• e martë, 26 nëntor 2024
MIA Flesh

15:00/ 22 tetor/ 2023

Shkup - Dezinformatat dhe krizat janë të ndërvarura, ndërsa problemi është se njerëzit sot përballen me kaq shumë dezinformata, gjë që e bën të vështirë për ta të dallojnë se cilave burimemund t'u besojnë, shprehet në intervistën për MIA kryetarja e BE Disinfo Lab, Diana Valis. Me Valis biseduam gjatë Konferencës vjetore të BE Disinfo Lab, një organizatë e pavarur jofitimprurëse që mbledh njohuri dhe ekspertizë për dezinformatat në Evropë, që sivjet u mbajt në Krakov. Mbi 400 profesionistë të renomuar nga e gjithë bota në fusha të ndryshme që lidhen me punën e mediave dhe luftën kundër propagandës dhe dezinformatave patën mundësinë të debatojnë për fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me këtë problematike, ndërsa një nga konkluzionet e Konferencës ishte se shëndetësia, migrimi, mosbesimi në institucione, lufta në Ukrainë dhe ndryshimet klimatike janë narrativat kryesore që përbëjnë peizazhin e dezinformatave në Evropë. Ata që qëndrojnë pas tyre gjejnë mënyra gjithnjë e më kreative për përhapjen e tyre, e veçanërisht intensifikohen në periudhat parazgjedhore.

Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski thotë se krahas masave parandaluese, seriozisht punohet edhe në masa represive në zbulimin e prerjeve të jashtëligjshme të pyjeve.  Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga viti 2017 deri në gjysmën e parë të vitit 2023, në kuadër të aktiviteteve operative janë ngritur 919 kallëzime penale për gjithsej 1.150 vepra penale që kanë të bëjnë me prerje të paligjshme të pyjeve, janë raportuar 1.439 autorë, janë sekuestruar 97.000 m3 dru.

Shkup - Poetja Delvina Kërluku, e cila është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë, porosit që SHSHM ta ruajë traditën dhe ta ngrit kulturën dhe artin në vendin e merituar.  Në letrën e titulluar "SHSHM - Shtëpi me nivel të lartë artistik", poetja Kërluku thotë se SHSHM duhet të ecë përpara për shkak të gjeneratave më të reja dhe për shkak të shkrimtarëve të cilët kanë sakrifikuar gjithçka në jetë për të ekzistuar liria e fjalës të cilën, siç tha, ne e gëzojmë sot.

Shkup - Aktive janë dy zjarre nga gjithsej 26 në hapësira të hapura që janë regjistruar dje në shtet, informoi sot në mëngjes Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). "Aktivë janë zjarret në komunën Makedonski Brod, fshati Belicë nën majën 'Sollunska Gllava', ku po digjet pyll i rrallë me pisha, barë i thatë dhe shkurre dhe në Komunën Çashkë në fshatin Kriva Krushë, ku po digjet barë i thatë dhe fier", bëhet e ditur në kumtesë.  Nga gjithsej 26 zjarret e regjistruara janë shuar 24. 

Shkup - Gjatë vizitës së rregullt në territorin e Komunës së Gjorçe Petrovit nga inspektor i autorizuar për mjedis jetësor pranë Komunës së Gjorçe Petrovit është hasur në mbetje të rrezikshme në afërsi të fshatit Orman në sasinë e vlerësuar prej rreth 500 deri në 600 tonë. Siç është publikuar në faqen në Fejsbuk të Inspektoratit shtetëror të mjedisit jetësor mbetjet janë locuar javën e kaluar.

Shkup- Nga 25 tetori do të ndërpriten nga dy trena në ditë në relacionin Shkup - Manastir - Shkup, që domethënë se udhëtarët nga e mërkura në këtë relacion do të mund t'i shfrytëzojnë vetëm trenat të cilët nisen nga Shkupi në orën 14:30 dhe në orën 3:13 nga Manastiri.  Hekurudhat e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Transport SHA Shkup në ueb-faqen e tyre zyrtare pa publikuar informacione më të hollësishme njoftojnë se këto ndryshime do të vlejnë deri në njoftimin e tyre të radhës.

