• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00 / 27 gusht / 2025

Shkup - Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurinë dhe komunikacionin rrugor dhe Ligji për të huajt ka kaluar në lexim të parë në komisionin amë në Kuvend. Risia kryesore në Ligjin për sigurinë në komunikacion është zbatimi i projektit "Qytet i sigurt", gjegjësisht shkeljeve në komunikacion të dokumentuara nga kamerat e sigurisë. Me këtë ligj, siç sqaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, mes tjerash u definua edhe dokumenti autentik për shkelje në komunikacion, duke krijuar regjistër me urdhër shkeljet rrugore si dokument të vetëm, rregullimin e procedurës për konstatimin dhe dokumentimin e shpenzimeve të komunikacionit me mjete dhe pajisje teknike.

Shkup - Mbikëqyrja nga tre mjekët e huaj, siç ishte rasti me Onkologjinë, është për t'i dhënë siguri shtesë opinionit se procedura do të jetë objektive, deklaroi në konferencën e sotme për shtyp, drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Sasho Klekovski, në lidhje me deklaratat e kardiologut Sashko Kedev se po kryhen ndërhyrje kirurgjikale dhe stentime të panevojshme. Lidhur me komisionin e brendshëm të ngarkuar me përgatitjen e një analize paraprake të ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiovaskulare në institucionet shëndetësore në vend, ai tha se ata kanë besim të plotë se do ta përfundojnë punën, pasi dokumentacioni i nevojshëm është në dispozicion.

Shkup - Kandidati i VLEN-it për Qytetin e Shkupit, Bashkim Bakiu, në një intervistë për PressOnline.al thekson se këtë herë Shkupi do të marrë atë që i takon. “Sepse Shkupi nuk është vetëm Qendra dhe Karposhi. Shkupi është edhe Çairi, Saraji, Buteli, Gazi Baba, Kisella Voda, Shtip, Orizare, Gjorçe Petrovi, Qendra dhe Karposhi. Të gjitha këto janë pjesë e Shkupit, por le ta themi hapur: shumë lagje të këtij qyteti janë harruar me vite të tëra. Buxhetet gjithmonë më të vogla, investimet gjithmonë më pak, e problemet gjithmonë më shumë”, tha ai. Ai ka thënë se ka tri prioritete të qarta: E para, kthimi i besimit të shqiptarëve tek Qyteti i Shkupit, sidomos pas periudhës katërvjeçare të Danella Arsovskës. E dyta, transporti publik. Në plan programin tim është Bus Rapid Transit, ku do të lidhen edhe komunat shqiptare me një sistem modern e funksional dhe e treta: bashkëpunimi me Këshillin e ardhshëm, me të cilin planifikojmë shumë projekte konkrete.

Shkup - Konferenca e sotme për shtyp e Venko Filipçes është prova më e mirë se LSDM0ja është e humbur në gënjeshtrat e veta dhe se po përpiqet ta mbulojë të vërtetën me numra bosh dhe manipulime: Maqedonia sot është një vend me financa të qëndrueshme, një vend që ka filluar të rindërtohet pas viteve të shkatërrimit dhe korrupsionit dhe një vend që po rikthen besimin në institucione, tha sot deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanoski, në lidhje me qëndrimet e shprehura më parë të Filipçes për gjendjen e ekonomisë. "Siç pretenduam, ashtu edhe doli. Sot Filipçe publikisht paralajmëroi koalicion me BDI-në. Pyetja është e thjeshtë: Çfarë ka kaq shumë të përbashkët BDI me të dhe Zaevin saqë nuk mund të largohen nga prehri i tyre? Çdo ditë flasin për "udhëheqje të re" dhe "vendime autentike", dhe në fund kthehen te partnerët e tyre të vjetër në krim dhe korrupsion", theksoi Stojanoski.

