• e premte, 05 dhjetor 2025
MIA Flesh

18:00 / 20 nëntor / 2025

Shkup - Gjykata Kushtetuese ngriti procedurë për nenin 2 të Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, i cili i referohet rritjes lineare të pensioneve, me të cilën harmonizimi i rregullt mujor në bazë të rritjes së pagave dhe shpenzimeve për jetë zëvendësohet me një shpërndarje të barabartë të mjeteve për të gjithë pensionistët, pa dallim të vlerës së pensionit, stazhit ose kontributit të paguar. Duke vepruar në lidhje me këtë rast në seancën e djeshme, me propozim të gjyqtares raportuese Dobrilla Kacarska, Gjykata vendosi me vetëiniciativë të ngritë procedurë për nenin 2 të ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, të publikuar më 20.07.2025 në "Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut" nr. 154/25.

Shkup - Ministri për Çështje Evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në Tiranë, me ftesë të ministres shtetërore dhe kryenegociatore e Republikës së Shqipërisë, Majlinda Duka, mori pjesë në takimin e ministrave, i cili u mbajt në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e rritjes me titull "Rruga jonë drejt BE-së". Siç njofton MÇE, në takim morën pjesë Ministrat për Çështje Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe Kryenegociatorët me BE-në, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, organizata rajonale si CEFTA, Këshilli rajonal për bashkëpunim, RESPA dhe përfaqësues të institucioneve financiare BEI, BERZH dhe Banka Botërore. Tema kryesore ishte thellimi i integrimit ekonomik dhe institucional i Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian përmes iniciativave kryesore nga Plani i rritjes, duke përfshirë "Roaming si në shtëpi", përfshirja në SEPA-n, projektin WiFi4WB, Korridoret e gjelbra, Tregu i përbashkët Rajonal 2.0 etj.

Shkup - Komisioni për selektimin e kandidatëve për kryetarë të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) që u formua nga Komisioni kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve ka vlerësuar kandidatin Adem Çuçuli nga Shkupi, jurist i dipomuar dhe sekretar i përgjithshëm aktual në KSHPK, si më të suksesshmin në procedurën e përzgjedhjes. Sipas Komisioni, Çuçuli tregoi përvojë të konsiderueshme në parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesit, si dhe një vizion të qartë dhe plan konkret për punën dhe zhvillimin e KSHPK-së. Ai dha përgjigje të shkëlqyera për të gjitha pyetjet e parashtruara të përgjithshme dhe të veçanta, pas çka fitoi gjithsej 96,50 pikë, duke e renditur atë më lartë midis kandidatëve.

Shkup - Filloi procesi i krijimit të Inventarit kombëtar të ndërtesave publike - një bazë e të dhëanve që duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si shteti planifikon, investon dhe menaxhon me objektet e tij publike. Ngjarja, e mbajtur në Sallën solemne të Qeverisë, mblodhi përfaqësues të ministrive resor, komunave dhe institucioneve publike, të cilët edhe një herë konfirmuan rëndësinë e mbledhjes sistematike dhe analizës së të dhënave relevante për disa mijëra ndërtesa publike në të gjithë vendin, informojnë nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale. Siç theksojnë, në fjalimin e saj, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, e theksoi rëndësinë reformuese të këtij procesi.

Shkup - Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme, Musa Xhaferi, realizoi takim me ambasadorin e Kazakistanit, Satibaldi Burshakov. Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për takimin e parë të ndërsjellë në vitin që shënon 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kazakistanin dhe hapjen e sivjetme të Ambasadës së Republikës së Kazakistanit në Shkup. Ambasadori Burshakov informoi për jetën politike dhe shoqërore në Kazakistan, për burimet e mëdha që kanë në dispozicion dhe për shkëmbimin tregtar me vendet fqinje, por edhe me vendet e tjera, përfshirë Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, ata diskutuan ide dhe iniciativa konkrete që synojnë rritjen e bashkëpunimit ekonomik me vendin tonë në fushat me interes dypalësh.