Shkup - Vazhdon periudha e motit relativisht të ngrohtë, por të mërkurën, në fund të ditës, siç informon DPHM, do të ketë rritje të vranësirave me reshje lokale të shiut.  Reshjet do të vazhdojnë gjatë natës dhe të enjten, kur do të shoqërohen me bubullima të rralla.  Kushte për shi lokal do të ketë edhe të premten.

Nju Jork - Këshilli i Sigurisë së Kombeve të Bashkuara nesër do të debatojë për raportin e ri gjashtëmujor të Sekretarit të përgjithshëm të KB-së Antonio Guteresh për punën e Misionit të KB-së në Kosovë (UNMIK), ndërsa Serbinë në këtë mbledhje do ta përfaqësojë kryeministrja Ana Bërnabiq. Në raportin për periudhën nga 19 marsi deri 18 shtator 2023 të cilin në seancë do ta prezantojë kryetarja e UNMIK-ut, Karolin Ziadeh, Guteresh deklaroi se i “dënon në mënyrën më të ashpër sulmet ndaj forcave ndërkombëtare në terren dhe përdorimin e dhunës si të tillë”.

Tiranë - Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha mbrëmë vonë mbajti konferencë urgjente për media në lidhje me shqiptimin e masave të sigurisë për të dhe arestimin e dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. Berisha tha se akuzat kundër tij dhe familjes së tij janë të pabaza dhe se ato janë goditje të ulëta të kryeministrit Edi Rama që të ndërpritet rezistenca e opozitës.  "Rama ka hyrë në agoninë e tij politike! Ai, i tronditur gjer në palcë nga krimet e tij, nga aferat në të cilat nuk ka drejtësi në botë që e shpëton, afera McGonigal, afera e djegësve, afera e sterilizatorëve, afera e Portit të Durrësit, afera e Butrintit", akuzoi ai, duke treguar edhe për tenderë të fituar jashtëligjshëm nga anëtarë të familjes Rama. 

Bruksel - Pas sulmit të së hënës në mbrëmbje në Bruksel në të cilin një emigrant nga Tunizia vrau dy tifozë suedezë të futbollit, policia belge ka evidentuar rritje eksponenciale të kërcënimeve të rreme terroriste në vend, njoftoi "Bruksel tajms". Sipas policisë, edhe pse një dukuri e tillë pritet, ata megjithatë duhet t'i kontrollojnë të gjitha denoncimet.  "Tashmë e përjetuam këtë me alarme të rreme pas sulmeve në Bruksel në vitin 2016", deklaroi një përfaqësues i policisë për televizinin shtetëror RTBF. 

Bruksel- Disa sindikata dhe shoqata joqeveritare sot pasdite para selisë së Komisionit Evropian në Bruksel organizojnë protestë në shenjë solidariteti me banorët e Gazës dhe me thirrje për armëpushim urgjent dhe respektim të të drejtës humanitare ndërkombëtare.  "Ne dënojmë pa mëdyshje të gjitha sulmet ndaj popullatës civile, përfshirë ato të kryera nga Hamasi nga 7 tetori kundër civilëve izraelitë, të cilat rezultuan në qindra të vdekur. Megjithatë, asnjë sulm nuk mund të justifikojë mosrespektimin e rregullave të luftës, bëhet e ditur në deklaratën nga organizatorët e tubimit - Federata e Përgjithshme e Punës e Belgjikës, Konfederata e Sindikatave të Krishterë, Asociacioni Belgo-Palestinez, organizata Koordinimi dhe Nismat për Refugjatët dhe të Huajt, Lëvizja e Punëtorëve të Krishterë, Qendra Kombëtare për Bashkëpunim Zhvillimor dhe shoqata Jeta e Grave.

