18:00 / 10 tetor / 2025
Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, sot vizitoi Komunën e Gjorçe Petrovit, ku zhvilloi takim me kryetarin e Komunës, Aleksandar Stojkovski, me të cilin paralajmëruan vendosjen e "Wi-Fi" zonave falas në parkun e Gjorçe Petrovit. Siç potencoi Andonovski, Komuna e Gjorçe Petrovit është një nga komunat e para ku do të zbatohet projekti për krijimin e zonave "Wi-Fi" falas, me mbështetje nga Bashkimi Evropian përmes planit për Ballkanin Perëndimor. "Gjorçe Petrovi është një nga komunat e para ku kjo do të realizohet me një projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes Planit për Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht 'Wi-Fi' për Ballkanin Perëndimor. Përveç Gjorçe Petrovit, kemi aplikime për më shumë se 60 komuna ku kjo do të realizohet. Ky është projekt, i cili u lehtësua plotësisht nga Ministria e Transformimit Digjital", potencoi Andonovski.
Shkup - Komisioni i Venedikut, Këshillit të Evropës i ka dhënë mendim pozitiv për Propozim ligjin për prokurorinë publike dhe për Propozim ligjin për Këshillin e prokurorëve publikë, informuan nga Ministria e Drejtësisë. Në Venedik, sot është mbajtur seanca e 114-të plenare e Komisionit Evropian për demokraci përmes ligjit - Komisionit i Venedikut pranë Këshillit të Evropës, në të cilin u miratua Mendimi i përbashkët për Propozim ligjin për prokurorinë publike dhe Propozim ligjin për Këshillin e prokurorëve publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. "Në mendimin e miratuar, Komisioni dha një vlerësim pozitiv për procesin dhe përmbajtjen e ligjeve të zhvilluara, janë përshëndetur përpjekjet reformuese të Ministrisë së Drejtësisë. U theksua se në dy propozim-ligjet janë ndjekur standardet ndërkombëtare dhe janë zbatuar të gjitha rekomandimet. U dhanë edhe disa sugjerime shtesë me qëllim përmirësimin e teksteve ligjore. Kjo konfirmon se ligjet janë plotësisht në përputhje me parimet evropiane për profesionalizëm dhe efikasitet të prokurorisë publike, si dhe me standardet për funksionim transparent dhe të përgjegjshëm të Këshillit të Prokurorëve Publikë", thuhet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.
Shkup – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) sot pasdite në kuadër të mbledhjes së 142-të mori vendim për miratimin e akreditimeve për organizatat ndërkombëtare dhe vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të caktuara për 19 tetor. Për Shoqatën Qytetare Civil – Qendra për Liri Shkup u miratuan 51 vëzhgues, 12 shtesë për Parlamentin Evropian, 36 për Shoqatën Qytetare për Forcimin e Vlerave Demokratike Trisi Konstaltiks-Shkup, dy për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të Moldavisë, 98 për ODIHR, 398 akreditime për Shoqatën për Zhvillimin e Inovacioneve Sociale Vejk ap, 27 për Institutin për Strategji Ekonomike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare - Ohër, 20 për Rrjetet Kombëtare Gratë për Gratë, katër për Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në vend dhe 12 akreditime për vëzhgues u miratuan për Ambasadën Britanike në vend.
Shkup - Nevojiten reforma rrënjësore në veprimtarinë kërkimore-shkencore dhe arsimin e lartë, me ç'rast rritja e cilësisë së tyre duhet të kuptohet si një kusht pa të cilin nuk mund të ketë zhvillim human dhe të qëndrueshëm të shoqërisë së vendit tonë. Duke vepruar kështu, ASHAM duhet të jetë lider në këto ndryshime thelbësore shoqërore, theksoi kryetari i ASHAM, akademik Zhivko Popov, në fjalimin e tij me rastin e 58-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut. Sipas kreut të Akademisë, ndryshimet "duhet të kenë karakter sistemik dhe të trajtohen si prioritete strategjike të shtetit". Ndër të tjera, tha, ato do të përfshijnë formimin e një Ministrie të veçantë të Arsimit të Lartë dhe Shkencës, një kuadër ligjor të avancuar dhe racional për arsimin e lartë dhe veprimtarinë kërkimore-shkencore.
