• e hënë, 23 dhjetor 2024
MIA Flesh

15:00/30 prill/2023/

Shkup - Gjatë ditës së djeshme janë evakuuar katër shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Sudani, i cili është përfshirë në konfliktin e armatosur, informoi sot Ministria e Punëve të Jashtme. Në kumtesë, potencohet se evakuimi u krye me ndihmën e Arabisë Saudite, për të cilën MPJ shprehë mirënjohje të sinqertë.

Shkup - Për më pak se një muaj, 27 maj, 15.620 nxënës të shkollave të mesme të cilët janë paraqitur që ta japin maturën shtetërore duhet të testohen për provimin e parë ekstern - Gjuhë amtare (gjuhë shqipe, maqedonase, turke) dhe letërsi. Provimi përfundimtar do të jetë i pasigurt në qoftë se mbi një javë zgjat greva e përgjithshme, të cilën të punësuarit në Qendrën Shtetërore të Provimeve (QSHP) e filluan të martën. Njëzet e nëntë punonjësit kërkojnë paga më të larta, të cilat nuk janë rritur as pas rritjes së sërishme të pagës minimale, e cila ka sjellë barazimin e pagave për pozicione të ndryshme pune. Pothuajse gjysma e tyre, 11, marrin rreth 20.100 denarë, kurse këshilltarët që, siç thonë, janë shtylla e QSHP, marrin pagë prej 26 mijë denarë. Ndryshimet e marrëveshjes kolektive me të cilat do të fitonin rritje lineare ata ia kanë dorëzuar Ministrisë së Financave, nga e cila po kërkojnë miratimin.

Athinë –  Me investime në fotovoltaikë dhe në burime të rinovueshme të energjisë, si edhe me lidhje rajonale mund të arrijmë pavarësi energjetike, thotë drejtori i përgjithshëm i "Nomagas" Bajram Rexhepi në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina dhe potencoi se energjia gjithnjë e më shumë përdoret si armë shumë e fuqishme gjeopolitike. Rexhepi, i cili mori pjesë në Forumin e tetë Ekonomik Delfi që mbahet në Greqi për MIA-n e potencoi rëndësinë e lidhjes energjetike midis vendeve, flet për dy projektet më të mëdha me Greqinë, interkonektuesin e gazit natyror dhe terminalin për gaz të lëngshëm natyror në Aleksandropuli por edhe për leksionet eventuale që i kemi mësuar nga kriza energjetike.

Shkup - Inflacioni i lartë ndikon në ridistribuimin e të ardhurave, ngadalësimin e konsumit dhe kështu edhe në ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe rritjen ekonomike. Marzhet e fitimit, të cilat në një pjesë të caktuar janë më të larta se ato realet, ushtrojnë presion mbi çmimet dhe pagat dhe në këtë mënyrë ruajnë inflacionin për një periudhë më të gjatë. Gjatë kohës kur ekonomia globale përballet me sfida të shumta, të ndërlidhura kryesisht me inflacionin rezistent, hartuesit e politikave do të fokusohen me çdo kusht në luftimin e inflacionit. Politikat ekonomike të Qeverisë sonë destinohen në tre fronte – përkrahjen e standardit të qytetarëve, veçanërisht të kategorive më të ndjeshme, mandej luftimin e inflacionit, si dhe përkrahjen e investimeve dhe ruajtjen e normave pozitive të rritjes në periudhë afatshkurtër, e më pas përshpejtimin e saj.Këto janë konkluzionet e kolumnës së fundit të ministrit të Financave, Fatmir Besimi, dedikuar ruajtjes së rritjes në kohën e ngadalësimit të ekonomisë globale, inflacionit të lartë dhe ridistribuimit të të ardhurave.