Kiev- Të paktën gjashtë persona humbën jetën, ndërsa 14 janë plagosur në sulmin e mbrëmshëm rus me raketa mbi një postë në afërsi të Harkovit, në verilindje të Ukrainës, njoftuan autoritetet lokale.  "Gjashtë të vrarët dhe 14 të plagosurit në sulmin e okupatorëve ishin të punësuar në kompaninë në terminalin Posta e Re", deklaroi guvernatori i Rajonit Harkov, Oleh Sinehubov. Lajmin në Telegram e publikoi edhe presidenti ukrainas Volodomir Zelenski. 

Moskë - Rusia ka për qëllim të inicojë takim të ri të Këshillit të Sigurisë së KB-së në të cilin do të bisedohet për zgjidhjen e konfliktit palestinez - izraelit, deklaroi mbrëmë përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Organizatën Botërore, Dmitrij Polanski.  "Definitivisht do të thirrim takim të ri të Këshillit të Sigurisë. Siç tregoi praktika, askush përveç neve nuk guxon ta bëjë këtë", deklaroi Polanski për kanalin televiziv "Solovjev".  Sipas tij, seanca speciale e jashtëzakoshme e 10-të e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së për konfliktin palestinez - izraelit duhet të vazhdojë javën e ardhshme sepse ka thirrje kolektive nga vendet arabe dhe islamike që të vazhdojë seanca.

Bern - E djathta populiste e Zvicrës, anti-migracionit dhe anti-BE, prinë në anketat para zgjedhjeve të sotme parlamentare në kushte të krizës së emigrantëve dhe frikës në rritje lidhur me rrezikun e sulmeve në Evropë. Vendvotime janë hapur vetëm dy ose tre orë gjatë paradites, pasi shumica dërrmuese e zviceranëve votojnë me postë. Projeksioni i parë i rezultateve pritet në orën 16:00 sipas orës lokale.

Berlin - Për shkak të krizës në Lindjen e Mesme, ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius ka shtyrë udhëtimin në Ballkan që duhej të fillonte nesër, njoftoi DPA. Pasi nuk është e qartë se si do të zhvillohet situata në Izrael dhe Gaza, Pistorius nuk do të realizojë udhëtimin treditor në Ballkan, siç ishte planifikuar fillimisht, kumtoi sot Ministria e Mbrojtjes. Ushtria gjermane ka dislokuar forcat e saja në mënyrë që të përgatitet për evakuim të mundshëm ushtarak të shtetasve gjermanë nga Lindja e Mesme. 

Kajro- Një konvoj i ri i dytë i ndihmave humanitare me 17 kamionë ka arrit sot në anën egjiptiane të vendkalimit kufitar Rafa, bënë të ditur burime të sigurisë dhe ato humanitare. Njëzetë kamionë me ndihma humanitare hyrën dje në Rripin e Gazës përmes vendkalimit Rafa me Egjiptin. Këto kanë qenë kamionët e parë që hynë në Rripin e Gazës që kur Izraeli vendosi bllokadën dy javë më parë pas sulmit të Hamasit. 

Damask - Izraeli sot paradite ka kryer sulme me raketa mbi aeroportet ndërkombëtare në Damask dhe Alepo dhe i ka asgjësuar, informuan mediat shtetërore siriane. Në sulm ka ndërruar jetë një punëtor civil. "Rreth orës 05:25, amriku izraelit ka kryer sulm ajror mbi aeroportet ndërkombëtare në Damask dhe Alepo, me çka humbi jetën një i punësuar në aeroportin në Damask, ndërsa një tjetër është plagosur", deklaroi një burim ushtarak sirian, i cituar nga agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA. "Dëmi material pistat e aeroporteve i la jashtë përdorimit", njoftoi burimi i njëjtë. 