Shkup - Grupi Parlamentar Ndërpartiak për Monitorimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit mbajti sot mbledhjen e dytë. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, në mbledhje, prof. dr. Aleksandar Stojkov dhe prof. dr. Borçe Trenovski e prezantuan Pasqyrën paraprake të Programeve të Hartuara Buxhetore në kontekstin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044, e cila përfshin 102 prioritete në 6 fusha strategjike në nivel qendror dhe lokal, përmes një analize të 94 programeve vjetore të 20 institucioneve dhe 67 programeve të pushtetit lokal.
Shkup - Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të pyetjes nga gazetarët theksoi se gjatë kësaj fushate zgjedhore thelbësore është debati përmbajtësor dhe përballja e ofertave para qytetarëve. “Unë mendoj se në fushatën zgjedhore më e rëndësishme është debati dhe përballja e ofertave. Ne nuk jemi të njëjtë. Kemi dallime në të gjitha çështjet”, deklaroi Osmani, duke theksuar se uniteti duhet të bazohet në mbrojtjen e përbashkët të postulateve kyçe kombëtare. Ai e përsëriti mesazhin e tij drejtuar kundërkandidatit Izet Mexhiti, duke theksuar se ekzistojnë dallime të qarta në qasje dhe në parime.
Strumicë – Kur kryeministri Mickoski thotë në tubim se ekonomia ka sukses, shihni faturat e juaja dhe pa syzet e tij ngjyrë rozë këtë ta shihni dhe t’i thoni – kryeministër industria po bie për 3,5 për qind, sektori përpunues për 1,4 për qind, inflacioni rreth 4 për qind, 1,8 miliardë borxh për 13 muaj dhe efekt zero për shpenzimet e juaja, 250 milionë euro të premtuara për biznesin nga kredia hungareze – efekt zero, përveç disa firmave të cilat panë efekt nga kjo, theksoi deputeti i LSDM-së dhe ish zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi në takimin e sotëm me biznesmenë nga Strumica, i cili u mbajt në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale. Ai shtoi se në këto zgjedhje porosia me votimin nuk është që ta mbështetni LSDM-në, por porosia është që ta dini zgjedhjen e vërtetë për njeri për të cilin di të kujdeset në nivel lokal, por edhe që të dërgohet porosia në nivel kombëtar se e kanë gabuar rrugën, se rruga e tyre nuk shpie askund, shpie në humnerë.
Romë - Pritet që vendkalimi kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit të hapet më 14 tetor, ndërsa pas armëpushimit aty do të sistemohen oficerë nga Misioni i Bashkimit Evropian për ndihmë kufitare (EUBAM), kumtuan sot autoritetet italiane. Misioni i BE-së përfshin forca italiane, spanjolle dhe franceze, me qëllim që të sigurohet prania neutrale e palës së tretë në vendkalimin kufitar strategjik. Ofecerët e tij janë sistemuar aty në janar, ndërsa janë tërhequr në mars. Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Kroseto, sot tha se ka miratuar vazhdimin e operacioneve italiane në kuadër të EUBAM për të rihapur vendkalimin kufitar në territorin jugor palestinez në të njëjtat kushte si në janar.
Gjenevë - Fondi i Kombeve të Bashkuara për fëmijë (UNICEF) sot bëri thirrje për hapjen e të gjitha vendkalimeve kufitare për dërgimin e ndihmave ushqimore në Rripin e Gazës, të shkatërruar nga lufta, duke thënë se rastet e vdekjes tek fëmijët mund të rriten për shkak se sistemet e tyre imunitare janë dobësuar rëndë. "Situata është kritike. Rrezikojmë të jemi dëshmitarë të një rritje të madhe të vdekshmërisë tek fëmijët, jo vetëm tek të porsalindurit, por edhe tek foshnjat, pasi sistemet e tyre imunitare janë më të kompromentuara se kurrë", deklaroi zëdhënësi i UNICEF-it, Rikardo Pires, në konferencë për shtyp në Gjenevë. Sot paraprakisht, trupat izraelite filluan të tërhiqen nga pjesët e territorit palestinez sipas një marrëveshjeje armëpushimi me grupin palestinez Hamas, duke zbatuar fazën e parë të planit të presidentit amerikan, Donald Tramp për t'i dhënë fund luftës më shumë se dyvjeçare.
