18:00 / 3 nëntor / 2025
Shkup - Aleksandra Nikollovska, Martin Stojanovski dhe Mito Andonov janë kandidatët për deputetë në vend të Beti Stamenkovska Trajkovska, Jane Micevski dhe Dejan Prodanoski të cilët u zgjodhën për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale, konkludoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme. Siç sqaroi kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, Nikollovska, Stojanovski dhe Andonov, sipas listës së koalicionit "Maqedonia Juaj", duhet të zëvendësojnë Stamenkovska Trajkovskën, Micevskin dhe Prodanoskin. Para Stojanovskit në listën e deputetëve nga koalicioni është Igor Nikovski, por Nikovski e informoi KSHZ-në se nuk e pranon mandatin, prandaj Stojanovski po vjen në vend të tij.
Shkup - Shefja e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës(APKE), Marija Petrushevska dhe antarët Bisera Kostadinovska-Stojçevska, Sanja Llukarevska dhe Bekim Qoku u takuan sot me Teodoros Rusopulos, kryetar i APKE-së. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, Petrushevska shprehu nderin dhe kënaqësinë për vizitën e Rusopulos, veçanërisht në një kohë kur po festojmë 30-vjetorin e anëtarësimit tonë në Këshillin e Evropës, një proces përmes të cilit në vitin 1995 filloi integrimi evropian i vendit tonë.
Shkup - Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune u ofroi votuesve mundësi zgjedhjeje midis alternativave politike dhe fushata ishte konkurruese në shumicën e komunave, por jo të gjithë kandidatët kishin kushte të barabarta për fushatë, u theksua në konferencën për shtyp të misionit ndërkombëtar vëzhgues të OSBE/ODIHR për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend. Vëzhguesit vlerësuan se, ashtu si në raundin e parë, liritë themelore të shprehjes si dhe liria e shoqërimit dhe tubimit, u respektuan dhe se kandidatët patën mundësi të bënin fushatë lirisht. Megjithatë, shtuan, toni i fushatës ishte më i përmbajtur se në raundin e parë, me raste të veçanta të sulmeve personale nga kandidatët dhe liderët e partive kundër njëri-tjetrit.
Shkup - Gjatë fushatës zgjedhore në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, nuk u konstatuan shkelje të Kodit Zgjedhor nga ana e radiodifuzerët. Shkelje u konstatuan vetëm gjatë heshtjes zgjedhore nga katër radiodifuzerë. Lidhur me balancën në programet ditore informative (lajme televizive/lajme), të gjitha mediat e analizuara në përgjithësi raportuan në mënyrë neutrale për pjesëmarrësit në zgjedhje. Kjo theksohet në Raportin nga përfaqësimi mediatik i zgjedhjeve në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2025, për periudhën nga 29 shtatori deri më 17 tetor 2025, të publikuar nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA). Monitorimi, siç theksojnë, përfshiu 11 servise programore kombëtare – RTMV 1, RTMV 2, Kanali Parlamentar i RTMV-së, TV Alsat-M, TV Alfa, TV Kanal 5, TV Sitel, TV Telma, TV 24 Vesti, TV Kompani 21-M dhe TV Shenja, me ç'rast fokusi i analizës u vendos në format e përfaqësimit mediatik zgjedhor. Për serviset e tjera programore, u ndërmorën veprime në bazë të ankesave.
Shkup – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot, në seancën e tij të 24-të, shqyrtoi dhe miratoi Raportin mbi shqyrtimin anti-korrupsion të dispozitave të Kodit Zgjedhor, Kapitulli VI, si dhe Fushatën Zgjedhore me nëntitull "Përfaqësimi Mediatik" nga Neni 75 deri në Nenin 76-e. KSHPK-ja, Raportin, siç tha nënkryetarja Cveta Ristovska, do t'ua paraqesë institucioneve me qëllim harmonizimin e neneve të caktuara me qëllim specifikimin e përkufizimit të një pjesëmarrësi në një fushatë zgjedhore, si dhe aksesin e barabartë në reklamat politike me pagesë për të gjithë pjesëmarrësit. Ristovska tregoi se KSHPK-ja ka identifikuar tre rreziqe rregullatore me përkufizimin aktual të procesit të reklamave politike të paguara në Kodin Zgjedhor, për shkak të terminologjisë së paqartë, e cila mund të interpretohet ndryshe.
Bruksel – Maqedonia e Veriut arriti progres të rëndësishëm në zbatimin e reformave të parapara me Agjendën e Reformave, për çka dëshmi është edhe pagesa e dy kësteve të mjeteve në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bëhet e ditur në Raportin për progresin e vendit në rrugën evropiane, që Komisioni Evropian zyrtarisht do ta publikojë nesër. “Autoritetet e (Maqedonisë) vazhduan të punojnë në zbatimin e udhërrëfyesve për sundimin e drejtësisë, të reformës në administratën publike dhe të funksionimit të institucioneve demokratike, si dhe të Planit të Veprimit për mbrojtje të pakicave”, thuhet në raport.
Bruksel - Kryeministri Hristijan Mickoski nesër në Bruksel do të marrë pjesë në Samit për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, të organizuar nga televizioni Euronjuz, i cili është menduar si një takim ku përfaqësues të lartë të BE-së dhe vendeve kandidate do të diskutojnë për të ardhmen e integrimit evropian. Bëhet fjalë për ngjarje të parë të këtij lloji në të cilën me transmetim të drejtpërdrejtë televiziv do të transmetohen fjalimet dhe debatet e pjesëmarrësve në këto, siç thekson Euronjuz, "biseda revolucionare mbi të ardhmen e integrimit evropian".
Katmandu - Tre alpinistë, në mesin e të cilëve dhe një i huaj, kanë vdekur, ndërsa tetë të tjerë rezultojnë si të zhdukur pasi një ortek goditi një ekspeditë në një majë të Himalajeve në Nepal, kumtoi sot policia lokale. Në mesin e të zhdukurve në malin Jalung Ri Himal, në gjatësi prej 5.630 metra mbi nivelin e detit në qarkun Dolakha, në verilindje të Katmandus, ka pesë shtetas të huaj, deklaroi nëpunësi policor Xhan Kumar Mehato. Kombësitë e të huajve të vdekur dhe të zhdukur nuk dihen ende. Katër alpinistë të lënduar u dërguan në një fshat të afërm, ndërsa kërkimi për të zhdukurit, në të cilin marrin pjesë edhe helikopterë, është, zgjat ende, shtoi Mahato.