18:00 / 4 dhjetor / 2025
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski është i bindur se kërkesa për një buxhet më të madh në gjyqësor është ekskluzivisht për shkak të rritjes së pagave. Kushdo, thekson Mickoski, që thotë se bëhet fjalë për paga nuk e thotë të vërtetën. Ai beson se nëse u duhen fonde për të punësuar staf, siç thonë ata, “duhet të bëjnë një listë dhe fondet shtesë do t'u sigurohen përmes Ministrisë së Financave”. Ai është decid se nuk do t'u jepen 0.8 për qind të BPV-së, sepse, siç thekson, "shteti ka prioritete të tjera". "Kushdo që thotë se nuk bëhet fjalë për shfaqjen e pagave nuk e thotë të vërtetën. Drejtpërdrejt bëhet fjalë për këtë dhe do të doja të debatoja më direkt të argumentoj nen për nen, kërkesë për kërkesë. Kërkojnë që punësimet dhe ngritjet në detyrë të miratohen nga Këshilli i Prokurorëve publikë dhe Këshilli gjyqësor. Sepse thonë se nuk na duhen para për paga, por për të punësuar personel, nuk kemi - ekspert të TI-së, kontabilist, nuk kemi daktilograf, asistent teknik, ne themi mirë, bëni një listë të gjykatave dhe prokurorive dhe ne do t'ju sigurojmë para me ribalancin e buxhetit përmes Ministrisë së Financave”, thotë Mickoski.
Shkup - Nuk ka vonesë në rimbursimet e TVSH-së. Mund të deklaroj me përgjegjësinë më të madhe se nuk ka absolutisht asnjë problem me Buxhetin, problemi është i natyrës teknike në DAP, deklaroi sot ministrja e Financave Gordana Dimitrieska - Koçoska. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me rimbursimet e TVSH-së, ajo vuri në dukje se problem kyç janë sistemet në DAP të cilët nuk janë përmirësuar që nga viti 2011 - 2012. Sipas ministres, shteti po merr hua brenda kornizës së planifikuar dhe tregjet tashmë po analizohen për vitin e ardhshëm. Është planifikuar lëshimi i një eurobondi, ndërsa do të përdoren, siç sqaroi, burime të ndryshme financimi për të mbyllur së pari detyrimet e marra më parë dhe për të financuar deficitin buxhetor të parashikuar për vitin 2026.
Shkup - Në seancën e sotme për rastin "Pulls" në Koçan, mbrojtja dhe një pjesë e të akuzuarve e ka kontestuar procedurën e akuzës, duke e vlerësuar si jo të plotë dhe pa dëshmi konkrete për veprime individuale. Në sallën e gjykatës u theksua se një pjesë e të akuzuarve kanë vepruar në pajtim me ligjin, tjerë kanë pasur detyra të kufizuara, ndërsa të tretë që nga hapja e diskotekës kanë reaguar me kërkesa për mosdhënien e lejes. Në fjalën hyrëse, mbrojtja e ish kryetarëve të komunës së Koçanit, Ratko Dimitrovski, Nikollço Iliev dhe Lupço Papazov theksoi se procedura po udhëhiqet në bazë të hetimit jo të plotë dhe pa fakte të siguruara, të cilat drejtpërdrejtë i lidhin me katastrofën. Avokatët thonë se klientët e tyre kanë vepruar në pajtim me ligjin dhe rregullave, se përgjegjësia për mbikëqyrje dhe rregullativë është në komptencë të shërbimeve profesionale dhe se një aktgjykim i padrejtë do të paraqiste "një tragjedi të dytë".
Shkup - Vendet tona janë të vogla dhe varen nga faktorë të jashtëm. Inflacioni në nivel të BE-së është 2 deri në 3 për qind, ndërsa në vendin tonë është rreth 4 për qind. Sllovakia, konkretisht, është shumë e varur nga Gjermania, Austria dhe Franca, por Gjermania dhe Austria janë momentalisht në recesion. Ne jemi prodhuesi më i madh i automjeteve në Evropë "per kapita" dhe varemi shumë nga ajo që ndodh në Gjermani dhe në vendet e tjera evropiane. Nga Gjermania duhet të arrijë porosia që momentalisht nuk ka arritur. Ne mund t'ju marrim shembull sepse keni një rritje prej rreth tre për qind, për dallim nga Sllovakia ku është një për qind, tha sot mionistri i Financave të Republikës së Sllovakisë, Ladislav Kamenicki pas takimit me nikoçiren e tij, ministren e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska. Kamenicki në konferencën e përbashkët për shtyp theksoi se në Evropë, konkurrenca midis furnizuesve të energjisë është mjaft e kufizuar. Duhet të lejohet, siç përmendi, blerja e energjisë aty ku është më e lirë, se sa të ketë konkurrencë të kufizuar siç është për momentin.
Shkup - Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, sot pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i sapoemëruar i Republikës së Moldavisë, Emil Zhakota, dhe i uroi sukese në kryerjen e misionit të rëndësishëm diplomatik. "Tridhjetëvjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, sipas tyre, dëshmon për një periudhë të gjatë miqësie të ndërsjellë, që në të ardhmen duhet të pasurohet me bashkëpunim më të gjerë në disa fusha, para së gjithash në ekonomi, për të cilën kërkohet një kuadër i përshtatshëm ligjor. Për të dyja, e ardhmja e të dy vendeve, të cilat ndajnë të njëjtat vlera demokratike, është në familjen evropiane, ku ato i përkasin gjeografikisht, kulturorisht dhe historikisht. Aspiratat e përbashkëta evropiane për integrim në BE, sipas Siljanovska-Davkovës, janë bazë për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, duke treguar se zgjerimi është një proces i pandalshëm që do të sjellë paqe, stabilitet dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon, Evropë dhe më gjerë. Ajo përshëndeti përparimin e Moldavisë në procesin e integrimit evropian dhe shprehu gatishmërinë për të ndarë përvojën e Maqedoni", kumtoi kabineti i Siljanovska-Davkovës.
Shkup - Çdo i treti qytetar në Maqedoni ka dhënë ndonjë lloj ryshfeti që t'i kryhet ndonjë punë. Këtë e tregojnë të dhënat e raportit të fundit për vlerësimin e korrupsionit të Qendrës së Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar, një pjesë të vogël të së cilit sot prezantoi drejtori i QMBN-së, Aleksandar Kërzhalovski, në ngjarjen kushtuar Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit - 9 dhjetor, dhe paralajmëroi se hulumtimi në tërësi do të publikohet në ditët në vijim. Kërzhalovski në fjalimin e tij para të pranishmëve në ngjarjen theksoi se ajo që matën në raportin e fundit është se ndryshe nga vitet e kalura kur korrupsioni perceptohej si një problem kryesor në shoqëri, tani ai është në vendin e dytë. Korrupsioni është një problem serioz, i cili është i përhapur gjerë dhe për fat të keq mjaft i pranuar, tha Kërzhalovski.
Shkup - Në Shkup sot u mbajt ngjarje me rastin e 5 dhjetorit, Ditës botërore të kafesë turke, njofton agjencia "Anadolia". Ish presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov dhe bashkëshortja e tij, Maja Ivanova, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, përfaqësues të mediumeve lokale dhe mysafirë kanë marrë pjesë në ngjarjen që u mbajt në rezidencën e Ambasadës së Turqisë në Shkup. Ambasadori Fatih Ullusoj u dha informata mysafirëve për kafenë turke dhe u falënderua për praninë.
Shkup - Gjatë javës së 48-të të vitit 2025, nga 24 deri më 30 nëntor, në vend janë regjistruar 114 raste të gripit - paraqitje grupore të pacientëve me grip - sëmundje të ngjashme me gripin. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), të publikuara sot pasdite, kjo është për 25,3 për qind më shumë se javën e kaluar. Ndërsa, krahasuar me javën e 48-të të sezonit të kaluar, vërehet një rritje prej 75,4 për qind, ndërsa krahasuar me modelin për 15 sezonet e fundit - një rritje prej 2,7 për qind. Nga ISHP informojnë se personat e sëmurë këtë javë janë regjistruar në 11 QSHP/PE, përkatësisht në Kumanovë - 49, Strumicë - 16, Shtip - 11, Tetovë - 9, Gostivar - 7, Prilep dhe Kavadar - 6, Makedonski Brod - 5, Negotinë - 3 dhe Radovish dhe Shkup me nga një rast të raportuar.
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot në një ceremoni solemne pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Republikës së Indonezisë, Listiana Operananta me seli në Sofje. Siljanovska-Davkova, siç informon kabineti i saj, shprehu kënaqësi për dinamikën e marrëdhënieve dypalëshe të vendosura më 25 maj 1993, duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në nivel politik, në organizatat ndërkombëtare si dhe në ekonomi.
Shkup - Në seancën e sotme për rastin "Pulls" në Koçan, mbrojtja vlerësoi se akuza kundër të akuzuarve nga sigurimi është e pabazuar, pa dëshmi konkrete dhe e ndërtuar në supozime kaotike. Avokatët theksuan se një pjesë e të akuzuarve kanë pasur detyra të kufizuara dhe nuk kanë mundur të pengojnë hyrje të piroteknikës, ndërsa si shkaqe kyçe për tragjedinë i kanë potencuar lëshimet institucionale dhe mungesën e kontrollit. Në zjarrin që ka ndodhur më 16 mars të këtij viti, jetën e kanë humbur 63 persona, ndërsa mbi 200 janë lënduar. Avokati i Jane Jançeskit, drejtor i agjencisë për sigurim Rubiko, Jovica Strashevski, në fjalimin hyrës tha se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale që i ngarkohet Jançeskit dhe si avokat i tij propozon të lirohet nga akuza për shkak të mungesës së provave.
Tetovë - Në Komunën e Tetovës është mbajtur takim koordinues lidhur me rrëshqitjen e dheut në fshatin Shipkovicë të komunës së Tetovës. Me ftesë të kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasami në takim ka marrë pjesë edhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali si dhe përfaqësues të institucioneve relevante. "Takimi ka qenë me qëllim shqyrtimin e rreziqeve, koordinimin e veprimeve dhe janë propozuar masa për mbrojtjen e jetës, shëndetit të qytetarëve dhe pronës materiale. U vendos formimi i një ekipi profesional nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Fakultetin e ndërtimtarisë dhe IISSI i cili do të kryejë vlerësimin e rrezikut dhe do të përgatisë studimin e nevojshëm për marrjen e masave të duhura për stabilizimin dhe riparimin e terrenit", ka thënë nga QMK.
Sarajevë - Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) të enjten mbajti Takimin e 19-të të Koordinimit të Organizatave Rajonale në Sekretariatin e tij në Sarajevë, duke mbledhur Sekretarët e Përgjithshëm dhe përfaqësues të lartë të kuadrit kryesor të bashkëpunimit rajonal, RCC, CEI, AII dhe BSEC, për të diskutuar se si lidhshmëria më e zgjuar, më rezistente dhe e qëndrueshme mund të nxisë zhvillimin ekonomik gjithëpërfshirës në Evropën Juglindore. Takimi u hap me fjalime hyrëse nga Amer Kapetanoviq, Sekretar i Përgjithshëm i RCC; Giovanni Castellaneta, Sekretar i Përgjithshëm i Iniciativës Adriatiko-Joniane (AII); Lazar Comanescu, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik të Detit të Zi (BSEC); dhe Franco Dal Mas, Sekretar i Përgjithshëm i Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI). Kryesimi nga Sofja i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) gjithashtu iu bashkua seancës hapëse.
Bruksel – Rajoni, Maqedonia, vendi im luftojnë për vlera evropiane për dekada me radhë dhe nuk ka dyshim se nuk ka alternativë tjetër për rajonin përveç anëtarësimit në BE dhe NATO. Është mirë që jemi anëtare e NATO-s, por mungon realizimi nga BE-ja, theksoi sot në Bruksel Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski në panelin "Çështja e zgjerimit: Kufiri i ri gjeopolitik, i sigurisë dhe ekonomik i Evropës" si pjesë e "Samitit BE-Ballkani Perëndimor", që e organizon think tanku "Miqtë e Evropës". "Dikush tha se jemi të frustruar, mendoj se më nuk jemi të frustruar, disi jemi mësuar, sikur e gjithë kjo të jetë normale. Sigurisht, unë jam ironik, po përpiqem të tregoj me një fjali se çfarë po ndodh", tha Nikolloski.
Bruksel - Një punëtor 36-të vjeçar ka vdekur, ndërsa një tjetër ka marrë lëndime serioze gjatë shembjes së një pjese të depos që ishte në fazën e rinovimit në portin e qytetit bellg Antverpen. Siç raportohet nga mediat bellge, punëtori i lënduar, 43 vjeçar, u nxor nga rrënojat relativisht shpejt dhe u dërgua në spital. Nga ana tjetër, punëtori i ndjerë menjëherë pas incidentit u shpall i zhdukur. Pas disa orësh kërkimesh, në të cilën u përfshinë edhe qen nuhatës, ekipet e shpëtimit gjetën trupin e tij të pajetë.
Berlin - Disa aeroplanë luftarakë gjermanë "Jurofajter tajfun" (Eurofighter Typhoon) u ngritën nga baza ajrore "Norvenih" në afërsi të Kellnit drejt bazës ajrore polake "Malbork", në juglindje të Gdanjskut, për të përforcuar krahun lindor të NATO-s. Forca ajrore gjermane kumtuan se ripozicionimi është përgjigje ndaj shkeljeve të fundit ruse të hapësirës ajrore të NATO-s në rajonin e Baltikut, duke përfshirë edhe ndërhyrjet nga dronë kamikazë. Gjermania ripozicionimin e paralajmëroi në tetor dhe aeroplanët luftarakë do të qëndrojnë në bazën ajrore polake deri në mars.
Moskë - Presidenti rus, Vlladimir Putin, sot deklaroi se Rusia "me forcë do ta pushtojë të gjithë rajonin ukrainas Donbas, nëse nuk tërhiqet armata ukrinase". "Ose me forcë do ta pushtojmë territorin ose armata ukrainase do të tërhiqet", deklaroi Putini në intervistën për televizionin indian "India tudej" (India Today). Më herët, Ukrina kumtoi se "nuk do t'i dhurojë Rusisë asnjë pjesë të territorit të saj", ndërsa presidenti, Volodimir Zelenski, shtoi se "Moska nuk duhet shpërblehet për luftën që filloi". Rusia momentalisht kontrollon mbi 19 për qind të territorit të Ukrainës, ndërsa në negociatat me SHBA-në për t'i dhënë fund luftës, Moska theksoi se dëshiron të kontrollojë të gjithë Donbasin, një pjesë të Ukrainës e cila përbëhet nga dy rajone, Donjeckun dhe Luganskun.