Bruksel – Nga e diela fillon vendosja graduale e sistemit të ri për kalimin e kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian, njoftoi Komisioni Evropian. Vendet – anëtare do të fillojnë të grumbullojnë të dhëna elektronike për shtetas të vendeve të treta të cilët qëndrojnë deri 90 ditë. Periudha kalimtare do të zgjasë gjashtë muaj, me çka vendet vetë do të përcaktojnë në cilat vendkalime kufitare do ta vendosin procedurën e re. Pastaj sistemi do të zgjerohet në të gjitha pikat kufitare. Me rregullat e reja hiqet shtypja e deritanishme e pasaportave – kontrolli do të bëhet në mënyrë elektronike, ndërsa të dhënat do të përfshijnë informacione biometrike: fotografi dhe gjurmë të gishtërinjve.
Berlin - Kancelari gjerman Fridrih Merc sot deklaroi se Berlini do të sigurojë 29 milionë euro ndihmë humanitare urgjente për Rripin e Gazës, pasi Izraeli e ratifikoi marrëveshjen për armëpushim me Hamasin. Ai në platformën Iks theksoi se Gjermania së bashku me Egjiptin, do të organizojnë konferencë për rikonstruimin e Rripit të Gazës. Merc theksoi se armëpushimi pas më shumë se dy vite konflikt është një "lajm i mirë për njerëzit e Lindjes së Afërt dhe më gjerë".
Manila - Një tërmet i ri me magnitudë prej 6,9 ballë goditi të njëjtin rajon në pjesën jugore të Filipinëve, si tërmeti me magnitudë prej 7,4 ballë këtë mëngjes, kumtuan sizmologët filipinas. Kreu i Institutit Filipinez të Sizmologjisë dhe Vullkanologjisë, Teresito Bacolcol, tha se tërmeti goditi vonë natën në qytetin Manay në provincën Davao Oriental dhe u shkaktua nga aktiviteti sizmik në të njëjtën zonë tërmeti, Hendeku Filipinez, në një thellësi prej 10 kilometrash. Kreu i Institutit filipinas të sizmologjisë dhe vullkanologjisë, Teresito Bakolkol, deklaroi se tërmeti ka ndodhur vonë natën në qytetin Manaj në provincën Davao Orientall dhe është shkaktuar nga aktiviteti sizmik në të njëjtën zonë tërmeti, hendeku filipinez, në thellësi prej 10 kilometra.
Islamabad - Të paktën 11 ushtarë pakistanezë janë vrarë në përleshjet me militantë në afërsi të kufirit afgan. Ministria e Mbrojtjes e regjimit taleban në Kabul akuzoi Islamabadin për "shkelje të sovranitetit territorial të Kabulit". Dje, në kryeqytetin afgan ndodhën dy shpërthime, për të cilat askush nuk e mori përgjegjësinë. "Pakistani përsëri ka shkelur hapësirën ajrore afgane, duke bombarduar tregun e qetë në provincën Paktika, në afërsi të linjës Durand dhe ka shkelur sovranitetin territorial të Kabulit", deklaroi Ministria në "Iks".
Uashington - Ushtria amerikane sot konfirmoi se armata izraelite ka përfunduar fazën e parë të tërheqjes së saj nga Rripi i Gazës sipas armëpushimit të sapodakorduar midis Izraelit dhe Hamasit. "Shtatmadhoria e Bashkuar e forcave të armatosura amerikane konfirmuan se forcat izraelite përfunduan tërheqjen drejt 'linjës së verdhë' në Gazë në orën 12 sipas kohës lokale", shkroi i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof në "Iks".