• e mërkurë, 08 janar 2025
MIA FLESH

18:00/4 dhjetor/2024 

Shkup - Procesverbali nga mbikëqyrja e jashtëzakonshme është gati, inspektorët kanë konfirmuar "parregullsi", për të cilin shkak përgjegjësi do të bart një nga arsimtaret, e cila ka qenë organizatore e shfaqes, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janeva lidhur me mbikëqyrjen që pardje në shkollën "7 Marsi" në Çellopek e ka kryer Inspektorati arsimor shtetëror. "Do të informohen edhe drejtori dhe kryetari i komunës që të veprojnë sipas ligjit, por ajo që është më me rëndësi, sipas meje, është se edhe në këtë shkollë dhe në disa shkolla, ku kemi pasur denoncime për parregullsi, por, të jem e drejtë, nuk janë konfirmuar parregullsi, por ka pasur njëfarë revolte, do të zbatojmë trajnime për bashkëjetesë, multikulturalizëm, multietnicitet, dhe për këtë do të kërkojmë përkrahje edhe nga OSBE-ja", deklaroi Janevska sot në Rektoratin e UCM-së.

Shkup - Ndërtimi i demokracive të shëndosha në bazë të parimeve të lirisë dhe gjithëpërfshirjes ëshët me rëndësi kyçe për të gjitha shoqëritë dhe e zvogëlon hapësirën për narrativa të dëmshme politike dhe dezinformata, tha zëvendës ambasadori britanik Daniel Filer në konferencën e sotme "Institucione përgjegjëse përmes transparencës së rritur dhe komunikimit politik" në organizim të Institutit për studime të komunikimeve (IKS). Filer theksoi se Britania e Madhe do të vazhdojë të punojë me partnerët në drejtim të zvogëlimit të hapësirës për dezinformata dhe narrativa të dëmshme.

Shkup - I vetmi shpenzim për të cilin mendojmë për momentin është për harmonizimin e legjislacionit të Maqedonisë me taksën globale korporative, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, në përgjigjen e pyetjen e gazetarëve nëse Qeveria mendon për rritjen e kontributit për sigurimin pensional dhe invalidor. Mickoski paralajmëroi se deri në fund të vitit do të ketë harmonizim të politikës tatimore me qëllim të pagesës së tatimit të konsoliduar të fitimit prej 15 për qind për kompanitë që i plotësojnë kushtet dhe të paguhen në tërësi në vend. Sipas Mickoskit, kompanitë janë të informuara dhe nuk janë kundër.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Ami Larson Jain nënshkruan Memorandum për bashkëpunim për zbatimin e projektit “Mbështetja e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE në fushën e mjedisit-Faza 2". Me ndihmën suedeze, siç njofton MMJPH, do të punohet në forcimin e kapaciteteve të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në koordinimin dhe menaxhimin e procesit të afrimit me BE-në dhe lehtësimin e negociatave nga Kapitulli 27, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti dhe ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Ami Larson Jain nënshkruan Memorandum për bashkëpunim për zbatimin e projektit “Mbështetja e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE në fushën e mjedisit-Faza 2". Me ndihmën suedeze, siç njofton MMJPH, do të punohet në forcimin e kapaciteteve të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në koordinimin dhe menaxhimin e procesit të afrimit me BE-në dhe lehtësimin e negociatave nga Kapitulli 27, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërsektorial.

Shkup - Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski këto ditë është për vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit të tij, ai ka zhvilluar takim me përfaqësues të lartë të USAID-it në Uashington, informojnë nga Ministria. Në takim u diskutua për projektet rajonale dhe kombëtare të USAID-it, në të cilat jemi përfshirë si shtet dhe si Minstri, ndërsa në fokus të diskutimit ka qenë siguria kibernetike, lufta kundër korrupsionit dhe digjitalizimi i shërbimeve publike për qytetarët.

Shkup – Diskutimet në takimin e ministrave të SHBA – Kartës së Adriatikut janë dëshmi për përkushtimin tonë të fuqishëm në avancimin e bashkëpunimit në siguri dhe promovimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore në rajonin tonë, porositi sot ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski i cili merr pjesë në sesionet e punës në këtë takim në Tiranë. Siç bënë të ditur nga Ministria e Mbrojtjes, Misajllovski në sesionet e punës në takim ka theksuar se me rëndësi më të madhe për fuqizimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë rajonale është bashkëpunimi politik – ushtarak i vendeve të Ballkanit dhe përkushtimi i vendeve të Evropës Juglindore drejt proceseve të integrimeve evropiane dhe euroatlantike. 

