• e hënë, 23 dhjetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

12:00/ 5 prill/ 2024

Shkup - Presidenti i vendit duhet të jetë indi lidhës i narrativave të ndryshme politike dhe etnike. Roli i tij është roli i babait të kombit dhe ai duhet të jetë krijues dhe vazhdimisht të bëjë thirrje për arritjen e konsensusit shtetëror – konsensus politik shtetëror, por edhe konsensus ekonomik shtetëror. Para së gjithash konsensus për anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Evropian, thekson në një intervistë për MIA-n kandidati për president i BDI-së dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ai thekson se ndër shtyllat e programit të tij zgjedhor do të jetë edhe Bashkimi Evropian deri në vitin 2030, do të ofrojë më shumë integrim para anëtarësimit në Union, ndërsa në intervistën për MIA-n ka paralajmëruar fillimin e marrëveshjes ekonomike kornizë. Ai po ashtu thekson se janë pjekur kushtet që qytetarët të votojnë për kompetencë e jo për përkatësi etnike dhe pret mbështetje nga qytetarët nga të gjitha bashkësitë etnike. Ai vlerëson se ka shanse serioze që qytetarët këtë herë t'i tejkalojnë linjat etnike dhe të vendosin për një kandidat që mund të sigurojë përparimin e shtetit.

Shkup - Kryetari i BNJLV, Orce Gjorgjievski kishte takim me kryetarin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski dhe me anëtarë të këtij organi, informojnë sot nga BNJVL. "Në takimin e inicuar me kërkesë të KSHZ-së, ishte kërkuar mbështetje adekuate teknike dhe logjistike nga komunat në procesin e zbatimit të aktiviteteve zgjedhore. Komunat detyrohen ligjërisht të sigurojnë hapësirë për zbatimin e votimit, por nuk u theksua se në disa pika zgjedhore është e nevojshme mbështetje edhe në sigurimin e ndihmesave të caktuara teknike, si kompjuterë, printerë dhe të ngjashme", thuhet në kumtesën e BNJVL.

Shkup- Zëvendësministri plotësues i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev sot (05.04.2024) ka mbajtur takim pune me udhëheqësinë e Stacionit Policor me Kompetenca të Përgjithshme “Bit Pazar” pranë SPB Shkup, në kuadër të një sërë vizitash të njësiteve organizative të Ministrisë së Punëve të Brendshme në të gjithë vendin, me synim rishikimin e rezultateve të deritanishme dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme.

Shkup - Departamenti për Kontrollë të Brendshme, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së deri te Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Krimeve të Kryera nga Persona me Autorizim Policor dhe pjesëtarë të Policisë së Burgjeve, ka parashtruar kallëzim penal kundër M.I. dhe K.S., nëpunës policorë në Stacionin Policor për Kalim Kufitar “Bllacë e Poshtme” pranë Qendrën Rajonale për Çështje Kufitare “Veri” për shkak të ekzistimit të dyshimit bazuar se kanë kryer veprën penale “punë nga pakujdesia në shërbim” nga neni 353c të Kodit Penal, njoftoi MPB-ja.

Shkup - Pagesa e mbështetjes financiare kryhet në bazë të evidencës së shfrytëzuesve të së drejtës së kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar, me ç'rast për të gjithë personat me të drejtë kompendimi për shkak të pengesës në zhvillim është kryer pagesë pa marrë parasysh moshën e shfrytëzuesit. Kështu janë përgjigjur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për MIA-n, pasi Gjykata Kushtetuese anuloi pjesën e Ligjit për Mbështetjen financiare të kategorive vulnerabël me aftësi të kufizuara, nga zgjidhja ligjore në dhjetor të vitit 2023, e cila kufizonte mundësinë e marrjes së një mbështetjeje të tillë deri në moshën 65-vjeçare.

Shkup - Dita ndërkombëtare e romëve 8 Prilli (e hënë), është ditë jopune për pjesëtarët e komunitetit rom në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Nga Ministria, pjesëtarëve të komunitetit rom në Republikën e Maqedonisë së Veriut ua urojnë Ditën ndërkombëtare të romëve.

