18:00 / 22 tetor / 2025
Shkup – Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, sot realizuan takim pune me Tim Rid, drejtor ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare për Financim të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar – UKEF. Në takim u bisedua për hollësitë rreth bashkëpunimit dhe mbështetjes që e mundëson kjo Agjenci në kuadër të Marrëveshjes për bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, njoftoi Ministria e Transportit. Maqedonisë i janë lënë në dispozicion 6 miliardë euro përmes UKEF për realizim të projekteve kapitale të cilat duhet ta mbështesin zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit dhe të sjellin vlerë të shtuar në pjesën e transportit, shëndetësisë, arsimit, energjetikës dhe mjedisit jetësor.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mori pjesë në një punëtori të organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila kishte për qëllim përmirësimin e komunikimit dhe koordinimit, si parakusht për një institucion funksional dhe, rrjedhimisht, për një sistem shëndetësor efektiv. "Është e domosdoshme të ndërtojmë një mekanizëm për komunikim në kohë dhe në mënyrë efektive, si dhe mjete për ndjekjen dhe vlerësimin e grupeve tona punuese dhe komisioneve. Qëllimi është që Ministria e Shëndetësisë të bëhet shembull i një institucioni që funksionon në mënyrë transparente, të planifikuar dhe profesionale", theksoi ministri Aliu gjatë punëtorisë.
Shkup - Kryetari aktual i komunës së Kumanovës dhe kandidat për mandatin e radhës, Maksim Dimitrievski ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të koalicionit VLEN, ku siç thotë, ka marrë "mbështetje për balotazhin e 2 nëntorit të zgjedhjeve lokale". Në takim morën pjesë kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti dhe sekretari organizativ i Alternativës, Bashkim Murtezi. “Gjatë një bisede të ngrohtë dhe të sinqertë, mora mbështetje të fuqishme nga përfaqësuesit e partnerit të koalicionit VLEN për raundin e dytë në Kumanovë. Kjo përkrahje pasqyron realitetin multietnik dhe multikulturor të qytetit tonë dhe na jep energji shtesë për të vazhduar drejt realizimit të projekteve në interes të të gjithë qytetarëve”, shkroi Dimitrievski në një postim në rrjetet sociale.
Shkup - Në gusht të këtij viti paga mesatare mujore neto është 45.310 denarë, ndërsa paga mesatare mujore bruto 68.180 denarë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, ku paga mesatare mujore neto për të punësuar është rritur për 10.3 për qind. Rritja e pagës neto është para së gjithash rreth rritjes së pagës mesatare mujore neto të paguar për punonjës në sektorët: Veprimtaritë e mbrojtjes (kujdesit) shëndetësore dhe sociale për 14.6 për qind, Arsimi për 14.5 për qind dhe Shërbime administrative dhe mbështetëse për 14.1 për qind, ndërsa rritja e pagës bruto i detyrohet, para së gjithash, rritjes së pagës mesatare mujore bruto të paguar për punonjës në sektorët: Veprimtaritë e shëndetësisë dhe mbrojtja shëndetësore për 14.9 për qind, Arsimi për 14.8 për qind dhe Shërbime administrative dhe mbështetëse për 14.4 për qind.
Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë, Ola Solstrom, të cilin e uroi për emërimin në detyrën ambasador dhe i uroi suksese në detyrën e re, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi shumë i suksesshëm dhe dinamik me Ambasadën suedeze do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai gjithashtu shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij ndaj Mbretërisë së Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë përmes projekteve të shumta zhvillimore, jo vetëm në nivel politik, diplomatik dhe institucional, por edhe financiarisht përmes programit të reformave për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut me afërsisht 10 milionë euro në vit, gjë që e bën Suedinë donatorin më të madh individual midis shteteve anëtare të Bashkimit.
Shkup – Kryetari i BNJVL-së dhe kryetar i Kisella Vodës dhe kandidat i VMRO-DPMNE-së për kryetar të ardhshëm të Shkupit, Orce Gjorgjievski informoi se me nismë të kryetarit të Komunës Qendër, Goran Gerasimovski sot u mbajt takim me të gjithë kryetarët e komunave të Shkupit në kuadër të BNJVL, me qëllimin e vetëm, të gjendet zgjidhje për mosfunksionalizimin e NP "Higjiena Komunale”. “Shkupi, për fat të keq, tashmë një kohë të gjatë është shndërruar në një deponi të madhe. Edhe pse disa herë kemi ndërhyrë gjatë viteve të kaluara, ato ishin vetëm ndërhyrje të përkohshme, dytësore sepse komunat nuk kanë mekanizëm të tyre, e as kompetenca që t’i zbrazin kontejnerët”, njoftoi Gjorgjievski në Fejsbuk.
Shkup - Zëvendëskryetari i Qeverisë dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski në kuadër të vizitës së tij të punës në Mbretërinë e Bashkuar sot zhvilloi takim me përfaqësues të Agjencisë kombëtare për financim të eksportit - UKEF. Siç kumtoi Ministria e Transportit, në takim u diskutua mbështetja që ofrohet nga UKEF drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor në pjesën e burimeve të rinovueshme të energjisë, transportit dhe shëndetësisë. Zëvendëskryeministri Nikolloski në takim ka potencuar planet strategjike kombëtare të Maqedonisë për zhvillimin dhe modernizimin e infrastrukturës me theks të veçantë në lidhjen rajonale të rrjetit rrugor dhe hekurudhor, si dhe politikat e tranzicionit të gjelbër.