Otavë - Ministria kanadeze e Mbrojtjes Nacionale dje njoftoi se Izraeli nuk qëndron pas sulmit të 17 tetorit ndaj spitalit Al Ahli në Gazë. "Analiza e bërë në mënyrë të pavarur nga komanda kanadeze e inteligjencës tregon shkallë të lartë të sigurisë se Izraeli nuk e ka sulmuar spitalin Al Ahli më 17 tetor 2023", thuhet në kumtesë.  Sulmi ka më shumë gjasa të jetë shkaktuar nga një raketë e lëshuar nga Gaza, përfundoi Ministria e Mbrojtjes, në bazë të analizës së burimeve të hapura dhe informacioneve të besueshme. 

Uashington - Pentagoni njoftoi se do ta dërgojë sistemin  THAAD (Terminal High Altitude Area Defense) në Lindjen e Afërt, bashkë me sistemin amerikan për mbrojtje ajrore "Patriot". Sistemi THAAD është dizejnuar që të rrëzojë raketa balistike me rreze të shkurtë dhe të mesme veprimi në fazën e fundit të fluturimit të tyre. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llojd Ostin, gjithashtu, tha se një numër i shtuar i ushtarëve janë vënë nën "gatishmëri për shpërndarje" në rajon, edhe pse nuk precizoi sa, transmeton Bi-Bi-Si. Në kumtesën e Pentagonit thuhet se ky vendim vijoi pas "përshkallëzimit të para pak kohe të Iranit dhe forcave të tyre ndërmjetësuese përgjatë rajonit në Lindjen e Afërt".

Buenos Aires - Në Argjentinë sot mbahen zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Përveç shefin e shtetit, qytetarët e vendit do të duhet të zgjedhin edhe 130 deputetë dhe 24 senatorë në Kongres.  Pesë kandidatë po luftojnë për postin më të lartë në shtet. Beteja kryesore do të jetë midis ministrit të Ekonomisë Sergio Masa, i propozuar nga koalicioni qeverisës Aleanca për Atdheun, ish-ministres së Sigurisë Patrisha Bullrih, e cila përfaqëson koalicionin më të madh të opozitës Së bashku për Ndryshim, dhe deputetit Havier Millej. Ai është në krye të Partisë Libertariane, e cila është pjesë e aleancës "Liria po vjen".

Ramalla - Të paktën 55 palestinezë ishin vrarë në Rripin e Gazës gjatë natës pasi Izrali njoftoi se i përforcon bombardimet e tij, njoftoi qeveria e krahut politik të Hamasit.  Të paktën 55 njerëz janë vrarë "gjatë natës deri në orën 6 të mëngjesit, ndërsa më shumë se 30 ndërtesa janë shkatërruar", thuhet në kumtesën e lëvizjes palestineze, e cila udhëheq me enklavën. Forcat izraelite vranë katër palestinezë në Bregun Perëndimor gjatë natës, me çka numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë aty nga 7 tetori u rrit në 89, njoftoi sot Ministria palestineze e Shëndetësisë.

Karaçi - Kryeministri i trefishtë pakistanez Navaz Sharif dje është kthyer në vend pas katër vitesh ekzil në Londër për të filluar fushatën zgjedhore të partisë së tij, tre muaj para zgjedhjeve në vend. Sipas mediave lokale, politikani 73-vjeçar do të marrë pjesë në një tubim zgjedhor në qytetin e tij të lindjes, Lahore pas arritjes në Islamabad së bashku me 194 anëtarë të partisë së tij dhe organizata mediatike, kumtuan përfaqësuesit e partisë.