Shkup - SPB Shkup nesër do të ndërmarrë masa për regjim të posaçëm të trafikut nëpër disa rrugë në qendër të Shkupit për shkak të mbajtjes së dy protestave të sindikatave. Siç njofton MPB, nga ora 10:00 deri në orën 12:30 minuta do të ketë regjim të posaçëm për shkak të protestës së organizuar nga ana e Konfederatës së Sindikatave të Lira të Maqedonisë me trase të lëvizjes prej para zyrave të KSL-së në rr. “Divizoni i 50-të” nëpër rrugën “Jordan Mijallkov” pastaj nëpër bulevardin “Klimenti i Ohrit” deri te godina e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shkup - Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor janë anomi, mosrespektim i ligjit dhe mungesë e normave morale, deklaroi ish-gjykatësja Supreme, Vera Koco.Në intervistën për Radio Evropa e Lirë ajo thotë se ambasadorja amerikane me të drejtë ka reaguar në Gjykatën e Apelit, ndërsa arsyetimi i Apelit "nuk qëndron". "Kjo tani që ndodhi në Këshillin Gjyqësor, disi pritej që një gjë e tillë të ndodhte. Jo se ajo (kryetarja Vesna Dameva) u tregua e paaftë në kryerjen e detyrave të saj, por të menaxhosh një Këshill të tillë, një organ të tillë që duhet të kujdeset për autonominë dhe pavarësinë e gjithë gjyqësorit në vendin tonë, është me të vërtetë një detyrë e vështirë dhe e ndërlikuar. Tani ajo që ndodhi e fundit, do të them një fjalë greke që do të thotë anomie. Çfarë është anomia? Do të thotë mosrespektim ose mosekzistencë të dispozitave ligjore dhe mungesë të normave apo vlerave morale. Përkundrazi, kjo që po ndodhte për mua është një ngjarje anomatike", thotë gjyqtarja Koco.

Shkup - SHA EMV dje i prodhoi 10.557 megavat orë energji elektrike, e cila dedikohet për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, si edhe për nevojat për furnizime shtesë për shkollat dhe subjektet e tjera shtetërore jetike, informoi shërbimi për shtyp i Qeverisë. Në termocentrale janë prodhuar 8.614 megavat orë, ndërsa në hidrocentrale dhe në Parkun me erë në Bogdanc janë prodhuar 1.943 megavat orë.

Tiranë - Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR për zgjedhjet lokale në Shqipëri në raportin e tij për dy javët e para të fushatës zgjedhore vlerëson se ajo deri më tani ka qenë me "tone relativisht të qeta". Misioni ka në fokus edhe numrin e kandidatëve, ku ndër të tjera thekson se gjithsej 40 parti dhe koalicione me 144 kandidatë për kryetar bashkie dhe rreth 23.700 kandidatë për këshilla bashkiakë konkurrojnë për 61 poste për kryetar bashkie dhe 1.603 poste për këshilla. Nga numri i përgjithshëm, dy janë kandidatë të pavarur për kryetar bashkie dhe dhjetë për këshillat bashkiakë. "Nga 144 kandidatë për kryetar komune vetëm 15 janë gra. Dyzet kandidatë janë ende në shqyrtim nga Prokuroria Publike dhe pritet vendimi përfundimtar për pranimin e tyre. Në listën e vetme zgjedhore janë regjistruar 3.650.550 persona me të drejtë vote", qëndron midis tjerash në raport.

Londër - "Fajzer" dhe "Biontek" i dhanë propozim të ri BE-së lidhur me sasitë e mëdha të vaksinave kundër koronavirusit të porositura nga Brukseli, sipas të cilave vendet-anëtare kanë paguar gjysmë çmimi, ose rreth 10 për qind për secilën prej 70 milionë dozave prej të cilave BE-ja heq dorë, shkruan sot "Fajnanshëll tajms". Shtesë, ndryshimet e marrëveshjes do t'i mundësojnë BE-së të transferohet në vaksina më të reja të përshtatura me "të gjitha variantet e ardhshme të Kovid-19", shtohet në shkrim.

Takasaki - Vendet e G7-ës u pajtuan se duhet të miratojnë rregullativa për inteligjencën artificiale që "bazohen në rrezik". Megjithatë, rregullativat për të cilat bëhet fjalë duhet të "ruajnë mjedis të hapur dhe të këndshëm" për zhvillimin e teknologjisë dhe duhet të bazohen në vlerat demokratike, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të G7 përgjegjës për teknologjitë digjitale, që u publikua në fund të takimit të tyre dyditor në Japoni.

Uashington - Autoritetet amerikane i bënë thirrje Pekinit që ta ndërpresë aksionin e tij "proaktiv dhe të rrezikshëm" në ujërat kontestues të Detit Jugor Kinez, pasi iu shmang përplasjes së paracakohshme midis një anijeje të rojës bregdetare kineze dhe një anijeje filipinase. "I bëjmë thirrje Pekinit të heqë dorë nga aksioni i tij proaktiv dhe i rrezikshëm", deklaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Methju Miler, duke shtuar se SHBA-ja i mbështetë Filipinet.

 

QËNDRONI TË LIDHUR