Shkup - Zëdhënësi i Shtabit zgjedhor të VLEN, Driton Sulejmani sot në një deklaratë për mediat theksoi se shqiptarët në zgjedhjet lokale dërguan një mesazh të qartë se koha e "qeverisjes së keqe, arrogancës dhe mashtrimit ka mbaruar". "Sot, tre ditë pas 19 tetorit, një gjë është e qartë si drita e diellit: shqiptarët folën me një zë të vetëm dhe zgjodhën ndryshimin. Ata dërguan një mesazh të fuqishëm, koha e keqqeverisjes, arrogancës dhe mashtrimit ka marrë fund por edhe në pushtetin lokal. Në çdo cep ku ka shqiptarë, u ndje fryma e fitores, u ndje forca e VLEN-it. Fuqishëm kemi hyrë në raundin e dytë në Tetovë, Dibër, Strugë, Bogovinë, Bërvenicë, Dollnen, ku qytetarët e kanë bërë të qartë se duan dinjitet, zhvillim dhe politikë të pastër", tha Sulejmani. Ai tha se përballë kësaj vullneti të madh qytetar, AKI dështoi por edhe pas humbjes, liderët e këtij koalicioni të zhgënjyer nuk nxorën asnjë mësim.
Beograd - Ambasada ameirikane sot lëshoi një paralajmërim sigurie lidhur me incidentin para parlamentit serb, duke këshilluar të gjithë shtetasit amerikanë që të shmangin atë pjesë të qytetit. Siç njoftoi Ambasada në rrjetin X ka pasur të shtëna, në të cilat një numër i panjohur personash janë plagosur, pas çka ka shpërthyer zjarr në Parkun Pionir, para ndërtesës së parlamentit, në qendër të Beogradit. “Aktualisht, incidenti duket se është lokalizuar dhe nuk ka kërcënime të njohura për shtetasit amerikanë. Ambasada i këshillon të gjithë shtetasve amerikanë të shmangin zonën", thuhet në njoftim.
Oslo – Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski sot e vlerësoi si “kompromis të mirë” propozimin e presidentit amerikan Donald Tramp që bisedimet me Rusinë të fillojnë në bazë të vijës aktuale të frontit. “Presidenti amerikan propozoi që të dyja palët të qëndrojnë aty ku janë dhe të fillojnë bisedime. Mendoj se ai ishte kompromis i mirë, por nuk jam i sigurt se (presidenti rus Vladimir ) Putin do ta mbështesë dhe këtë ia thash Trampit”, theksoi Zelenski.
Londër - Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili e udhëheq delegacionin qeveritar në Londër në Samitin për Ballkanin Perëndimor - Procesi i Berlinit, pasdite informoi se ka nënshkruar Memorandum për mirëkuptim me kompaninë amerikano-britanike "Burstok", e cila do të investojë në industrinë ushtarake në Maqedoni të Veriut. "Sot nënshkruam memorandum për mirëkuptim me kompaninë amerikano-britanike 'Burstok', e cila do të investojë në industrinë ushtarake në Maqedoni deri 150 milionë dollarë, do të kemi 1.000 vende të reja të punës, të paguara mirë dhe ky është vetëm fillimi", publikoi Mickoski në Fejsbuk.
Amsterdam - Izraeli duhet të lejojë ndihmë të mjaftueshme humanitare në Rripin e Gazës dhe të bashkëpunojë me Agjencinë për ndihmë të KB-së, vendosi sot Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë (GJND). Aktgjykimi nga gjykata më e lartë e KB-s në Hagë, i cili nuk është obligativ, thotë se Izraeli, si forcë okupatore, është i obliguar të kujdeset për popullatën në Gazë, njofton DPA. Izraeli duhet të bashkëpunojë edhe me Agjencinë e KB-së për ndihmë dhe punë për refugjatët palestinezë në Lindjen e Mesme - UNRWA, kumtoi gjykata. Izraeli që në janar i ndaloi UNRWA-së të punojë në Rripin e Gazës, përkujtoi DPA.
Jerusalem - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu para takimit me zëvendëspresidentin amerikan Xhej Di Vens deklaroi se Izraeli nuk është protektorat i SHBA-së. "Ne nuk jemi protektorat i SHBA-së. Izraeli është ai që vendos për sigurinë e vet", theksoi Netanjahu. "Para nesh kemi një detyë shumë, shumë të vështirë, të çarmatosim Hamasin dhe të rindërtojmë Gazën, t'ua bëjmë jetën më të mirë popullit të Gazës, por edhe të sigurohemi që Hamasi të mos jetë më kërcënim për miqtë tanë në Izrael", potencoi Vens. Ai para takimit me Netanjahun deklaroi se çarmatosja e Hamasit dhe rindërtimi i Rripit të Gazës do të ishin "detyra shumë të vështira".
Shkup - Në kampin e Shkëndijës mbizotëron optimizëm para duelit të nesërm në Shkup kundër Shelburnit, në kuadër të xhiros së dytë të fazës kryesore të Ligës së konferencës, ndërsa trajneri Jeton Beqiri beson se me lojë të mirë dhe mbështetje nga tribunat në Arenën kombëtare "Todor Proeski", kampioni i Maqedonisë së Veriut mundë të arrijë fitore ndaj kundërshtarit nga Irlanda. "Kemi pasur kohë të mjaftueshme për t'u përgatitur. Edhe pse kundërshtari ka stil të ndryshëm loje nga ne, dëshiroj që me lojë të mirë dhe të mençur të arrijmë te fitorja. E kemi analizuar në detaje ekipin e Shelburnit dhe duhet të luajmë me cilësi. Shpresojmë për lojë të mirë, përkrahje nga publiku dhe fitoren e tre pikëve", deklaroi Beqiri në konferencën për shtyp para duelit të nesërm me fillim në orën 18:45.