• e hënë, 01 korrik 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

15:00/20 gusht/2023

Shkup - Për pushtetin, ndryshimet kushtetuese janë të nevojshme që shteti të përmbushë qëllimin e tij strategjik dhe interesin e lartë kombëtar, që është anëtarësimi në BE. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, tha dje se sa më shumë të presim aq më shumë dhe më të mëdha do të hapen çështje, të cilat vetëm sa do ta komplikojnë procesin dhe do ta forcojnë pozitën e Bullgarisë. Për opozitën, nga ana tjetër, zgjedhjet janë zgjidhja e vetme dhe mbeten të mendimit se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar. Lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski dje tha se pas zgjedhjeve do të ofrojnë zgjidhje.

Shkup - Nuk ka konsensus civil dhe politik për ndryshimet kushtetuese, sepse ato janë rezultat i kërkesave joparimore bullgare dhe jashtë kritereve të Kopenhagës, tha sot në një konferencë për media deputeti Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike. Ai propozoi shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme sepse siç tha ai "është më se e qartë se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese".  

Shkup - Në vendkalimet kufitare Tabanocë dhe Bogorodicë, koha e pritjes për hyrje dhe dalje nga vendi është rreth 30 minuta. Në pikat e tjera kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka më pritje për hyrje dhe dalje nga vendi. Siç njoftoi LAMM, komunikacioni në rrugët shtetëtore zhvillohet pa ndërprerë nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit  në akset rrugore jashtë mjedisve të qytetit është rritur.

 Ohër - Përjetime mbresëlënëse, emocionuese dhe impresionuese të koncerteve dhe shfaqjeve teatrale më të mira që i ofruam në këtë edicion të 63-të të festivalit në lokalitetet autentike, Teatri Antik, kisha e Shën Sofisë,  Saraji i Poshtëm dhe Qendra e Kulturës janë dëshmi se Festivali "Vera e Ohrit" është specifik dhe i veçantë, i njohur dhe unik në ambientet tona, si një nga ngjarjet kulturore më të spikatura në Evropë dhe në botë. Një festival që është ndër pesë më të mirët në Asociacionin Evropian të Festivaleve. Këtë e theksoi drejtoresha e “Verës së Ohrit”, Natasha Popoviq, në konferencën e fundit për shtyp të thirrur me rastin e uljes së perdes në edicionin e sivjetshëm të festivalit.

Shkup  - Nëpunës policorë të Stacionit Policor për Mbikqyrje Kufitare "Liqeni i Ohrit"  mbrëmë shpëtuan pesë persona nga varka me vela në Liqenin e Ohrit, pasi pronar i objektit lundrues-varkë me vela ka humbur kontrollin për shkak motit të ligë. "Duke vepruar pas denoncimit të marrur rreth orës 19:00 në SPB Ohër se në ujërat e Liqenit të Ohrit, pronar i objektit lundrues-varkë me vela, në të cilën përveç tij kanë qenë edhe katër persona, ka humbur kontrollin për shkak motit të ligë dhe për shkak të defektit në varkë, nëpunës policorë të Stacionit Policor për Mbikqyrje Kufitare "Liqeni i Ohrit" menjëherë kanë dalur në terren dhe rreth orës 19:25 minuta e kanë gjetur varkën me vela rreth 7000 metra nga bregu i Liqenit, në afërsi të kufirit me Republikën e Shqipërisë", kumtoi MPB. 

Shkup  - Sektori për Punë të Brendshme Shkup gjatë ditës së djeshme vazhdoi me kontrollimet e përforcuara në trafik, vetëm në territorin e qytetit të Shkupit  janë shqiptuar gjithsej 276 kundërvajtje, prej të cilave njëqind e nëntë sanksione për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Janë shqiptuar njëmbëdhjetë sanksione për ngasjen e automjetit pa patentë shoferë, shtatë sanksione për kundërvajtje të shoferëve të motoçikletave,  nëntë sanksione për përdorimin e telefonit celular gjatë ngasjes së automjetit, katër sanksione për ngasjen e automjetit nën ndikimin e alkoolit, pesë gjoba për shoferët fillestarë...

Shkup  - Për shkak të një defekti rrugor F-150 mm në Park pyllin e Gazi Babës, sot pa furnizim me ujë do të mbesin shfrytëzuesit nga zona e lartë e lagjes Hekuranë, lagjja Autokomandë, ambulanta Zhelezarë dhe spitali Remedika. Siç kumtoi QRMK Shkup pas informacioneve të marra nga NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi -Shkup, furnizimi me ujë do të ndërpritet nga ora 10:45 deri në sanimin e defektit. 

Shkup - Gjatë javës së ardhshme të punës do të mbajë mot kryesisht stabil dhe shumë i nxehtë, ndërsa temperatura ditore në shumë vende do të kalojë 35 gradë. Siç njofton DPHM, gjithkund do të aktivizohet niveli i verdhë, ndërsa në disa vende edhe niveli portokalli i rrezikut nga temepraturat e larta. Nga e enjtja do të rriten kushtet për jostabilitet të pasdites me shi të rrëmbyeshëm lokal dhe bubullima.

Tiranë  - Tre shtetase të Maqedonisë së Veriut të moshës 48, 60 dhe 66 vjeç dje pasdite u shpëtuan nga mbytja në plazhin e Golemit në Kavajë, në bregdetin shqiptar. Sipas policisë, menjëherë u është dhënë ndihma e parë nga turistët e pranishëm në plazh, roja bregdetare dhe nëpunësit policor nga Kavaja të cilët ishin kujdestarë në bregdet.