Shkup - Më së ftohti sot në mëngjes është në Berovë me zero gradë, tre gradë janë matur në Hanet e Mavrovës, katër në Shkup-Petrovec, Ohër, Kriva Pallankë, Demir Kapi, Manastir, Pretor, Kodra e Diellit. pesë në Tetovë, Strumicë dhe Shtip, gjashtë në Prilep, Veles, Kumanovë, shtatë në Shkup-Zajçev Rid, Kavadar, Krushevë dhe Gjevgjeli dhe 10 në Dojran. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike informoi se gjatë natës moti ka qenë kryesisht i kthjellët. Në vendet më të larta frynte erë e lehtë nga drejtimi i ndryshueshëm. Mëngjesi i sotëm është me diell me paraqitje të vranësirave të ulëta deri në mesatare në pjesët lindore. Moti sot do të jetë me diell me vranësira të vogla deri në mesatare lokale. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor. Temperaturat maksimale do të lëvizin nga 20 deri në 28 gradë.

Prishtinë - Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi thotë se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, kur është në pyetje veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, "gjithmonë ka pasur tensione para se të bëhen lëshime" ndaj Beogradit, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në intervistën e djeshme për televizionin T7, Gashi numëroi disa nga, sipas tij, lëshimeve të cilat i bëri Kurti gjatë qeverisjes, në mesin e të cilave targat, dokumentet personale të serbëve të Kosovës, ndarja e tokës për Manastirin e Deçanit dhe të tjera. 

Prishtinë - Agjencia e Statistikave të Kosovës e ka filluar nis procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, i cili do të zgjasë deri më 17 maj. Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 deri në 2000 euro për person. ASK ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave. ASK shpreh mirënjohje për angazhimin e stafit prej mbi 5.000 persona dhe të qytetarëve për një bashkëpunim në një moment kyç, ku çdo person ka rëndësi.

Prishtinë - Partia e Serbëve të Kosovës (PSK),  me në krye Aleksandar Jabllanoviq u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë që fillon sot, duke konsideruar se regjistrimi në këtë moment është i “papranueshëm” dhe se bëhet fjalë për “moment politik dhe nga aspekti i sigurisë më sfidues dhe i padëshirueshëm për serbët në Kosovë”. Kjo parti shkruan në Fejsbuk se “kjo është dëshirë e Albin Kurtit për të parë se sa serbë ka arritur të dëbojë nga Kosova”.

Bruksel- Komisioni Evropian e përshëndeti marrëveshjen politike të arritur dje në mes të Parlamentit Evropian dhe Këshillit të BE-së për Mekanizmin për Reforma dhe Rritje në Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh, si mbështetje e Planit të rritjes për rajonin, të cilin e propozoi nëntorin e kaluar. Sipas kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, mekanizmi financiar i rënë dakord prej gjashtë miliardë eurosh është një hap kyç në procesin e zgjerimit, i cili është prioriteti kryesor gjeostrategjik i BE-së. "Me kombinimin e ndihmës financiare në rritje dhe reformave do të përshpejtohet përparimi i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së, do të inkurajohet konvergjenca e tyre ekonomike dhe do të integrohen më mirë në tregun tonë të vetëm pak para anëtarësimit. Ne duam ta afrojmë sa më shpejtë Ballkanin Perëndimor me Unionin tonë", tha Fon der Lajen.

Moskë - Forcat ruse kanë rrëzuar 53 dronë ukrainas në disa rajone, kumtoi sot Ministria e Mbrojtjes. “Gjatë natës dhe sot në mëngjes, janë parandaluar disa përpjekje të regjimit në Kiev për të kryer sulme terroriste duke përdorur dronë”, theksohet në kumtesën. Janë rrëzuar gjithsej 53 dronë, 44 prej të cilëve mbi rajonin jugor Rostov. Selia e operacionit rus në Ukrainë ndodhet në qytetin Rostov.

Bruksel - Bullgarët, rumunët, serbët dhe ukrainasit janë pjesëmarrësit kryesorë në rrjetet më të rrezikshme kriminele për trafikim të njerëzve në BE me qëllim të eksploatimit të punës dhe seksual, tregojnë të dhënat në raportin e Europolit, të publikuar sot. Në dokument vërehet se në BE veprrojnë 821 rrjete të rrezikshme kriminele, të ndërlidhura me trafikim të narkotikëve (kryesisht kokainë), cigare, trafikim të njerëzve dhe zhvatje. "Zakonisht pjesëmarrësit në këtë organizatë vijnë nga Ballkani Perëndimor, kryesisht nga Shqipëria, por edhe nga Turqia dhe Maroku", theksoi në konferencën për shtyp ministrja belge e Punëve të Brendshme, Anelis Verlinden.