Shkup – Një nga nismat më të rëndësishme për vetëqeverisjen lokale është mundësia për deklarim në referendum për revokimin e kryetarëve të komunave, që do ta rrisë përgjegjësinë e liderëve lokalë dhe do të mundësojë kontroll më të madh nga ana e qytetarëve, deklaroi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski. Perinski, në një emision në TV Alfa, ku ishte mysafir theksoi se kjo zgjidhje ishte e pranishme edhe në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale nga viti 1995, dhe tani shqyrtohet përsëri si mundësi. “Nisma kryesore për këtë ndryshim buron nga pakënaqësia e shprehur e qytetarëve ndaj disa kryetarëve aktualë. Ne besojmë se duhet t'u japim mundësi qytetarëve që t'i revokojnë kryetarët e komunave dhe kjo është vendosur edhe në ligjin e kaluar”, tha ai.

Shkup – Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni sot foli në Takimin e parë rajonal të Komitetit Drejtues në kuadër të Aksionit të Përbashkët të BE dhe UNODC për promovimin e sundimit të drejtë dhe të mirë përmes masave të theksuara për kontroll të brendshëm në portet dhe aeroportet në Evropën Juglindore (Faza II) Program global për kontroll të udhëtarëve dhe kargo. Nga MPB njoftuan se Takimi rajonal po mbahet sot dhe nesër në Tiranë, ndërsa është paraparë që të marrin pjesë përfaqësues nga niveli i lartë i udhëheqësisë nga Drejtoritë e Doganave, Ministritë e Punëve të Brendshme dhe organe të tjera kompetente të përfshira në zbatimin e Aksionit nga juridiksionet e Evropës Juglindore, përfaqësues nga Zyra e UNODC, Organizata Botërore e Doganave dhe partnerë dhe donatorë të tjerë.

Shkup - Deputeti Salim Sulejmani, kryetar i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me parlamentet e vendeve të Lindjes së Afërt dhe të Gjirit Arab, realizoi takim me sekretarin e dytë të Ambasadës së Katarit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Said Al-Samih. Në takim u bisedua për marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat u vlerësuan të shkëlqyera, ndërsa u theksuan mundësitë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes rritjes së investimeve, si dhe për avancimin e bashkëpunimit politik dhe kulturor.

Kumanovë – Kushdo që nuk do ta arsyetojë besimin, pavarësisht nga roli i tij në shoqëri duhet të largohet, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski lidhur me dorëheqjen e kryetares së mëparshme të Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Mickoski paralajmëroi se do të vazhdojë t'u dërgojë porosi prokurorëve dhe gjykatësve, siç tha ai, "të bëjnë punën e tyre, të mos jenë partnerë me kriminelët, qofshin ata kriminelë politikë ose të vërtetë nga rruga, por të luftojnë krimin dhe korrupsionin". Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve para konferencës në Institutin për Studime Komunikimi në Shkup, kryeministri porositi se gjykatësit dhe prokurorët duhet të vendosin fokusin në përballjen me krimin dhe korrupsionin duke theksuar se kushdo që nuk do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve, duhet të shkojë. 

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia ka prezantuar kryetarit të ri të Këshillit Evropian, Antonio Koshta, dëshmitë për lidhjet e Serbisë me sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok, njoftoi kabineti i saj. Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media të Presidencës së Kosovës, Osmani e Koshta janë takuar në Bruksel në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor. Sipas Osmanit, lënia në liri e terroristit Milan Radoiçiq në Serbi, është dëshmi që shteti serb nuk është i gatshëm për përgjegjësi dhe llogaridhënie për aktet e agresionit ndaj Kosovës.

Bruksel - Vendet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord për një sërë masash proaktive për t'iu kundërvënë aktiviteteve armiqësore dhe kibernetike të Rusisë, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Mark Rute në konferencën për shtyp pas përfundimit të takimit dyditor të ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Paktit të Brukselit. "Këto masa përfshijnë këmbimin e zgjeruar të inteligjencës, më shumë ushtrime, mbrojtje më të mirë të infrastrukturës kritike, mbrojtje të përmirësuar kibernetike dhe veprime më të ashpra kundër flotës ruse të maskuar si anije eksportuese të naftës", tha Rute.

Bruksel - Sekretari amerikan i shtetit, Entoni Blinken sot i bëri thirrje Ukrainës që të vendosë për mobilizim shtesë ushtarak për nevojat e luftës kundër pushtimit rus, njoftojnë mediat britanike. "Ukraina duhet të marrë vendime të vështira për mobilizim shtesë, por këto janë vendime të domosdoshme", deklaroi sot Blinken pas takimit dyditor me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të NATO-s në Bruksel.

Bruksel - Ukraina është gjithnjë e më afër NATO-s, por nuk është koha për ftesë zyrtare, deklaroi ministrja sllovene e Punëve të Jashtme, Tanja Fajon pas takimit dyditor të ministrave të Punëve të Jashtëm të NATO-s. "Të gjithë u dakorduam se procesi i afrimit të Ukrainës në NATO-n është i pakthyeshëm, por dje nuk ishte momenti për një vendim të tillë", deklaroi Fajon. Sllovenia mbështet politikën e dyerve të hapura të NATO-s, ndërsa ndërkohë paralajmëroi dërgimin e përfaqësuesit të saj në trupin e sapoformuar komandues të NATO-s në Gjermani për koordinimin e ndihmës perëndimore dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas.

Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholc u bëri thirrje deputetëve që të shmangin bllokim politik para zgjedhjeve të parakohshme, që priten në shkurt, raportoi DPA. Duke iu përgjigjur pyetjeve në Bundestag - Dhoma e ulët e Parlamentit gjerman - Sholc u kërkoi partive opozitare të mbështesin një sërë ligjesh të rëndësishme, të propozuara nga qeveria e tij e pakicës. "Fushata parazgjedhore nuk është kohë për pushime. Ende mund të bëjmë diçka", tha Sholc.

Berlin - Një anije luftarake ruse në Detin Baltik gjuajti një raketë sinjalizuese ndaj një helikopteri ushtarak gjerman, njoftoi DPA. Helikopteri ishte në një mision vëzhgues. Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Berbok raportoi shkurtimisht për incidentin në margjinat e takimit me kolegët e saj të NATO-s në Bruksel, pa dhënë hollësira të mëtejshme.

Tbilisi - Policia në Tbilisi arrestoi liderin e një prej katër partive kryesore opozitare në Gjeorgji, Nika Gvaramija, pasi që më parë ishte rrahur dhe ka mbetur pa ndjenja, kumtoi sot partia e tij. Partia "Koalicioni për Ndryshime" në platformën X publikoi video, në të cilën tregon si Nika Gvaramija i pavetëdijshëm është marrë nga disa burra, të cilët e mbanin për duar dhe këmbë në rrugë. Në kumtesë thuhet se Gvaramija "u hodh në një automjet policie edhe krahas asaj se u sulmua fizikisht dhe u rrëzua pa ndjenja".

Gazë - Anëtarët e Hamasit kanë kërcënuar se do të "neutralizojnë" pengjet që po mbajnë në Rripin e Gazës, nëse Izraeli nis operacion për t'i shpëtuar ata, si ai që ishte realizuar në kampin Nusejrat, në qershor. Në një deklaratë interne të 22 nëntorit, Hamasi u dha urdhër operativëve të mos marrin në konsideratë pasojat e mosrspektimit të këtij urdhri, duke theksuar se Izraeli është përgjegjës për fatin e pengjeve, njoftojnë mediat britanike. Në kumtesë nuk theksohet se kur Izraeli pritet të nisë operacionin e supozuar.

Seul - Mijëra jugokoreanë sot kanë dalë në protestë të qetë në Seul, duke kërkuar dorëheqje nga presidenti konservativ, Jun Suk-jeol, i cili dje shkaktoi krizë me shpalljen e gjendjes së luftës. Presidenti pohonte se masa është e nevojshme për ta eliminuar opozitën me ndihmën e armatës, por pas shtatë orëve e ka tërhequr vendimin nën presion të opinionit. Madje edhe partia e tij "Fuqia e Popullit" u distancua nga vendimi për vendosjen e gjendjes së luftës. Partitë opozitare sot kanë parashtruar kërkesa për impiçment të presidentit në parlament, ndërsa votimi mund të mbahet që të premten, deklaruan përfaqësuesit e gjashtë partive opozitare në konferencën e përbashkët për shtyp.

QËNDRONI TË LIDHUR