Shkup – Nesër fillon procedura për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatë të pavarur për kryetarë të komunave Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendra Zhupë, njoftoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ). Mbledhja e nënshkrimeve do të bëhet para personave zyrtarë të seksionit dhe zyrës kompetente rajonale të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe pranë një noteri kompetent, çdo ditë pune në periudhën e orarit të rregullt të punës nga ora 8:30 deri në orën 16:30, ndërsa ditën e fundit (30 nëntor 2025) deri në orën 24:00. Siç informon KSHZ, Seksioni rajonal i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve – Gostivar është kompetent për mbledhjen e nënshkrimeve për kryetar të komunës Gostivar, Mavrovë dhe Rostushë dhe Vrapçisht, ndërsa zyra e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve – Dibër është kompetente për mbledhjen e nënshkrimeve për kryetar të komunës Qendra Zhupë.

Shkup - Kryetari i Gjykatës kushtetuese, Darko Kostadinovski sot ka realizuar takime me ambasadorët e Republikës së Austrisë, Martin Pamer dhe të Republikës së Italisë, Paolo Palminteri, në kuadër të agjendës së intensifikuar ndërkombëtare dhe dinamikës së rritur në aktivitetet ndërkombëtare të Gjykatës. Në takimet, siç njoftuan nga Gjykata kushtetuese, janë këmbyer mendime dhe ide për përforcimin e bashkëpunimit mes Gjykatës kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe gjykatat kushtetuese të Austrisë dhe Italisë, i cili gjatë periudhës së ardhshme duhet të realizohet. 

Shkup - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, së bashku me Kryetarin e Këshillit Global për Tolerancë dhe Paqe, z. Ahmed Bin Mohamed Aljarwan nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit tonë dhe Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe (IPTP). Siç informoi shërbimi për shtyp i Kuvendit,  ky memorandum paraqet një kornizë të rëndësishme institucionale që synon thellimin e bashkëpunimit parlamentar ndërkombëtar në fushat e tolerancës, paqes dhe dialogut demokratik, pjesëmarrjen e rregullt të Kuvendit në sesionet, komitetet dhe iniciativat e IPTP-së, shkëmbimin e vazhdueshëm të informacionit për aktivitetet, dokumentet dhe projektet parlamentare të kësaj organizate, koordinimin e mundësive për realizimin e ngjarjeve të përbashkëta, konferencave dhe projekteve me interes të dyanshëm.

Shkup – Gjatë mbikëqyrjes inspektuese të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) te 23 subjekte juridike të cilët kryejnë tregti me pakicë me duhan dhe produkte duhani, te 16 persona juridikë ishin gjetur sasi të produkteve të duhanit për të cilat ata nuk kanë poseduar dokumente për furnizim nga ofertuesi dhe nuk i kishin shenjat e nevojshme – marka akcizë. Siç kumtoi ISHT, kontrollet ishin kryer më 17 dhe 18 nëntor në territorin e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës dhe Strugës. “Në përputhje me kompetencat ligjore, produktet e gjetura në sasi prej mbi 3000 pako me vlerë mbi 1.000.000 denarë janë sekuestruar përkohësisht dhe i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhim me Pasuri të Sekuestruar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati Shtetëror i Tregut, duke vepruar në përputhje me kompetencat ligjore, lëshoi ​​urdhërpagesa për kundërvajtje, ndërsa për parregullsitë e konstatuara dërgoi njoftim deri te institucionet e tjera kompetente, Drejtoria e Doganave dhe Ministria e Punëve të Brendshme për veprime të mëtejshme”, njoftoi Inspektorati i Tregut.

Shkup - Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëpunim me Agjencinë e Zbatimit të Gjuhës dhe Muzeun e Alfabetit në Manastir sot organizoi Akademi solemne, ku, mes personalitetesh të profileve të ndryshme, u fol për peshën e shumëanshme që kishte përfundimi i suksesshëm i punimeve të këtij kongresi historik. Siç kumtuan nga pres shërbimi i UNT-së, Akademinë solemne e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Lulzim Aliu, zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkencës, Granit Osmani, drejtor i Agjencisë për zbatimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut, Aldo Kelmenti, diplomat nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në RMV, ndërsa referat kryesor për shënimin e 22 Nëntorit zhvilloi dekani i Fakultetit të Shkencave Humane Prof.dr. Mustafa Ibrahimi.