Bruksel - Turqia nuk e miraton takimin trepalësh mes Armenisë, SHBA-së dhe BE-së, të caktuar për sot në Bruksel, për shkak të mungesës së Azerbajxhanit, që, sipas Ankarasë zyrtare, e minon qasjen neutrale të rajonit ndaj çështjeve të ndërlikuara, potencialisht duke nxitur konfrontim gjeopolitik, informon agjencia Anadollia. Në takimin trepalësh sot në Bruksel do të marrin pjesë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sekretari shtetëror i SHBA-së, Entoni Blinken dhe kryeministri armen, Nikoll Pashinjan. 

 

Tokio - Japonia do të zgjerojë ndalimin e eksporteve në Rusi për 164 produkte të tjera industriale, siç janë bateritë litium-jonike, tubacionet e gazit dhe vajrat e motorëve të automobilave, kumtoi Ministria e Tregtisë, transmetuan mediat britanike. Shtesa e fundit në listën e kontrollit të eksporteve të Japonisë si pjesë e sanksioneve të saj kundër veprimeve të Moskës në Ukrainë, të cilat përfshijnë gjithashtu termostate, produkte nitrocelulozë dhe makineri të përpunimit të drurit, do të hyjë në fuqi më 17 prill, kumtoi ministria.

Nju-Jork - Gjykata e Nju Jorkut më 22 prill do të mbajë një seancë dëgjimore për garancinë prej 175 milionë dollarësh që ish-presidenti amerikan Donald Tramp e pagoi si pjesë e ankesës së tij për aktvendimin për mashtrim prej 454 milionë dollarësh, kumtoi zyra e Prokurorit publik shtetëror. Zyra e Prokurores shtetërore të Nju-Jorkut, Leticia Xhejms kumtoi se Tramp duhet të sigurojë prova se kompania që ai emëroi për të shkruar garancinë, Knight Special Insurance Company, ka mjete të mjaftueshme për të paguar shumën nëse ankesa e tij refuzohet, transmetuan mediat britanike.

Londër - Menaxheri i Çellsit, Maurisio Poketino, ishte më se i kënaqur nga kthesa dramatike mbrëmë kundër Mançester Junajted për fitoren me rezultatin 4:3 në "Stamford Brixh". Argjentinasi pas ndeshjes ka shprehur mendim se ekipi më i mirë ka fituar, edhe pse nuk ka qenë lehtë. "Filluam fuqishëm, por goli i pranuar ka ndikuar negativisht tek ne. Mançester Junajted është shumë i rrezikshëm në transformimin prej mborjtjes në sulm. Dua që të jemi më të mirë në situata të tilla. Realiteti është se që të fitojmë, duhej të bënim më shumë. Nuk do të thoja se ndeshja ishte e shkëlqyer për ne, por gjithsesi ishte shumë e mirë", tha Poketino.

Londër - Menaxheri i Mançester Junajted, Erik ten Hag, vështirë ka gjetur fjalë pasi ekipi i tij mbrëmë humbi me rezultatin 4:3 nga Çellsi në Stemford Brixh. "Djajt e Kuq" ishin në epërsi në sekondat e fundit të ndeshjes, por pranuan dy gola në kohën shtesë dhe u larguan me humbje nga Londra perëndimore. "Filluam keq dhe nuk mbroheshim siç duhet. Por, e vërejtët se pastaj filluam të dominojmë. Loja jonë ishte e mirë dhe merituam të fitojmë. Nuk mund të lejojmë aq lehtë të na ik fitorja. Duhet të mësojmë t'i kontrollojmë ndeshjet. Lehtë mund të akuzojmë një futbollist, por kjo është lojë ekipore. Kur bëhet fjalë për kaos, tërë ekipi duhet të ballafaqohet me këtë, e ne kemi marrë vendime të gabuara dhe nuk i ndihmuam njeri tjetrit. Na mungoi përqëndrimi në lojën pa top dhe kjo u tregua fatale për ne", tha holandezi menjëherë pas ndeshjes.

Paris - Sulmuesi i Pari Sen Zhermenit, Kilian Mbape ka nënshkruar kontratë me Real Madridin në javën e parë të shkurtit të vitit 2024, shkruan "Marka". Kontrata e francezit me klubin madrilen është për pesë vjet.  Mbape refuzoi bonus prej 80 milionë euro të qëndrojë në PSZH për të kaluar në Real Madrid. Ai deklaroi edhe se të ardhmen e tij do ta bëjë të ditur në fillim të Kampionatit Evropian në vitin 2024.  Këtë sezon Mbape luajti në 39 ndeshje, në të cilat shënoi 39 gola dhe 8 asistime. Portali "Transfermarkt" e vlerësoi lojtarin në 180 milionë euro

QËNDRONI TË LIDHUR