 Athinë - Zjarri i madh që shpërtheu dje në afërsi të qytetit grek Aleksandrupoli ende nuk është vënë nën kontroll dhe sipas televizionit grek ERT tashmë janë djegur pesë shtëpi dhe një kishë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. Në shuarjen e zjarrit janë përfshirë 176 zjarrfikës me 48 automjete, dhjetë ekipe këmbësorie, 11 avionë dhe gjashtë helikopterë, njëri prej të cilëve për koordinim, të cilët janë ndihmuar nga zjarrfikës vullnetarë, policë, si dhe cisterna dhe kamionë nga komunat.

Kiev  - Trajnimi për ukrainasit për të drejtuar me avionë luftarakë amerikanë F-16 ka filluar, por do të zgjasë të paktën gjashtë muaj dhe ndoshta më gjatë, tha ministri i Mbrojtjes Oleksej Reznikov, dy ditë pasi një zyrtar amerikan konfirmoi se F-16 do të transferoheshin në Ukrainë pas përfundimit të trajnimit të pilotëve. Reznikov tha në një intervistë televizive se gjashtë muaj trajnim konsiderohet minimumi për pilotët, por ende nuk dihet se sa do të zgjasë trajnimi i inxhinierëve dhe mekanikëve. Ukraina dëshiron avionë luftarakë të sofistikuar të prodhuar nga SHBA-ja për të kundërshtuar epërsinë ajrore të Rusisë, forcat e së cilës pushtuan vendin në shkurt të vitit 2022.

Berlin - Numri i personave të internuar nga Gjermania është rritur me afër 27 për qind në gjysmën e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, tregojnë informacionet e përgatitura si rezultat i një hetimi parlamentar nga partia "E Majtë" në Ministrinë gjermane të Brendshme, transmetoi DPA. Gjithsej 7,861 internime u bënë në gjashtë muajt e parë të vitit, tregojnë shifrat e raportuara  që për herë të parë i publikoi Noje Osnabriker Cajtung - 1,644 nga të internuarit ishin gra dhe 1,375 ishin të mitur.

Hagë - Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, ka mbërritur për një vizitë në Holandë. Aeroplani me të cilin po udhëtonte lideri ukrainas është ulur në një bazë ajrore në Ajndhoven, në pjesën jugore të vendit. Zelenski dje ishte për vizitë në Suedi.  Vizita në Holandë vjen dy ditë pasi SHBA-jai dha dritë të gjelbër atij vendi, si dhe Danimarkës, për t'i siguruar  aeroplanë amerikanë F-16 për Ukrainën. Tani për tani nuk dihen detajet e këtyre dërgesave, as data në të cilën mund të bëhen. 

Budapest - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, me ftesë të kryeministrit hungarez Viktor Orban, udhëtoi për në Budapest për të marrë pjesë në kremtimin e Ditës së Themelimit të Hungarisë. Erdogan do të marrë pjesë edhe në hapjen e Kampionatit Botëror të Atletikës të organizuar nga Hungaria.

 Meksikali  - Uragani Hilari, i cili po i afrohet shtetit meksikan "Baja California", tashmë ka marrë viktimën e parë. Një person humbi jetën kur një familje pesëanëtarëshe në shtet u përfshi nga ujërat e ardhura, thanë autoritetet meksikane. Në Baja Kaliforni, stuhia solli shira të dendur dhe valë të larta dhe ekziston rreziku i përmbytjeve katastrofike.

Moskë - "Një dron ukrainas e sulmoi qytetin perëndimor rus Kursk, me ç'rast është goditur një stacion hekurudhor dhe janë plagosur pesë persona", deklaroi guvernatori i rajonit. "Droni ukrainas e sulmoi Kurskin", publikoi Roman Staeovoit në Telegram. "Sipas informacioneve të para droni ka qëlluar në kulmin e godinës së stacionit, ndërsa pastaj shpërtheu zjarr". "Pesë persona u plagosën lehtë", shtoi guvernatori.

Mançester  – Kampioni anglez i futbollit Mançester Siti ka vendosur rekord klubi për fitore të njëpasnjëshme në terrenin vendas. Ekipi  i Pep Guardiolës mbrëmë ka mposhtur Njukasllin (1:0) në xhiron e 2-të të Premierligës. Qytetarët në stadiumin "Etihad" kanë fituar 17 ndeshje radhazi në të gjitha ndeshjet. Gjatë kësaj kohe ata shënuan 55 gola, ndërsa dhe morën  7. Në 11 ndeshje nuk morën asnjë gol.

 Mançester  – Trajneri i Mançester Sitit, Pep Guardiola, pas fitores ndaj Njukasël ka theksuar karakterin e lojtarëve të tij. "Asnjë fjalë nuk mund të shprehë mirënjohjen time për lojën që e treguam. Ajo ishte vërtet e mirë. Kjo është një ndeshje e dytë e ngjashme, por ne jemi të fokusuar pavarësisht gjithçkaje që kemi arritur në sezonin e kaluar. Ne folëm për mentalitetin. Arsyeja e fitoreve tona është mentaliteti ynë dhe e dëshmuam sërish. Fil Foden është një futbollist i vërtetë që mund të luajë në shumë pozicione. Ai është një kërcënim i vërtetë. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si i trajton të tjerët. Dhe mentaliteti i tij është gjithmonë i dukshëm – kjo është gjëja kryesore", tha Guardiola pas ndeshjes.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR