonin Heilongxhang, mund të shënojë temperaturë të ulët rekord prej minus 47,9 gradë Celsius, transmetojnë mediat britanike. 

Gazë - Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ndihmë për refugjatët palestinez (UNRVA) sot publikoi se Gaza po shndërrohet në varrezë për popullatën e bllokuar mes luftës, rrethimit dhe varfërisë. "Bombardimet e vazhdueshme izraelite ndaj Rripit të Gazës dhe kufizimet e vendosura për qasje në ndihmën humanitare po e pengojnë aftësinë e UNRVA-s për të ofruar ndihmë", theksohet në postimin në platformën X të UNRVA-s.

Mursia- Të gjitha 7.500 biletat për ndeshjen ekzibicionuese ndërmjet Karlos Alkaraz dhe Roberto Bautista Agut janë shitur që në ditën e hapjes. Sipas “Eurosport”, shitja ka filluar dje në orën 12, ndërsa rreth orës 13:30 nuk ka pasur më bileta. Bileta më e lirë kushton 5 euro. Ndeshja do të luhet më 28 dhjetor në Mursia. Njëzetvjeçari Alkaraz është i dyti në renditjen e ATP-së, ndërsa bashkëkombësi i tij nga Spanja Agut gjendet në vendin e 57-të.

Londër - Mohamed Sallah mund të transferohet në Arabinë Saudite pas përfundimit të sezonit. Al- Itihad u përpoq të nënshkruajë me sulmuesin e krahut të Liverpulit verën e kaluar. U bë e ditur se klubi saudit ishte i gatshëm të paguajë madje 200 milionë paund, por transferi nuk u realizua. Sallah do të jetë objektivi kryesor i transferit të sauditëve verën e ardhshme pasi ata bëjnë përpjekje të reja për ta angazhuar lojtarin, transmeton "Dejli Mejl". Duket se vitin e ardhshëm klubet nga Lindja e Mesme do të fillojnë të shpenzojnë më pak para për ardhjet e reja, por rasti i Sallahut konsiderohet si përjashtim.

QËNDRONI TË LIDHUR