Shkup - Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MJPH) do të investojë një milion euro në ndërtimin e sistemit të ri të furnizimit me ujë në vendbanimin e Sahat Kullës në Komunën e Çairit. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot gjatë inspektimit të punëve ndërtimore në vendbanimin e Sahat Kullës, theksoi se bëhet fjalë për ndërtim të plotë të kanalizimit atmosferik dhe fekal i cili do t'u shërbejë mbi 2.000 banorëve të kësaj lagje.

Tiranë - Po zgjerohet gjeografia e shtetasve të huaj, të cilët vijnë në Shqipëri për shkak të punësimit, bashkimit familjar ose shkaqeve tjera, me ç'rast ata me prejardhje nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh, njoftoi Instituti për statistika - INSTANT. "Në fund të vitit 2024, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.940, duke pësuar rritje me 2,2 për qind, krahasuar me vitin 2023. Prej tyre, pothuaj 12 mijë janë për shkak të punësimit. Në 61,9 për qind të të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt, kundrejt femrave me 38,1 për qind. Grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30 deri 39 vjeç", njofton INSTANT.

Paris - Presidenti francez Emanuel Makron deklaroi se Franca mbetet "shtet solid me ekonomi të fuqishme", edhe krahas rënies së aktiviteteve të bursës dhe tregjeve financiare në prag të votimit të besimit të qeverisë. "Franca është shtet solid me ekonomi solide, por duhet ta ndërmarrim fatin në duart tona", e përcolli zëdhënësja Sofi Prima deklaratën që Makroni ua ka dërguar ministrave në seancë të qeverisë. Ai shtoi se dëshira që Franca të bëhet edhe më e fuqishme është sinjal që i dërgohet komunitetit financiar.

Najrobi - Fëmijët janë në rrezik nga kequshqyerja akute dhe dhuna në El Fasherin e rrethuar, kryeqytetin e rajonit të Darfurit të Veriut në Sudan i cili ka qenë nën sulm për 500 ditë, kumtoi sot UNICEF-i. Çdo ditë, "kequshqyerja, sëmundjet dhe dhuna" marrin jetë të reja, theksohet në kumtesëm e organizatës së KB-së. El Fasher mbetet "epiqendra e vuajtjeve të fëmijëve", shtuan ata. Në Sudan zhvillohen luftërat për pushtet nga prilli i vitit 2023. El Fasher është qyteti i fundit më i madh në pjesën e Darfurit perëndimor e cila është ende nën kontrollin e qeverisë. Milicia e "Forcave të mbështetjes së shpejtë (RSF) e cila kundërshton qeverinë, është akuzuar për shkelje të shumta të të drejtave të njeriut, ndërsa armata qeveritare është akuzuar për bombardimin e zonave të banuara civile. 

Moskë - Kremlini sot përsëriti se çdo takim mes presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës, Vlladimir Putin dhe Vollodimir Zelenski, të cilin e kërkojnë Kievi dhe Uashingtoni, duhet të "përgatitet mirë", duke sugjeruar se tani për tani nuk është në agjendën e Moskës. "Shefat e grupit negociator rus dhe ukrainas janë në kontakt", deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov dhe shtoi se nuk është në mundësi ta publikojë datën e bisedave të ardhshme. Ai shtoi se çdo kontakt tjetër në nivel të lartë, ose në nivelin më të lartë, "duhet të përgatitet mipë që të jetë i frytshëm".

Baku - Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliev, sot deklaroi se presidenti amerikan, Donald Tramp meriton çmimin Nobel për paqen. Aliev në një intervistë për televizionin Al Arabija tha se së bashku me kryeministrin armen Nikoll Pashinjan e ka nominuar Trampin për çmimin Nobel për paqe. "Ai me të vërtet e meriton. Siç thashë në Uashington, për disa muaj ai ka bërë mrekulli në Afrikë, në Azi, në Kaukazin jugor. Dhe kjo është në karakterin e tij. Kjo është natyra e tij. Ai dëshiron paqe. Ai është person i cili në përgjithësi nuk përshtatet me imazhin tradicional të një lideri perëndimor", theksoi Alievi, transmetoi RIA Novosti.

QËNDRONI TË LIDHUR