Nju-Jork - Nju-Jorku është i pari në listën e qyteteve botërore më të përshtateshme për biznes, ndërsa shtatë qytete evropiane janë në mesin e 20 qendrave më të mira financiare, sipas renditjes së re të Indeksit global të qendrave financiare (GFCI). Në pjesën e sipërme të listës dominojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Londra edhe më tutje është lidere në Evropë dhe në vendin e dytë në kualifikimet e përgjthshme.  Pas saj janë Singapori, Hong Kongu dhe San Francisko në vendin e tretë, të katërt dhe të pestë, ndërsa Gjeneva është qyteti i vetëm tjetër evropian, përveç kryeqytetit britanik, në dhjetë të parët. Gjeneva e rriti imazhin për 29 pikë dhe i kërceu rivalët e tij financiarë nga viti i kaluar, duke kërcyer nga pozita e 23-të në pozitën e dhjetë.

Tel Aviv - Armata izraelite dhe Ministria e Mbrojtjes sot njoftuan se planifikojnë t'i evakuojnë banorët edhe të 14 vendbanimeve në afërsi të kufirit me Libanin për shkak të sulmeve të vazhdushme me raketa të Hezbollahut libanez dhe fraksioneve palestineze gjatë dy javëve të fundit.  Javën e kaluar filloi evakuimi i 28 vendbanimeve në distancë deri dy kilometra nga kufiri dhe qyteti Kirjat Shmon me më shumë se 20.000 banorë, përkujtojnë mediat izraelite. Shumë banorë të lagjeve kufitare tashmë janë evakuuar në jug për shkak të eskalimit të sulmeve nga Libani.

Nju-Jork - Të paktën 130 foshnja të lindura para kohe janë në "rrezik të madh" për shkak të mungesës së lëndës djegëse në spitalet në Rripin e Gazës, njoftoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Foshnjat janë në gjashtë reparte neonatale, njoftoi organizata Ndihmë medicinale për palestinezët, ndërsa mjekët paralajmërojnë se janë në rrezik nëse lënda djegëse nuk arrin së shpejti në spitale.  OBSH bëri thirrje për qasje "urgjente dhe të qëndrueshme" në lëndë djegëse në Gazë që të mundësohet funksionimi i institucioneve shëndetësore. 

Teheran - Gjykata në Iran ka dënuar dy gazetare me disa vite burg për "bashkëpunim" me qeverinë amerikane, njoftuan sot mediat lokale.  Që të dyja janë në burg tashmë një vit pas njoftimit të tyre për vdekjen e Mahsa Aminit derisa ishte në paraburgim në shtator të vitit 2022.  Nilufar Hamedi, e cila e publikoi lajmin për vdekjen  e Aminas, dhe Elahhe Mohamedi, e cila shkruante për varrimin e saj, janë dënuar në shtatë, gjegjësisht gjashtë vite burg.

Tel Aviv - Forcat izraelite kanë zënë peng një pjesëtar të njësisë komando të Hamasit i cili po bënte përpjekje që të kthehet në Rripin e Gazës, 15 ditë pasi sulmet e papritura nga Rripi i Gazës në jug të Izraelit shkaktuan luftë të re.  Mediat izraelite informojnë sot se ai ishte kapur dje dhe pas sulmit të 7 tetorit ende ka pjesëtarë të Hamasit në vend.  Në ndërkohë, ishte paralajmëruar se sulmet ajrore mbi Rripin e Gazës do të përforcohen që të sigurohet hyrje më e sigurt e forcave tokësore në ofensivën e ardhshme tokësore. 

San Sebastian – Tifozët e klubit bask Real Sociedad në ndeshjen e së shtunës në kampionatin spanjoll të futbollit kundër Majorkës (1-0) shpalosën flamuj palestinezë dhe brohoritën “Liri për Palestinën” duke shprehur mbështetje për popullin që në Rripin e Gazës janë cak i bombardimeve izraelite. Në stadiumin në San Sebastian kulminacioni arriti në minutën e 12-të të ndeshjes kur në jug të tribunës u shfaqën njëzetë flamuj palestinezë duke brohoritur "Liri për Palestinën" pas së cilës iu bashkua edhe publiku në tribunat e tjera

QËNDRONI TË LIDHUR