Shkup - Në komisionin amë kuvendor për financim dhe buxhet sot vazhdoi debati i amandamentit për Propozim-buxhetin për vitin 2026. Përveç për amandamentet e paraqitura, debati është fokusuar edhe në procedurën e inicuar të Gjykatës Kushtetuese për rritjen lineare të pensioneve, pas së cilës u bënë akuza të ndërsjella midis pushtetit dhe opozitës. Deputeti Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, në replikë të amendamentit të paraqitur nga LSDM-ja, përmendi se gjyqtarja Dobrila Kacarska ka paraqitur parashtresë deri te Gjykata Kushtetuse për rritjen lineare të pensioneve, pas së cilës pasuan kundërpërgjigje nga opozita. 

Kumanovë - Edhe rast tjetër i një fëmije të helmuar në Kumanovë është regjistruar nga SPB Kumanovë. Bëhet fjalë për një fëmijë katërvjeçar i cili ka pirë disa tableta. Nga spitali i përgjithshëm i Kumanovës bëjnë të ditur se pas ndihmës së dhënë, fëmija është stabilizuar dhe është transportuar në një klinikë në Shkup. "Mbrëmë në orën 04:05, në SPB Kumanovë është raportuar se një fëmijë katërvjeçar nga Kumanova është sjellë në Qendrën Emergjente të Kumanovës për ndihmë mjekësore, pasi në shtëpi ka pirë disa tableta. Po merren masa për zbardhjen e rastit", kumtoi SPB Kumanovë.

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor, pasi shpërndau Kuvendin e Kosovës i cili nuk arriti të zgjedhte një qeveri të re pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Gjatë një konference për media, pas takimit që mbajti me përfaqësuesit e partive politike, Osmani tha se tetë parti ishin për mbajtjen e zgjedhjeve në atë datë, ndërsa pesë për 21 dhjetorin dhe se tri parti për cilën do datë. Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka "për detyrë të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve".

Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp bëri thirrje sot për arrestimin e kongresmenëve demokratë të cilët u kanë kërkuar anëtarëve të ushtrisë dhe zyrtarëve të inteligjencës të mos i binden, siç thonë, "urdhrave të paligjshëm" që mund të lëshojë administrata. “Kjo quhet sjellje tradhtare në nivelin më të lartë. Secili prej këtyre tradhtarëve të vendit tonë duhet të arrestohet dhe të sillet para drejtësisë”, shkroi Trump në rrjetin social Truth.

Kiev - Armata ukrainase sot kumtoi se goditi dy rafineri ruse në zonën e Rjazanskës dhe rajonin Krasnodarsk. Shtatmadhoria e forcave të armatosura të Ukrainës mbrëmë kumtoi se është goditur rafineria e Rjazanskit, duke regjistruar një goditje dhe një zjarr në afërsi të objekteve për përpunimin e naftës në ndërmarrje. Rafineria e Rjazanskit përpunon deri në 17 milionë ton naftë në vit dhe qindra mijëra ton vajguri për aviacion, të cilin Rusia e përdor për të furnizuar me karburant aeroplanët e saj. Ukraina sulmoi të njëjtën rafineri javën e kaluar. Robert Brovdi, kryetari i operacioneve me dronë të trupave ukrainase, deklaroi se njësia e tij natën e kaluar kishte goditur rafinerinë Ilska në rajonin Krasnodar të Rusisë.

Pnom Pen – Të paktën 13 persona humbën jetën ndërsa edhe 24 janë lënduar kur një autobus i cili lëvizte drejt kryeqytetit të Kamboxhias, Pnom Pen ka goditur urën, është rrokullisur dhe ka rënë në lum sot herët, njoftuan mediat, duke iu referuar policisë. Aksidenti ka ndodhur në zonën Suntuk në krahinën qendrore Kampong Tom. Shefi i policisë së trafikut, kolonel Prum Çantoll, deklaroi se në të ka pasur 37 udhëtarë, shumica e tyre burra punëtor ndërtimtarie të cilët lëviznin drejt Pnom Penit. Shantoll tha se duket se shoferi 19-vjeçar kishte fjetur në timon. Shoferi është në mesin e të lënduarve. 

Cyrih - Sot në selinë e FIFA-s në Cyrih është hedhur shorti i plejofit për kualifikimin në Kampionatin Botëror 2026, i cili do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Kombëtarja e Shqipërisë ndeshjen e parë e luan me Poloninë dhe në rast të fitores, do të luajë me fituesin nga përballja mes Ukrainës dhe Suedisë. Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë kundër Sllovakisë, ndërsa nëse e fiton, do të luajë me fituesin mes Turqisë dhe Rumanisë.

QËNDRONI TË LIDHUR